
Klaudio Ranieri ka ofruar një panoramë të përgjithshme të momentit që po kalon skuadra e Interit. “Duhet të tregohemi të sinqertë, të qartë. E kishim çuar veten në rrugën e duhur, por pastaj nuk arritëm të qëndronim të bashkuar. Duhet të rigjejmë vendosmërinë dhe dëshirën për të bërë gjëra pozitive. Tani harrojmë gjithçka ka ndodhur, nuk ka marrë fund çdo gjë. Na pret një sfidë e bukur me Marsejën dhe mund të ngremë kokën për ta mbyllur sa më mirë sezonin”, ka thënë ai. Më tej, Ranieri ka vazhduar: “Që tani deri të mërkurën do të punoj për kompaktësinë, për krenarinë e këtyre kampionëve që po vuajnë. Të duash shumë gjëra, ndonjëherë mund të të dëmtojë. Këta djem nuk qëndrojnë indiferentë, përkundrazi, e vuajnë këtë moment negativ. Kërkova një mbrojtës krahu, por nuk ma dhanë. Doja të mbaja Motën, e bindëm për të qëndruar deri në qershor, pastaj ai vendosi të largohej menjëherë. Nuk mund ta mbaja, s’do kishte më stimuj. Më mirë të kesh në dispozicion lojtarë që japin gjithçka për Interin”.











