E shoqja: Ardian Klosi nuk tentoi vetëvrasjen, ishte i stresuar, merrte qetësues

Jan 9, 2012 | 10:05

Ardian Klosi me bashkëshorten Jutta Benzenberg

TIRANE / Bashkëshortja e Ardian Klosit kontaktohet nga hetuesit: Ishte i stresuar dhe pinte shumë qetësues.

Jutta Benzenberg i tha Policisë se publicisti kishte mbingarkesë.

Publicisti Ardian Klosi është helmuar për shkak se ka konsumuar një sasi të madhe tabletash antidepresive dhe qetësues të ndryshëm, por nuk ka tentuar vetëvrasjen. Burime nga Policia e Tiranës thanë dje se rasti nuk është regjistruar si tentativë vetëvrasjeje dhe asnjë nga familjarët e tij nuk ka pretenduar për një ngjarje të tillë si vetëvrasje. E kontaktuar nga oficerët e Policisë së Komisariatit nr.1, bashkëshortja e Ardian Klosit, fotografja gjermane Jutta Benzenberg, me të cilën publicisti ka edhe dy vajza, 18 dhe 16 vjeçe, ka hedhur poshtë versionin e mjekëve për një tentativë vetëvrasjeje. Sipas saj, bashkëshorti i saj 54-vjeçar merrte mjekim, qetësues të ndryshëm antidepresivë, për shkak të mbingarkesës së fortë emocionale, por nuk ka tentuar asnjëherë të vrasë veten. Edhe ngjarja e dy ditëve më parë, sipas bashkëshortes së Ardian Klosit ka ardhur për shkak se ai mund të ketë konsumuar tableta qetësuese më shumë sesa duhet, gjë që ka sjellë përkeqësimin e shëndetit të tij. “Kohët e fundit ka qenë shumë i stresuar dhe merrte mjekim për t’u qetësuar. Stresi i vinte nga angazhimet e shumta që kishte së fundmi dhe probleme që ka çdo familje. Por nuk ka tentuar aspak të vrasë veten”, është shprehur për Policinë bashkëshortja e publicistit Klosi. Nga ana tjetër, edhe Policia e kryeqytetit përjashton regjistrimin e ngjarjes si vetëvrasje e mbetur në tentativë. Të njëjtat burime u shprehën se për aq kohë sa familjarët e tij nuk pretendojnë për tentativë vetëvrasjeje, Policia nuk mund të nisë hetim në lidhje me ngjarjen. Madje edhe dy ditë para ndërrimit të viteve, Komisariati Nr.1 është vënë në dijeni nga urgjenca e QSUT, se është paraqitur për mjekim Ardian Klosi, pasi kishte konsumuar një sasi ilaçesh antidepresive. Por edhe në këtë rast familjarët e tij nuk kanë pasur pretendime dhe ngjarja nuk është regjistruar në Polici.
HELMIMI
Policia e Tiranës është njoftuar mbrëmjen e së shtunës nga urgjenca e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, se publicisti Ardian Klosi ka pësuar helmim nga konsumimi në sasi të madhe i medikamenteve antidepresive dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Duke e konsideruar ngjarjen si një vetëhelmim të mundshëm të 54-vjeçarit, dy oficerë të Komisariatit nr.1 kanë marrë kontakt me familjarët e Klosit, të cilët ndodheshin tek Spitali Nr.5, ku ishte shtruar për të marrë mjekim i afërmi i tyre. Por gjatë bisedës me Policinë, bashkëshortja e tij, Jutta Benzenberg dhe të afërm të tjerë kanë hedhur poshtë tentativën për t’u helmuar, duke e cilësuar ngjarjen thjesht si një përkeqësim të shëndetit të tij, nga përdorimi i tepërt i qetësuesve. Gjendja e Ardian Klosit mbrëmjen e së shtunës paraqitej mjaft serioze dhe në rrezik për jetën, por dje shëndeti i tij është përmirësuar dhe vazhdon të jetë nën kujdesin e mjekëve në Psikiatri.

“Publicisti ka nisur të komunikojë normalisht”
Klosi në Psikiatri, mjekët: Ligji i shëndetit mendor s’na lejon të flasim
TIRANE – Dy ditë pas shtrimit në Spitalin Psikiatrik tek QSUT, gjendja shëndetësore e publicistit Ardian Klosi është përmirësuar ndjeshëm dhe e ka kaluar rrezikun për jetën. Klosi është dërguar në spital nga familjarët për të marrë ndihmën mjekësore dhe shkak, sipas burimeve mjaft të rezervuara nga spitali, ka qenë një dozë e madhe ilaçesh antidepresive, që i ka konsumuar njëherësh. Sipas të njëjtave burimeve, Klosi ka pasur simptomat e një helmimi, madje fillimisht gjendja e tij shëndetësore ka qenë mjaft e rëndë, duke rrezikuar edhe jetën. Por të kontaktuar mbrëmë nga gazeta, mjekët e Spitalit Nr.5, ku Klosi ndodhet ende i shtruar, treguan se tashmë ai ka nisur të komunikojë dhe gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm. Mjekët nuk dhanë asnjë detaj më shumë në lidhje me diagnozën, apo për afatin e përcaktuar që ai duhet të qëndrojë në i shtruar në spital, për shkak se informacionet në raste kaq delikate, sipas tyre janë rreptësisht të ndaluara, qoftë edhe për të afërm të tij. Ata konfirmuan vetëm faktin që përkeqësimi i shëndetit të tij, dy ditë më parë, ka ardhur nga konsumimi i tepruar i antidepresivëve pa komentuar asgjë në lidhje me sëmundjen e tij, apo diagnozën e përcaktuar nga stafi mjekësor që është kujdesur për të.

Familja e Klosit “ikën” nga banesa, prej dy ditësh nuk ka njeri
TIRANE – Në vilën e Ardian Klosit, që ndodhet në Sauk, pranë Liqenit të Thatë në Tiranë, prej dy ditësh nuk ndodhet asnjë pjesëtar i familjes. Aty banojnë bashkëshortja dhe dy vajzat, 18 dhe 16-vjeçare të publicistit të njohur, por dje gjatë gjithë ditës ato nuk ndodheshin aty. Ne tentuam mbrëmë që të kontaktonim me ndonjë prej familjarëve të tij më të afërt, por përveç të lehurave të dy qenve që ndodheshin brenda avllisë së shtëpisë, nuk dëgjohej asnjë zhurmë tjetër. Në citofon nuk përgjigjej askush. Përveç dritave që ndriçojnë oborrin e banesës, nga dritaret duket që brenda është errësirë dhe nuk ka asnjë njeri brenda. Mungesën e familjarëve të Ardian Klosit në shtëpinë e tij e kanë konstatuar edhe forcat e Policisë, të cilat kanë shkuar mbrëmjen e së shtunës për të kontaktuar me ndonjë të afërm të tij dhe për të gjetur ndonjë provë të mundshme që do të shpjegonte depresionin e tij. Burime nga Policia thanë dje se menjëherë pasi janë njoftuar nga spitali për helmimin me antidepresiv të publicistit të njohur, kanë nxituar të shkojnë në shtëpinë e tij, për të zbuluar ndonjë të dhënë më shumë në lidhje me përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore. Por Policia ka arritur të kontaktojë vetëm me një person që ishte punësuar si roje, i vilës së Klosit dhe disa banesave të tjera, i cili ka deklaruar për forcat e rendit se aty nuk ndodhet më askush. Roja është pyetur nga forcat e Policisë në rast se ka ndonjë dijeni rreth ngjarjes, por pa arritur të zbulojë asnjë të dhënë të rëndësishme. Ai ka konfirmuar vetëm faktin që mbrëmjen e së shtunës të afërm të tij e kanë nisur urgjent drejt spitalit me makinën e tyre dhe nuk janë kthyer më në shtëpi.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura