
Për prindërit e 11-vjeçares Adesa Xhangoli, vajza e vetme e tyre humbi jetën për neglizhencë të mjekëve të pediatrisë së Durrësit.Adriana e Kosta Xhangoli kanë vendosur të denoncojnë bluzat e bardha, duke i cilësuar fajtorë për vdekjen e papritur të foshnjës mbrëmjen e së mërkurës. Dyshimet paraprake lidhen me vdekje për shkak të prekjes së sistemit nervor nga temperatura e lartë, çka pritet të konfirmohet nga grupi hetimor. Një ditë më parë, pasi kanë varrosur fëmijën, burrë e grua kanë shkuar tek policia dhe në prani të një oficeri të policisë gjyqësore kanë deponuar gjithçka kanë ditur lidhur me vdekjen e papritur të fëmijës. Adesa ishte vajza e tyre e vetme, pas dy djemve 5 dhe 3 vjeç. Familja Xhangoli ishte shpërngulur nga Gramshi për të vazhduar jetën në zonën e Spitallës në Durrës, ku dhe gëzuan vetëm 11 muaj vajzën e tyre. Nëna e të miturës është e bindur se fajin ia kanë mjekët, duke vënë gishtin tek doktoresha e urgjencës që ia ktheu vajzën për mjekim në shtëpi, edhe pse gjendja ishte tejet e rëndë.
Keni mundësi ta rikujtoni kur kërkuat ndihmë mjekësore dhe çfarë ju kanë thënë mjekët në pediatrinë e Durrësit?
Ka qenë paradite e së mërkurës koha kur, pasi hyra në dhomë, pashë se vajza ishte e zbehur. E mora në dorë dhe në çast nisi të villte. Kuptova se kishte temperaturë. Njoftova bashkëshortin, por koha nuk priste. Kunati qëlloi në shtëpi dhe me ndihmën e një mjeti e dërguam vajzën në spital. Tek urgjenca e pediatrisë ishte një mjeke, së cilës nuk ia mësova emrin, por e njoh. Meqenëse vajza rënkonte rrugës dhe qe zverdhur e bërë dyllë, unë u futa me nxitim në dhomën e mjekes që po vizitonte një fëmijë tjetër. Gratë e burrat që prisnin radhën më panë të shqetësuar tej mase dhe nuk më thanë të prisja radhën. E kisha humbur, pasi po më lëshonin këmbët. Mjekja sapo më pa, u përpoq të më tregonte se ka radhë, por në çastin që e lëshova fëmijën në shtrat të vizitës e kuptoi se bëhej fjalë për një gjendje jo të mirë të fëmijës. Mjekja në vend që të vizitonte vajzën, filloi të më kërkonte librezën e vizitës tek mjeku i lagjes, si dhe të më këshillonte se nuk shkohet drejt e në urgjencë pa kaluar konsultën me mjekun e lagjes. Në gjendje të mpirë i thashë mjekes se do ia plotësoj çfarë kërkonte, por të më shpëtonte fëmijën. I tregova se kishte bark, të vjella e temperaturë. I kërkova t’i bënim analizat, por ma ktheu me të egër duke më qortuar që po i ndërhyja në punët e saj. Më dha në dorë një recetë për të marrë ilaçet në farmaci, pasi spitali nuk i kishte dhe në këtë kohë fëmijës i është bërë serum. Me të mbaruar serumi, më tha ta marr e ta dërgoj fëmijën në shtëpi, duke më bërë të ditur se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.
Si ishte gjendja e vajzës gjatë këtyre orëve?

Unë isha e bindur se fëmija nuk kishte marrë mjekimin e duhur. Vajza rënkonte, temperatura nuk i qe ulur dhe serumi nuk i pushoi barkun. Mënyra se si u soll mjekja me mua e fëmijën, më shtynë që të prisja duke shpresuar se gjendja do të përmirësohej. Rreth orës 17:00, fëmija nisi të jepte shenja shumë të këqija. Nuk reagonte më, edhe pse e thërrisnim. Syri i djathtë iu mbyll dhe nuk e hapte më. U tmerruam.
Vendosët ta çonit sërish në pediatri?
E morëm ashtu si ishte dhe e dërguam prapë në spital. Fatkeqësia kishte rënë mbi ne dhe këtë e ndieja, po nuk doja ta besoja. Mjekja dhe disa infermiere ma morën fëmijën nga dora. Kërkuan që unë të dal jashtë, por nuk i dëgjova. Njoftuan edhe mjekët e tjerë dhe në sallë erdhën me të nxitur disa mjekë e infermiere. Më premtuan se do të bënin të pamundurën, por më bënë të ditur se fare pak shpresë u kishte mbetur. Dhanë e morën dhe pas pak bënë gati makinën dhe e nisëm Adesën për në Spitalin Ushtarak së bashku me një kartelë. Me ne ishte edhe një mjek. Në autoambulancë vajza ra në gjendje kome. E kuptova pasi mjeku kërkonte që drejtuesi i autoambulancës të bënte të pamundurën për të nxituar, ndërsa nga telefonatat që bëri me të tjerë kërkonte këshilla për të shtyrë deri në spital ushtarak jetën e fëmijës. Në Spitalin Ushtarak, sapo u futëm në portë, ka dalë një ekip mjekësh e infermierësh. E morën fëmijën, por pas pak na thërritën dhe na treguan se Adesa nuk jeton më.
Ju keni bërë denoncim për mjeken, me çfarë argumenti?
Vajza ime vdiq vetëm për shkak të pakujdesisë së mjekes. Këtë nuk ma heq asgjë nga mendja, pasi e kam bindje të mbështetur në fakte. Mjekja i bëri serum dhe, sapo e përfundoi, ma dha për të çuar në shtëpi, edhe pse fëmija nuk ishte qetësuar. Nuk iu ul temperatura, nuk i pushoi barku e as të vjellat. Që në fillim mjekja më tha se nuk ka asgjë fëmija, duke më pohuar se në ditë të tilla me temperaturë të lartë këto janë simptoma të njohura dhe ikin pa ndonjë problem. Mjekja në vend që të merrej me fëmijën, kërkonte letrat dhe më mësonte mua se si duhet të flas e të sillem me mjeken. Iu luta ta mbante fëmijën derisa unë të rregulloja letrat që kërkonte, por me shumë mospërfillje më nxori nga dhoma e vizitave. “Nuk të pres ty, kam edhe fëmijë të tjerë këtu”, më tha mjekja. Unë shkova në spital e papërgatitur. Kunati ishte jashtë dhe po më priste. Ai i bleu ilaçet me lekët e tij dhe nuk e mora dot guximin t’i kërkoja ndonjë lek për t’ia lënë mjekes.
Po thoni që nuk ka bërë detyrën e saj sepse nuk i dhatë para?
Në kohën që unë desha apo nuk desha e mora vajzën dhe hapa derën, dëgjova mjeken të bërtasë “Shikoje, shikoje, sa të paturp që janë!”, vetëm pse unë nuk i dhashë lekë. Trajtimi i pakujdesshëm e mospërfillës, si dhe sjella e padenjë e mjekes më kanë shtyrë të mos tërhiqem në hapat për të denoncuar vdekjen e vajzës. Në polici unë kam treguar një për një gjithçka ka ndodhur. Tani presim drejtësinë. Jemi të gatshëm të ballafaqohemi me mjeken e infermieret. Ata e trajtuan keq fëmijën dhe janë shkaktarët e vetëm të vdekjes së Adesës.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











