Demokracia në një sprovë jetike

Aug 16, 2014 | 12:11
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

PREÇ ZOGAJ

               Paketa e ligjeve që u miratuan me goditje të përqendruar në seancën e fundit të sesionit parlamentar të datës 31 korrik po përplaset këto ditë me skalionin e parë të institucioneve të pavarura – me atë të Presidentit të Republikës – në një betejë që ka trokitur si një sprovë jetike për forcën dhe qëndrueshmërinë e demokracisë në vend. “Ligji jam unë” apo Kushtetuta? Shpikjet allashqiptare apo standardet euroamerikane? Oligarkia Rama-Meta apo demokracia? Këto janë diadat, kjo është përplasja. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, është pozicionuar qartë duke kthyer dje për rishqyrtim në Kuvend tri prej ligjeve në fjalë, që bashkë më një tjetër të kthyer pak ditë më parë, bëhen katër. Relacionet që shoqërojnë dekretet për kthimin e këtyre ligjeve janë publikuar. Kushdo mund t’i lexojë dhe të krijojë vetë një mendim për argumentet e natyrës kushtetuese, ligjore dhe deri logjike mbi të cilat i ka mbështetur Presidenti vendimet e tij. Çarjet logjike janë me shumicë në ligjet e hartuara me nxitimin dhe frymëzimin partizan të qeverisë. Ato nuk i bëjnë përshtypje dhe “nuk e ndalin” zotin Rama. Por shkeljet kushtetuese flagrante, që synojnë në thelbin e tyre të krijojnë një si “shtet të qeverisë” brenda shtetit ligjor që kemi, nuk mund të kalojnë pa u thyer shteti ligjor dhe pa u bërë Shqipëria antidemokratike. I vetëdijshëm ndoshta për ketë, Kryeministri ka reaguar dje me fraza retorike, pa i përmendur fare argumentet e Presidentit, vetëm kundër kthimit të ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, duke heshtur për tri ligjet e tjera. Por jemi vetëm në fillimin e përplasjes. Sipas së përditshmes “Panorama”, Presidenti po përgatit dekretet për kthimin në Kuvend edhe të dy akteve të tjera të seancës së 31 korrikut: Ndarjen e re territoriale dhe marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë çeke “ÇEZ”, që konsiston në rimarrjen dhe rishtetëzimin nga Shqipëria të 76 për qind të aksioneve të kësaj kompanie kundrejt shumës 95 milionë euro që do t’u paguhet çekëve nga taksapaguesit shqiptarë.

Pa përjashtuar të rejat që mund të sjellë Presidenti në relacionin e tij për kthimin e ndarjes territoriale, ka ndërkaq argumente që janë në dritë të diellit dhe nuk do të mund t’i anashkalonte as vetë Kryeministri Edi Rama po të mbante postin e Presidentit të Republikës. Argumenti numër një është ai që lidhet me zbatimin e nenit 108 të Kushtetutës, nen i cili sanksionin të drejtën e qytetarëve për të dhënë mendimin e tyre për çdo ndryshim të kufijve aktualë të bashkive e komunave ku jetojnë. Me këtë nen Kushtetuta e ka vendosur ndarjen territoriale në një rang me vetë zgjedhjet përsa i përket protagonizmit qytetar. Ashtu si zgjedhjet nuk mund të bëhen pa votën e drejtpërdrejtë të qytetarëve, edhe kufijtë e njësive të qeverisjes vendore nuk mund të ndryshohen pa marrë mendimin e tyre. Nuk ka një çështje tjetër në Kushtetutë që të jetë ekskluzivitet i qytetarëve, i shprehur me dispozitë të veçantë. Kjo jo rastësisht. Njihet oreksi gjenuin që ka pushteti qendror për të kafshuar vendorin. Sidomos në vendet me demokraci të reja ku qendrori ka vështirësi të pranojë autonominë vendore. Ndaj në nenin 108 Kushtetuta ka veshur me pushtet qytetarin duke e bërë gardianin e vetëqeverisjes vendore. Si është zbatuar ky nen dhe nene të tjera të Kushtetutës që atakohen nga ndarja e re? A janë pyetur dhe në ç’mënyrë janë pyetur qytetarët? Nëse janë pyetur në një formë të caktuar disa syresh, siç pretendon qeveria, pse nuk janë pyetur të tjerët, pse janë injoruar shumica dërmuese e tyre? Kush mund t’i dalë zot këtij diskriminimi masiv dhe të pastër që i ka trajtuar qytetarët shqiptarë ca si të nënës dhe shumicën si të njerkës? Në fund të fundit, çfarë letrash e provash ka qeveria për të treguar se ka marrë mendimin e qytetarëve për hartën e saj? Kryetari i shtetit ka kërkuar patjetër informacion për këtë element të drejtpërdrejtë të kushtetutshmërisë së hartës. Nëse nuk ka marrë informacion, aq më keq për qeverinë. Nëse ka marrë, por informacioni nuk e ka bindur se qytetarët janë pyetur, kthimi i aktit për rishqyrtim në Kuvend, shoqëruar me transparencën dhe sugjerimet përkatëse, është një akt i domosdoshëm.

Presidenti i Republikës nuk mund të bëjë asnjë koncesion në lidhje me kushtetutshmërinë e ligjeve dhe akteve të Kuvendit. Edhe po të jenë votuar nga 140 deputetë. Ca më pak mund ta bëjë ketë për ndarjen territoriale dhe ligjet e tjera në shqyrtim që janë votuar nga një shumicë e sforcuar dhe e sajuar që nuk ka dalë nga vota e lirë politike e shqiptarëve (shumica Rama-Meta nuk kanë fituar 84 deputetë), por nga spostimet, kombinacionet dhe pazaret e ulëta pas zgjedhjeve. Deputetët me përvojë të shumicës e dinë shumë mirë se çfarë ligjesh janë këto që kthehen. Asnjërit prej tyre nuk i ka hije të impenjohet në lojëra fjalësh për të vulgalizuar një çështje kaq serioze. Këtu nuk është fjala për të kthyer ligje dhe akte që pasqyrojë programin, shqetësimet, synimet dhe zgjidhjet e qeverisë brenda kornizës së Kushtetutës. Ka gjithnjë debate dhe përplasje mes palëve politike për taksat, për borxhin, për rendin, për investimet, për dëmshpërblimet, për pensionet, për legalizimet, për shëndetësinë, për arsimin e tjerë, e tjerë. Shumica i vulos me votë zgjidhjet e saj. Opozita regjistron kundërshtimin. Presidenti i Republikës as është inkurajuar, as ka kthyer me sa kujtoj unë ligje dhe akte të kësaj natyre, edhe pse politikisht mund të mos ketë qenë në një mendje me shumicën që i ka votuar. Janë kthyer e po kthehen ligje dhe akte që çekulibrojnë ekuilibrat e pushteteve dhe prekin shtyllat e sistemit demokratik të sanksionuar në ligjin themeltar të shtetit; ligje dhe akte që nuk u janë shtruar asnjëherë për votim zgjedhësve shqiptarë në formën që u ka dhënë shumica qeveritare; ligje dhe akte që atakojnë standardet perëndimore të pranuara edhe nga Shqipëria.

SHBA, BE, OSBE kërkuan njëzëri shtyrjen e ndryshimeve në ligjin e KLD-së dhe marrjen paraprake të opinionit të Komisionit të Venecias, që është komisioni i standardeve europiane për legjislacionin demokratik. Fjala “shtyrje” ishte një eufemizëm për t’i dhënë kohë Edi Ramës të numërojë disa herë deri në njëqind, siç e kishte zakon Cezari, për të mos bërë një veprim të nxituar. Pra “shtyrja” kishte kuptimin e konsultimit me ata që dinë me shumë dhe anulimit paskëtaj të këtij ligji antidemokratik, e gjithë kjo në ruajtje të nderit të qeverisë shqiptare që e kishte draftuar. Nëse Rama dhe Meta e bënë veshin të shurdhër ndaj alarmit dhe sugjerimeve miqësore të partnerëve tanë perëndimorë, kjo nuk do të thotë se u shurdhuan të gjitha institucionet në këtë vend. Presidenti ka gjetur shkelje të Kushtetutës në ligjin në fjalë. Zakonisht çdo ligj antidemokratik është njëherësh edhe antikushtetues, duke qenë se Kushtetutën, për fat, e kemi demokratike në shtyllat e saj kryesore. Të njëjtën gjë mund ta themi edhe për ndryshimin në ligjin për Policinë e Shtetit, që ka parashikuar të ngrejë një institucion hetimi që dublon Prokurorinë, edhe për marrëvëshjen me ÇEZ, ku qeveria jonë nuk ia ka lënë drejtësisë ndërkombëtare ta zgjidhë lëmshin e borxheve të ndërsjella, por ka futur dorën në xhepin e çdo shqiptari dhe këtë e quan kompromis!

Edhe pse Presidenti nuk ka të drejtën e vetos, mosfirmosja dhe kthimi për rishqyrtim i ligjeve të lartpërmendura është një akt më vlerë dhe rëndësi të madhe për zhvillimet demokratike në vend. Kthimi është një thirrje e re drejtuar arsyes dhe bonsensit, një mundësi e re për konsultime të reja, reflektime dhe korrigjime që shkojnë në linjën e përputhjes në frymë dhe në germë të këtyre ligjeve me Kushtetutën e vendit. Qëndrimet konstante paragjykuese të Ramës dhe përfaqësuesve të tjerë të shumicës ndaj institucionit të Presidentit nuk lënë shpresë se ata do të ndalen qoftë edhe një çast te argumentet e zotit Nishani, por do të vijojnë avazin “ai të bëjë të veten, ne bëjmë tonën”. Shembullin e dha dje vetë zoti Kryeministër në reagimin e tij. Dekretet e Presidentit mund të rrëzohen. Por kjo nuk do të thotë ende se “ligjet” në fjalë fituan. Ata do përballen me pengesën e radhës, me Gjykatën Kushtetuese, ku sipas bindjes sime, do të thyejnë hundët, siç ka ndodhur me aktin normativ për nëpunësin civil, me vendimin për prishjen e ndërtimeve me leje dhe me plot akte të tjera antikushtetuese të qeverisë. Realisht rruga është gjithnjë në ngjitje për ligjet antidemokratike të Ramës.

Po si është e mundur që ai ngulmon në rrugën e paligjshmërisë? A mos vallë Rilindja e tij është në armiqësi organike me sistemin demokratik? A mos vallë premtimet e tij shëlbyese për “t’i dhënë fund rrënimit” duhet të shkelin mbi ligjet në fuqi për t’u bërë realitet dhe rrugë tjetër nuk ka? A mos vallë nuk mund të bëhet Shqipëria sipas kuptimit që ka shumica Rama-Meta pa u rënë ndesh Kushtetutës dhe demokracisë? Përgjigjja e menjëhershme, e prerë, thjesht si një e bëjnë dy është: Zgjidhjet antidemokratike janë gjithnjë e keqja më e madhe, asnjëherë e keqja më e vogël dhe kurrën e kurrës e mira e publikut. Megjithatë, ia vlen të vizitohen arsyet e Ramës dhe skuadrës së tij kur i propozojnë vendit pa u skuqur fare, në emër të rilindjes, akte dhe zgjidhje që sfidojnë rendin kushtetues. Për arsye se mjaft gjëra nuk kanë shkuar mirë ose kanë shkuar keq në vendin tonë përgjatë viteve, Kryeministri Edi Rama ka qenë i mirëpritur nga një pjesë e madhe e publikut të jepte disa “zgjidhje me shpatë”, që do të frenonin, kufizonin e çrrënjosnin dora-dorës informalitetin dhe kriminalitetin, që janë dy nga sëmundjet endemike më të tmerrshme të demokracisë sonë. Rilindja si propozim dhe slogan politik ka marrë jetë në këtë kantier mendor të luftës dhe zhbërjes. Rreziku që përmbante kjo qasje e duhishme ka qenë, sipas mendimit liberal, një lloj puritanizmi me nuanca jakobine jashtë kohës, por që Rama do të mund ta evitonte duke qëndruar brenda Kushtetutës me nismat e tij. Liberalët duhet të nënqeshin sot me frikën e tyre diskrete. Me të ardhur në pushtet, nismat dhe reformat e mëdha të Ramës katandisen në akte të hakmarrjes meskine ndaj kundërshtarëve politikë. Informaliteti dhe kriminaliteti që kishte premtuar të nxirrte në gjyqin e historisë kanë marrë në qeverisjen e tij një status që nuk e kanë gëzuar kurrë më parë, diplomat false kanë timonin në një numër shumë të madh postesh në gjithë piramidën e Ekzekutivit. Hipokrizia e rrëzoi Rilindjen përpara se ta rrëzonte dështimi. Sot, gjithkush që ka një minimum njohurish për shoqërinë e hapur, e kupton se shumica Rama- Meta përpiqen t’i çojnë përpara nismat e tyre duke shkelur Kushtetutën jo se kanë hallin të shpëtojnë drejtësinë apo pushtetin vendor, por thjesht sepse duan t’i kapin ato, t’i kenë në duart e tyre. A do t’ia arrijnë? Unë them jo. Demokracia ka krijuar mjetet e veta të vetëmbrojtjes që nuk mund të thyhen derisa të ekzistojë hapja. Presidenti, Gjykata Kushtetuese, referendumet popullore janë një trinitet i qëndrueshmërisë së demokracisë përballë arbitraritet dhe antiligjit të çdo natyre. Nuk shtrohet çështja për të ruajtur status quo-në e gjërave që shkojnë keq. Askush në Shqipëri, as opozita, nuk është kundër reformës administrative territoriale, kundër reformës në Drejtësi e tjerë, e tjerë. Por çdo reformë duhet të respektojë kuadrin kushtetues. Zgjidhjet me shpatë duhet të jenë ligjore dhe demokratike. Antidemokracia, edhe kur niset nga arsyet shtetërore, e bën gjendjen shumë më keq se sa është. Qeveria duhet t’i përshtatet demokracisë, dhe jo demokracia qeverisë. Këto janë vetëm disa nga aksiomat e ligjvënies në shoqërinë e lirë. Që nuk mund të shkelen.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura