Dibër, vrasja e arkëtarit të Reçit, shpallet i pafajshëm i akuzuari

Feb 7, 2013 | 13:59

DIBER – Prokuroria kërkon burg të përjetshëm për të akuzuarin për vrasje të dyfishtë, Gjykata e Dibrës e nxjerr të pafajshëm. Lavdërim Luca, i dyshuar për vrasjen e arkëtarit të komunës Reç në vitin 1996 dhe shoferit të mjetit. Organi i akuzës pretendon se u ka paraqitur gjyqtarëve të Burrelit, R. Karaj, kryesues dhe anëtarëve A. Koleci të gjitha provat e mjaftueshme që Lavdërim Luca të dënohej me burgim të përjetshëm për vrasjen e shtetasve Asllan Meçe e Rasim Elezi, ngjarje kjo e ndodhur para 17 vitesh ne aksin rrugor Peshkopi-Reç. Kjo ngjarje është hetuar e shqyrtuar disa herë, madje gjyqtarë e prokurorë të Dibrës ishin konsumuar me të, pasi ata i kishin nxjerrë të pafajshëm Lavdërim Lucën e bashkëpunëtorin e tij, Hektor Nikolli. Por apelimi i vendimit nga Prokuroria Dibër bëri që çështja të nisë nga e para. “U kryen përgjime ambientale, u siguruan dëshmi të shumta, dëshmitarë okularë në vendin e ngjarës panë në foto autorët e krimit të rëndë dhe i identifikuan ato”, sqaruan burime pranë Prokurorisë Dibër. Dëshmitarët e ngjarjes kanë provuar se Lavdërim Luca ka qenë njëri nga autorët që ka sulmuar me armë shoferin e linjës Peshkopi-Reç dhe ka vrarë si drejtuesin e mjetit, ashtu dhe arkëtarin e komunës Reç. Organi i akuzës kërkoi gjatë seancës së fundit që Lavdërim Luca të dënohej me burgim të përjetshëm për veprën penale të vjedhjes me pasojë vdekjen e dy personave dhe Hektor Nikollin (person që rezulton i shpallur në kërkim) me 25 vjet heqje lirie. Gjyqtari M. Lleshi ka dalë pakicë në vendimin e dhënë, duke deklaruar se prokuroria kishte të drejtë në pretencën e saj. Ndërkohë R. Karaj e A. Koleci kanë vendosur që Luca të shpallet i pafajshëm. Pas vendimit, organi i akuzës ka animuar vendimin. Madje, zyrtarë të organit të akuzës thanë se kanë informuar kryeprokurorin Llalla për procesin. Luca është ekstraduar nga Italia shtatorin e vitit të kaluar pikërisht për veprën penale të vjedhjes me pasojë vdekjen e dy personave.

© Panorama.al

Te lidhura