
Në 100-vjetorin e Pavarësisë nuk mund të mungojnë edhe monedhat me portretin e plakut të urtë, Ismail Qemali. Banka e Shqipërisë ka emetuar tri monedha të tilla, për qëllime numizmatike, të cilat u ekspozuan dje në ekspozitën e hapur në Muzeun Historik Kombëtar: “100 vjet Pavarësi: Pasqyrimi i historisë në monedhën tonë kombëtare”. Ekspozita u hap nga guvernatori i Bankës, Ardian Fullani, ndërsa ishin të pranishëm studiues, historianë, filatelistë etj. E pranishme edhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ekspozite, u ndal në veçanti tek monedha e re, ku është gdhendur Deklarata e Pavarësisë. Pasi e ka lexuar, ajo e quajti atë “certifikatën e lindjes” së shtetit shqiptar. Ashtu siç e tregon edhe vetë titulli i kësaj ekspozite treditore, në të janë prezantuar për publikun të gjitha prerjet e monedhës shqiptare në këto 100 vjet shtet. Çdo ndryshim që ka kaluar shoqëria shqiptare e ka reflektuar edhe në monedhën e vet, duke e bërë atë pjesë të historisë. Në këtë ekspozitë u paraqitën monedha e kartëmonedha, që datojnë qysh në periudhën e qeverisjes së Ismail Qemalit deri në ditët tona. Janë shtypur mbi to koka heronjsh, mbretërish, rilindësish, deri te simbolet e socrealizmit, si fshatarë me duaj gruri në krahë, me kazma e lopata, partizanë me pushkë në krahë, minatorë, traktorë, e deri në ditët tona me portretet e heroit kombëtar, Skënderbeut, Ismail Qemalit, Pjetër Bogdanit, apo monumente kulture etj.
[portfolio_slideshow]
Prerjet përkujtimore
Gjatë kësaj ekspozite u prezantua edhe seria e monedhave përk-ujtimore me tematikë “100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”, që Banka e Shqipërisë ka emetuar me këtë rast. Seria përbëhet prej tri monedhash:
Monedhë ari 200 lekë, në pamjen kryesore të së cilës është vendosur shqiponja dykrenore e flamurit, dhe nën të është shkruar vlera emërore 200 lekë. Në pamjen e pasme është vendosur portreti i Ismail Qemalit, ndërsa poshtë portretit është shkruar emri i tij. Një tjetër monedhë është ajo prej argjendi 100 lekë. Në pamjen kryesore të monedhës është vendosur shqiponja dykrenore e flamurit, ndërsa në pjesën e pasme monedha ndahet në dy rrathë. Në pjesën qendrore të saj ka të vendosur Aktin e Pavarësisë. Në rrethin e dytë shkruhet “Shqipëri-Albania 2012” dhe “Akti i Shpalljes së Pavarësisë”. Monedha e tretë është me metal të thjeshtë dhe me vlerën 50 lekë. Në pamjen kryesore të monedhës është vendosur sërish shqiponja dykrenore, ndërsa në pjesën e pasme zë vend skulptura simbolike me dy duar të bashkuara fort me njëra-tjetrën. Gjithashtu, në kuadër të këtij përvjetori, është shtypur dhe medalioni i Bankës së Shqipërisë “100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë”. Medalioni paraqet një stilizim të shqiponjës dykrenore, në krahët e së cilës valëvitet flamuri shqiptar që mban të shkruar vitet 1912-2012.
Kjo është ekspozita e gjashtë që Banka e Shqipërisë organizon në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Ekspozita e parë u zhvillua në qytetin e Beratit, për të vijuar më pas në qytetin e Gjirokastrës, Korçës, Elbasanit e Shkodrës. Ekspozita e fundit do të zhvillohet në qytetin e flamurit në Vlorë, në muajin nëntor.











