ALEKSANDER KOCANI
Në një kuptim më të përgjithshëm do të duhej të pyesnim: teori, apo zbatim praktik të njohurive? Kjo sepse në thelb edukata qytetare përbën një nga zbatimet në praktikë të njohurive filozofike dhe më konkretisht, të formësimit teorik qytetar që jep filozofia. Këtë pyetje, si dhe pothuaj çdo pyetjeje tjetër filozofike, e kanë shtruar dhe u kanë dhënë përgjigje fillimisht filozofët e antikitetit grek e më tej filozofët që erdhën më vonë. Për ta as që bëhej fjalë të zgjidhej midis teorisë dhe praktikës (praksisit), por si të hulumtohej thellë dhe të harmonizohej raporti midis tyre. Pra, qëndrimi logjik i tyre ndaj këtij raporti nuk jepet skematikisht me formulën përjashtuese “ose…, ose…”, por me formulën gjithëpërfshirëse “edhe…, edhe…”.
E zbatuar ndaj problemit të shtruar, do të thotë që, në veçanti, edukata qytetare nuk mund ta zëvendësojë filozofinë as në funksionin e saj të formësimit teorik të qytetarit të ardhshëm, ndonëse mësimdhënia e saj në nivelin parauniversitar është e dobishme dhe përforcon punën formuese që bën filozofia. Prandaj heqja e lëndës së Filozofisë dhe kalimi i saj në lëndët me zgjedhje (edhe me synimin që po duket për ta hequr fare) nga shkollat e mesme flet sa për mosnjohjen e dobisë së mësimdhënies së saj, aq edhe për mendësinë e lartpërmendur të zëvendësimit të saj prej Edukatës qytetare.
Nëse dikush do të pyeste përse konkretisht lënda e Edukatës qytetare nuk mund të zëvendësojë atë të Filozofisë në nivelin e shkollimit në fjalë, do të mund të jepej edhe një përgjigje si vijon. Formësimi teorik i qytetarit nënkupton, në radhë të parë, që tek individi të krijohet hapësira e lirisë së brendshme. Nuk ka qytetar nëse individi nuk e percepton veten brendësisht si qenie të lirë. Që do të thotë që ai të mos jetë i manipulueshëm (ose, më saktë, të manipulohet sa më pak që të jetë e mundur!) nga aktorë të tjerë socialë, por të bëjë zgjedhjen e vet sa herë që do t’i duhet që të marrë një vendim. Por këtë i duhet që të “farkëtojë” te vetja sa qëndrimin kritik ndaj thënieve, qëndrimeve etj. të të tjerëve, aq edhe një qëndrim vetëkritik ndaj ideve, vlerave, pozicionimeve e veprimeve të veta. Lypset që ky individ, në përballjen çfarëdo me “tjetrin”, të mos njohë tjetër autoritet veç argumentit dhe, në emër të tij e të vlerave shpirtërore, të mos u “përulet” autoriteteve tradicionale (patriarkale, shkollore, shtetërore etj.), por të shfaqë një shpirt e qëndrim dinjitoz antikonformist. Një qëndrim të tillë autonom dhe antikonformist e demonstron ai individ që përvetëson idenë filozofike se askush nuk ka monopolin e së vërtetës, se të gjithë ne jemi, më e shumta, në kërkim të saj: mund t’i afrohemi, por nuk e zotërojmë atë! E ky përvetësim nuk bëhet dot pa studiuar thelbin e kontributit që kanë dhënë në mendim ndër shekuj filozofët e ndryshëm. Lypset, pra, që ky kontribut në vija të përgjithshme dhe në mënyrë të thjeshtë e të kapshme nga nxënësit të parashtrohet në formën e lëndës së Filozofisë në nivelin parauniversitar të shkollimit.
Në vija të përgjithshme, këto janë disa argumente në të mirë të pohimit se lënda e Edukatës qytetare nuk mund të kryejë funksionin e formësimit teorik të qytetarit të ardhshëm që kryen, në fakt, mësimdhënia e lëndës së Filozofisë në shkollën e mesme. Atyre do të mund t’u shtoheshin argumentet që jepen kur kërkohet të mbështetet ideja se praktika apo ndonjë rast i veçantë i zbatimeve praktike (siç është lënda e Edukatës qytetare ndaj asaj të Filozofisë), nuk mund të zëvendësojnë teorinë. Me që këto argumente janë dhënë disi në artikullin tim me titull “Gjuhë, apo letërsi?” (si dhe në artikullin “Një veprim i domosdoshëm, por i vonuar”, i botuar në janar të vitit 2003 në gazetën “Shekulli”), nuk po ndalem këtu për to.
Për lexuesin e shkolluar do të doja të tërhiqja vëmendjen në atë që, ecja me këmbëngulje në rrugën e zëvendësimit të formësimit teorik, filozofik të qytetarëve të ardhshëm në nivelin e shkollimit të mesëm me dhënien e njohurive të një rasti të veçantë të zbatimit praktik të tij (pra me mësimdhënien e edukatës qytetare), duam apo s’duam ne, i heq hapësirës së kulturimit të përgjithshëm në nivelin e shkollimit të mesëm dimensionin e formësimit të qytetarit të ardhshëm. Pasojat e një katrahure të tillë mund të merren lehtësisht me mend!
Nëse ndokush do të kuptojë më shumë për këtë problem, do t’i rekomandoja të lexojë librin e filozofit shqiptar Hysamedin Ferraj me titull “E pafilozofuara”. Në të autori, midis të tjerave, argumenton se kombi ynë historikisht ka pasur një qasje refuzuese ndaj teorisë në përgjithësi dhe filozofisë në veçanti. Mjafton të kujtojmë qoftë edhe faktin se nga fqinjët (grekët dhe romakët e lashtë) jemi të vetmit që nuk dhamë asnjë kontribut, sado modest, në zhvillimin e mendimit filozofik! Me sa duket, përpjekja për të reduktuar apo hequr Filozofinë nga mësimdhënia në shkollën e mesme është në vazhdën e kësaj qasjeje historike armiqësore ndaj mendimit filozofik.











