
Autobiografia e Mbretit, shkruar nga ambasadori Bernstein.
Në rrëfimin 30-faqësh shkruar në anglisht trajtohen çështje delikate historike, nën këndvështrimin e mbretit Zog.
“Si na e morën jugosllavët Manastirin e Shën Naumit”
Vendimi i Fuqive të Mëdha për manastirin dhe mësymja jugosllave.
E shiti apo nuk e shiti Mbreti Zog vendin tek italianët, apo jugosllavët. Kjo është një çështje që ngre kokë vazhdimisht, madje edhe së fundmi në “duele” politikanësh. Historianët e kanë thënë dhe rithënë fjalën e tyre në sisteme të ndryshme politike, shumëkush ka krijuar bindjen e vet për këtë çështje. Por edhe vetë Mbreti Zog e ka lënë një dëshmi personale në lidhje me këtë pyetje. Është përkthyesi dhe albanologu Robert Elsie, i cili përmes faqes së tij online ofron një autobiografi të shkurtër të Mbretit të Shqiptarëve. Kjo autobiografi, në të vërtetë nuk është shkruar nga vetë Zogu, por nga ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, në vitet ’30, Herman Bernstein. Një dokument, i gjetur në arkivat e YIVO Institute for Jewish Research, në New York. Duke iu përgjigjur pyetjeve të Bernstein, Ahmet Zogu flet për veten, familjen e tij, formimin, angazhimin politik dhe disa çështje të nxehta në historinë shqiptare, siç është revolucioni i qershorit, i udhëhequr nga Fan Noli, dhënia e Shën Naumit, prishja me jugosllavët dhe afrimi me italianët. a.m
Revolucioni i Fan Nolit

Pakica opozitare ishte dëshpëruar për shkak të fitores së plotë në votime të fraksionit të Zogut. Të gjitha llojet e komploteve ishin thurur në përpjekje për të siguruar kontrollin e vendit, sepse u kuptua se ata do të humbnin sërish në zgjedhje. Atëherë, mjeti më i mirë për të realizuar ambiciet e tyre do të ishte shfarosja e liderit, vrasja e Zogut.
Një i ri gjysmak, Beqir Valteri, nga Mati, u bind të kryente këtë plan. Atij iu tha se do të konsiderohej si një hero i madh kombëtar, se emri i tij do të hynte në histori si shpëtimtar i vendit të tij. Më 23 shkurt 1924, ndërsa Zogu po hynte në sallën e Kuvendit, Beqir Valteri nxitoi dhe qëlloi dy herë mbi të. Zogu, i goditur në dorë dhe në ijë, eci drejt hollit. Të alarmuar deputetët, shihnin syshqyer, ndërsa ai me qetësi u ul në një karrige në tryezën e Sekretarit. Kryetari, i frikësuar, tashmë e kishte lënë tribunën dhe të gjithë ishin në kufijtë e panikut. Trupi i Zogut ishte larë në gjak, por ai u ngrit dhe filloi të fliste. “Gjëra të tilla ndodhin shpesh – ne nuk mund të themi se kur apo ku- prandaj le ta marrim çështjen me qetësi”, u tha ai atyre.
Në këtë mënyrë, ai i qetësoi deputetët. Pastaj u dërgua në shtëpinë e tij, ku iu hoqën plumbat dhe mori shërbimin mjekësor. Shumë shpejt ai ishte në këmbë përsëri, nuk kishte asgjë me rrezik për jetën e tij.
Sulmi, megjithatë, inkurajoi anëtarët e opozitës, të cilët kërkuan pozicione ministrash. Në mënyrë që të shmangte rrezikun ndaj interesave të vendit të tij, gjatë periudhës së konvaleshencës, Zogu dha dorëheqjen si Kryeministër. Kriza ministrore që pasoi zgjati për gjashtë javë. Formimi i një qeverie më në fund iu ngarkua Shefqet Vërlacit.
Kabineti i Vërlacit ishte disi i improvizuar dhe nuk e kënaqi fare opozitën. U krijuan organizatat “Dora e zezë” dhe “Dora e kuqe” dhe anarkia filloi të kërcënojë vendin sërish.
Pikërisht gjatë periudhave të tilla si këto, kur njerëzit hakmerren ndaj atyre që i konsiderojnë si armiqtë e tyre. Më 20 prill 1924, Avni Rustemi, një politikan shumë popullor, u vra nga revolucionarët.
Ky akt dhune ishte organizuar nga opozita si një mjet për t’i treguar popullit forcën e tyre të rrejshme. Pas ceremonisë së varrimit, trupi u dërgua në Vlorë, ku rebelët ishin në gjendje të mashtronin ushtrinë dhe ta përdornin atë si një mjet për qëllimet e tyre.

Lëvizjet ushtarake në Shkodër, Përmet dhe në Kosovë kishin filluar tashmë dhe ishin duke fituar forcë. Qeveria e Tiranës kishte një forcë të rekrutuar ligjërisht, e cila ishte mjaftueshëm e madhe për të sjellë përsëri në vend paqen që kishte njohur më parë, por ajo ishte mbajtur në Tiranë. Zogu kishte njoftuar qeverinë se ishte mjaft e mundur për të rivendosur rendin në vend për dhjetë ditë, pa derdhur asnjë pikë gjaku; ai do të kishte marshuar në Shkodër dhe në Kosovë, dhe pasi t’i kishte çarmatosur këto krahina, do të kthehej më Tiranë, duke i dhënë fund rebelimit. Por, qeveria e Vërlacit donte që të miratonte një qëndrim pajtues ndaj rebelëve, dhe i dha komandën e Ushtrisë një tjetri.
Shumë shpejt, kabineti i Vërlacit ra dhe ajo e Vrionit e pasoi. Ai gjithashtu nuk bëri asgjë, por dërgoi komitete te rebelët. Këto komitete u dërguan pa ndonjë udhëzim të caktuar, dhe humbën kaq shumë kohë duke u konsultuar, saqë kur më në fund qeveria vendosi të çojë ushtarët kundër rebelëve, ata zbuluan se forcat kundërshtare kishin pushtuar kudo pozitat strategjike. Në Jug, sidomos, ata morën çdo qytet dhe më 10 qershor 1924 hynë në Tiranë nën udhëheqësin e tyre, Fan Noli. Atë ditë, Zogu u largua nga kryeqyteti drejt kufirit jugosllav.
Kthimi i Zogut
Triumfi i revolucionarëve e kishte mbytur vendin në një det të pashembullt anarkie. Askund nuk ndihej autoriteti i qeverisë. Me të shpejtë po përhapej bindja e përgjithshme se qeveria e Fan Nolit nuk do të zgjaste shumë. Ky besim forcohej edhe më shumë prej faktit se Fan Noli nuk e thirri Asamblenë Kushtetuese apo të zhvillonte zgjedhjet.
Situata tashmë ishte bërë shumë kritike. Shqipëria ishte bërë e njohur jo vetëm si vendi i anarkisë dhe i trazirave, por edhe si qendër e bolshevizmit. Që përtej kufirit, Zogu shihte situatën e trishtueshme të vendit të tij dhe vendosi ta provojë edhe një herë ta shpëtonte nga kaosi. Duke mbledhur trupat e tij, ai marshoi përmes Dibrës, Kosovës dhe Shkodrës dhe pas betejës në Peshkopi, në dhjetor të vitit 1924, ai, në mënyrë triumfuese, hyn në Tiranë. Fan Noli dhe qeveria e tij u largua pa asnjë rezistencë në drejtim të Vlorës e që andej përtej detit.
Pas mbërritjes së Zogut në Tiranë, të gjitha qytetet e Shqipërisë, të lodhura nga çrregullimet e revolucionit, në mënyrë telegrafike shprehën bindjen dhe njohjen e plotë të qeverisë së tij. Nuk pati probleme, beteja apo përleshje, dhe forcat e mbledhura nga qeveria revolucionare në mënyrë paqësore u kthyen në shtëpitë e tyre.
Zogu atëherë urdhëroi zyrtarët e ndryshëm për të “marrë masa të shpejta për sigurimin e vërtetë të rendit dhe të drejtimit nga ligji”, dhe kështu u bë.

Derisa Asambleja të ishte përsëri e gatshme për t’u mbledhur në Tiranë, Zogu mbajti rendin dhe qetësinë në vend, duke formuar një qeveri të përkohshme. Më 15 janar 1925, pas një ndërprerjeje të detyruar prej shtatë muajsh, Asambleja hapi seancat e tij, dhe si përfaqësues i vullnetit të popullit vendosi mbi fatin e vendit.
Dhe në ditën e parë që filloi seancat, kabinetit të Zogut iu dha një votëbesim unanim. Një javë më vonë, Kuvendi pranoi sistemin republikan si një formë përfundimtare e qeverisjes.
Një komitet u caktua për të përgatitur një draft Kushtetute, i cili u miratua nga Kuvendi më 31 janar 1925. Pas votimit të neneve që lidheshin me Presidencën e Republikës, Kuvendi, në liri të plotë, me vetëm dy vota kundër, zgjodhi Zogun President për një periudhë shtatëvjeçare. Ai i falënderoi ata për nderin e madh që i bënin: “Unë ju siguroj se asnjë ambicie nuk mund të më ndalojë mua që t’i shërbej interesit të përgjithshëm …”
Shtetet e huaja ishin vënë në dijeni për këtë zgjedhje, dhe të gjitha vendet që nuk e kishin njohur regjimin revolucionar të Fan Nolit, menjëherë e njohën qeverinë e re parlamentare. Njëra pas tjetrës u shfaqën përfaqësitë diplomatike dhe i dërguan Zogut letrat kredenciale prej qeverive të tyre. Shqipëria më në fund ishte njohur si anëtare e familjes së kombeve të qytetëruara.
Gjashtë muaj më vonë, kur të gjitha departamentet e ndryshme të qeverisë ishin duke ecur mbarë, Zogu ftoi në Tiranë udhëheqësit e fiseve malësore. Prej tyre ai siguroi besën shqiptare, një garanci e besnikërisë dhe bindjes ndaj ligjeve të vendit, një premtim i paqes dhe qetësisë.
Përveç besës, ai urdhëroi çarmatimin e menjëhershëm të njerëzve, të cilët vazhdonin sipas zakonit të mbanin armë. Kështu që, pasi ishte qetësuar Jugu, nisi çarmatosja në mes të fiseve malësore të Veriut luftarak. Kjo u konkludua me sukses, sepse populli ishte i lodhur, duke qenë gjithnjë dyshues dhe në ruajtje, dhe ata e kuptuan se në vendet paqësore, në shtetet e qytetëruara, mbajtja e armëve nuk ishte më e domosdoshme. Prandaj ata i dhanë armët e tyre me kënaqësi.
Ndërkaq, një proces i modernizimit të vendit nisi gjithashtu. Nisi ndërtimi i një rrjeti rrugor, duke lidhur edhe fshatrat më të paarritshëm me qytetet më të mëdha. Ligjet, gjithashtu, ishin modernizuar. Kodet civile, penale dhe tregtare u hartuan. U organizua një Xhandarmëri dhe një Ushtri e vogël, por e lëvizshme. Kështu, gurët e themelit të një kombi të fortë, të lumtur, të pavarur shqiptar ishin vendosur.
Ndarja me Jugosllavinë
Lartë, në kodrat pranë Pogradecit, me pamje nga Liqeni i Ohrit, është një manastir historik ortodoks, i quajtur Shën Naum. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës i kishte njohur Shqipërisë të drejtat mbi territorin në të cilin ajo ndodhej. Konferenca e Ambasadorëve në Paris e miratoi atë. Por, qeveria jugosllave kishte pushtuar vendin dhe refuzonte të largohej. Konferenca e Ambasadorëve vendosi që kjo çështje të zgjidhej mes dy qeverive dhe deklaroi se, në qoftë se ato nuk do të mbërrinin në një marrëveshje, Komisioni i Kufijve do të vinte të caktonte kufijtë shqiptaro-jugosllavë. Atëherë Parlamenti vendosi të shkëmbejë këtë territor me disa pjesë të tjera toke.
Për heqjen dorë nga Manastiri i Shën Naumit, atëherë, qeveria shqiptare mori fshatin e Peshkopisë, luginën e Çëravës, Kishën e Ujit të Shenjtë dhe kodrat strategjike të Shën Naumit, me nr. 961, 965, 807, 862, së bashku me postën e patrullës kufitare jugosllave. Kështu territoret e fituara kishin një sipërfaqe prej rreth njëzet e dy kilometrash katrorë. Përveç kësaj, u siguruan kullotat e Libovicës, dy shtëpi të fshatit Grence, rruga e Lumbrajës, së bashku me postën turke të patrullës, Kodrën e Vogël dhe liqenin, fundin e Velopojës dhe të gjitha majat e maleve, dhe kufiri u shty më tej edhe njëzet e pesë milje.
Ky shkëmbim territoresh nuk i vinte për shtat qeverisë jugosllave, e cila vazhdonte të besonte se regjimi i Zogut, ashtu si ai i Esad Pashës, ishte i pafuqishëm dhe servil i jugosllavëve.
Kjo bindje e gabuar arriti pikën e thyerjes, kur qeveria jugosllave menjëherë kërkoi dorëzimin e refugjatëve politikë bullgarë dhe jugosllavë, të cilët sipas së drejtës ndërkombëtare, nuk ishin domosdoshmërisht të ekstradueshëm. Shqiptarët refuzuan kategorikisht, dhe Jugosllavia mbeti shumë e pakënaqur. Në mënyrë që të tregonin se sa lehtë mund të rrëzohej regjimi i Zogut, forca civile ishin mobilizuar pranë kufirit dhe hynë në territorin shqiptar, duke provokuar kryengritjen e Dukagjinit. Udhëhequr nga disa oficerë të arratisur dhe ndjekësit e tyre, kjo kryengritje shpërtheu në pjesën më veriore të vendit, në nëntor të vitit 1926, duke u zgjeruar gati deri në Shkodër. Ajo u shtyp lehtë, megjithatë, ishte shkaku kryesor që çoi në ndarjen e Zogut me Jugosllavinë.
Leksioni i kryengritjes së Dukagjinit i mësoi atij se Shqipëria nuk ishte ende mjaft e fortë për të qëndruar vetëm në mes të një rrethi kombesh të huaja, të pangopura dhe koprracë. Prandaj, edhe pse revolta u shtyp, kësaj here ishte e nevojshme të sigurohej se nuk do të kishte trazira të mëtejshme nxitur nga fuqitë e huaja. Për këtë arsye, Zogu vlerësoi të përshtatshme të arrinte një traktat miqësie me një shtet tjetër, për t’i dhënë fund një politike të rrezikshme izolimi. Ai hyri në negociata me qeverinë italiane, dhe më 27 nëntor 1926, një Traktat Miqësie për një periudhë 5-vjeçare u lidh në Tiranë.
Përveç kësaj, ai e konsideronte të nevojshme të lidhte një aleancë mbrojtëse me Italinë, duke ruajtur në të njëjtën kohë të drejtën e sovranitetit kombëtar, duke garantuar edhe një herë pavarësinë dhe integritetin territorial të Shqipërisë.
Mbi këto baza themelore dhe me të drejtat e detyrimet dypalëshe, më 22 nëntor 1927, u nënshkrua në Tiranë “Traktati i aleancës mbrojtëse” midis Shqipërisë dhe Italisë. Ky traktat u bë shpejt një faktor i rëndësishëm në stabilizimin politik të Shqipërisë dhe i dha kohë popullit shqiptar për t’i treguar botës se ata janë në gjendje të organizojnë një shtet modern. Ditën e nënshkrimit të traktatit, nisi një kurs i ri në jetën e shqiptarëve. Ishte një stad që do të karakterizohej nga hapa të mëdhenj përpara në fushat ekonomike, financiare, administrative dhe kulturore.
© Panorama.alAutobiografia në vetë të tretë
Ahmet Zogu (1895-1961), i cili mbretëroi mbi Shqipërinë nga viti 1928 deri në 1939, nuk na ka lënë ndonjë dokument të shkuar, në formën e kujtimeve. I arsimuar në Stamboll, njohës shumë i mirë i disa gjuhëve të huaja, thuhet se ai nuk ishte shumë i zoti të shkruante shqip. Ndonjë prej njerëzve që i kishte ndenjur pranë, e konsideronte atë të pakulturë. Ndër të paktat gjëra që janë mbetur të shkruara nga Zogu është edhe një dokument 30-faqësh, në formën e një autobiografie. Ajo është shkruar në anglisht, në vitin 1933 nga Herman Bernstein (1876-1935), ambasadori amerikan në Tiranë, i cili e quan këtë “Historia e jetës së sundimtarit shqiptar, treguar nga vetë ai në vetën e tretë”. Sipas përkthyesit dhe albanologut Robert Elsie, historia, ashtu si edhe mund të pritet është lajkatuese, dhe nuk është një punë e një përpikërie të lartë historike. Megjithatë, është një këndvështrim se si Mbreti Zog e shihte veten, historinë dhe zhvillimin e vendit të tij. Kjo histori i është treguar ish-ambasadorit amerikan në Shqipëri, Herman Bernstein, si përgjigje të një numri pyetjesh që ky i fundit i drejtonte ushtarakut, liderit revolucionar, ish-ministrit të Brendshëm, ish-kryeministrit dhe në fund Mbretit, të një prej vendeve më të “nxehta” në rajonin e Ballkanit.











