Autostrada Tiranë-Elbasan do të hapet në fund të pranverës 2013. Këtë e ka rikonfirmuar edhe një herë kreu i Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi. Gjatë një inspektimi ditën e djeshme për të parë nga afër punimet në këtë projekt, Olldashi u përqendrua te shifrat e volumit të punës që, sipas tij, do të çojnë në respektimin e afatit të paracaktuar për përfundim. Sipas të dhënave, çdo ditë janë 650 m3 beton, 36 mijë m3 gërmime dhe 38 mijë m3 mbushje. “Është një volum pune i jashtëzakonshëm që po ecën me një ritëm shumë të mirë. Unë jam shumë i kënaqur me atë që pashë në kantier dhe me faktin që mobilizimi është total, respektimi i kalendarit të punimeve është mjaft i mirë, gjë që na mban optimist për të arritur objektivin që ne kemi, që kjo rrugë të jetë e hapur për trafikun në fundin e pranverës të vitit që vjen”, tha Olldashi. Ai theksoi se aktualisht kompanitë që punojnë në këtë aks, “Copri” dhe “Actor”, kanë prekur mbi 90 për qind të trasesë së rrugës. Lidhur me veprat inxhinierike, një pjesë e mirë e tyre janë në ndërtim dhe nëse i referohemi ndarjes me segmente, në të parin po punohet për urën mbi Erzen dhe në segmentin e dytë punohet në 4 ura të tjera, nga 5 që janë në total. Duke u ndalur më tej në shifra të tjera, nga ana e Mistrisë së Transporteve bëhet me dije se lidhur me veprat e vogla të artit, janë kryer deri tani 16 për qind e tombinove të vogla, 40 për qind e tombinove të mëdha dhe 32 për qind e nënkalimeve. Qeveria synon që Tiranë-Elbasan të hapet në fund të pranverës së 2013–s, e cila është fiks periudha më kulminante para zgjedhjeve të ardhshme elektorale.
© Panorama.alAutostrada
. 90 për qind e trasesë së rrugës e prekur nga punimet. 1 urë në segmentin e parë në ndërtim
. 4 nga 5 ura të segmentit të dytë në ndërtim
. 32 për qind e nënkalimeve është ndërtuar











