Kryeministri Berisha vizitoi dje Ambasadën Amerikane në Tiranë, për të shprehur ngushëllimet për ngjarjen tragjike të shkaktuar nga sulmi i ndodhur mbi Ambasadën e SHBA në Bengazi të Libisë, si pasojë e të cilit humbën jetën ambasadori i SHBA, Kristofer Stivens dhe tre punonjës të Ambasadës. Kreu i qeverisë shqiptare u prit nga ambasadori Amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, të cilit i shprehu ngushëllimet më të sinqerta si dhe keqardhjen e thellë për humbjen e rëndë të jetëve njerëzore në këtë akt barbar, terrorist. Kryeministri tha se kjo ishte një ngjarje tronditëse për Amerikën, por edhe për shqiptarët dhe miqtë e saj kudo në botë. Berisha shprehu besimin se këta terroristë do të marrin dënimin e merituar. Nga ana e tij, ambasadori Arvizu shprehu mirënjohjen për mesazhet e shumta të solidaritetit të marra nga autoritetet shtetërore dhe qytetarët shqiptarë.











