
Përgjatë tri ditëve (20, 21 dhe 22 shtator), qendra kulturore “Tirana Ekspres” do të presë festivalin “Ballkani përtej kufijve”, me temën “Talk to me”. Ky festival ka për qëllim të inkurajojë kineastët e rinj që të shprehen mbi çështje e problematika që u takojnë rajoneve nga ata vijnë, duke ngritur kështu ura mes popujve të ndryshëm të Ballkanit. Pas Beogradit dhe Athinës, Balkans Beyond Borders Film Festival vjen edhe në Tiranë, në edicionin e tij të tretë, nën organizimin e qendrës së artit bashkëkohor “Tirana Art Lab” dhe “Balkans Beyond Borders”. Këtë vit tema e madhe e festivalit është shumëgjuhësia, komunikimi në të gjitha format e tij. Sipas organizatorëve, Ballkani shquhet për traditat, kulturën, shumëgjuhësinë dhe pikërisht ky diversitet është një vlerë e shtuar dhe një mundësi për të shkëmbyer eksperienca mes popujve. Ky edicion i tretë mbledh së bashku 30 filma me metrazh të shkurtër nga Shqipëria, Bullgaria, Bosnje Hercegovina, Kroacia, Greqia, Mali i Zi, Kosova, Sllovenia, Turqia, Rumania, Serbia, Moldavia, Belgjika dhe Italia. Të gjithë filmat e përzgjedhur në këtë edicion janë krijuar nga kineastë të rinj, deri në 30 vjeç, kryesisht nga Ballkani dhe Europa Juglindore. Juria që do të ndajë çmimin e filmit më të mirë, përbëhet nga regjisori Joni Shanaj, kineasti grek Yorgos Zois dhe gazetari nga Kosova, Idro Seferi. Gjatë ditëve të festivalit do të shfaqet edhe një seksion filmash të shkurtër gjermanë, të cilët nuk janë pjesë e konkurrimit. Këtij aktiviteti, i cili u drejtohet kryesisht artistëve të rinj, nuk do t’i mungojë as muzika. D.J MINIMIM, grupi folk-rrok “KANUN” dhe Ilir Kryekurti e banda e tij do të shoqërojnë tri ditët e festivalit.











