Milan në krizë totale, Reali “përmbys” Sitin

Sep 19, 2012 | 12:44

Real Madrid - Man.Siti 3-2

Kuqezinjtë s’dinë të fitojnë as ndaj belgëve, PSG-ja shkatërron D.Kiev.

Anglezët, dy herë në avantazh, por ndëshkohen në fund.

Milan nuk fiton as në Champions, Mançester Siti i dhuron fitoren Realit, ndërsa PSG-ja e Ibrahimoviçit shkatërron Dinamon e Kievit. Mbrëmja e parë e Champions League për ndeshjet në grupe dhuroi emocione dhe zhgënjime pa fund. Nëse në Madrid tifozët e Realit ishin me dorë në zemër deri në minutën e 90-të kur Ronaldo shënoi golin e fitores, në Milano, kuqezinjtë nuk e shuan as në këtë përballje stresin, edhe pse kundërshtar ishte një skuadër, teorikisht shumë herë më modeste si Anderlehti. Milani, edhe pse prodhon shumë lojë, nuk ka forcën e duhur goditëse dhe për më tepër nuk ka fantazi në organizimin e sulmeve. As Ambrozini dhe as Boateng nuk bëjnë dot jo vetëm Pirlon (i larguar te Juventus) po as Sedorfin (i larguar te Botafogo). Kështu, pas këtij barazimi pa gola, pankina e Alegrit është në fije të perit. Një tjetër rezultat negativ këtë fundjavë në kampionat (qoftë edhe barazim) ndaj Udinezes do të sillte largimin e menjëhershëm të teknikut, edhe pse duhet thënë se merkatoja (si afrimet, edhe largimet) është bërë vetëm nga drejtuesit e klubit (kryesisht Galiani). Sakaq, spektakël në Madrid, ku edhe Mourinjo vuajti për minuta të tëra. Në fakt, Mançester Siti kaloi dy herë në avantazh, por jo vetëm që u barazua, por në harkun e vetëm tri minutave pësoi edhe golin e tretë, i cili në një farë mënyre i dha një tjetër frymëmarrje Mourinjos (ky i fundit ka qenë nën një stuhi kritikash për shkak të rezultateve shumë të dobëta). Ndërkohë në ndeshjet e tjera ra në sy fitorja e Paris SG të Karlo Ançelotit ndaj Dinamos së Kievit. Francezët kaluan në avantazh me Ibrahimoviç për të vazhduar më pas serinë e golave me Tiago Silvën, Aleks dhe Pastore. Fitore të rëndësishme në këtë grup sigloi edhe Porto në fushën e kroatëve të Dinamos së Zagrebit. Ndërsa Borusia e Dosrtumdit fitoi me shumë vështirësi në fushën e vet ndaj Ajaksit të Amsterdamit. Duhet thënë se kampionët e Gjermanisë humbën edhe një penallti para se Levandovski të shënonte golin e vetëm të sfidës. Për t’u nënvizuar, është edhe fitorja e Shalkes në fushën e grekëve të Olimpiakosit.

Champions League
Grupi A/ Mbrëmë

Dinamo Zagreb-Porto    0-2
L.Gonzales 41′, Defour 90+1′
Paris SG-Dinamo Kiev    4-1
Ibrahimoviç 19′ (p), T.Silva 30′, Aleks 32′, Pastore 90’/ Veloso 87′
Grupi B/ Mbrëmë
Montpelie-Arsenal    1-2
Belhanda 9′ (p)/ Podolski 16′, Zhervinjo 18′
Olimpiakos-Shalke    1-2
Abdoun 58’/ Hovendes 41′, Huntelar 59′
Grupi C/ Mbrëmë
AC Milan-Anderleht    0-0
Malaga-Zenit Petersburg    3-0
Isko 3′, 76′, Saviola 13′
Grupi D/ Mbrëmë
Borusia Dortmund-Ajaks    1-0
Levandovski 87′
Real Madrid-Man.Siti    3-2
Marcelo 76′, Benzema 87′, Ronaldo 90’/ Dzeko 69′, Kolarov 85′
Grupi E/ Sonte
Çelsi-Juventus    20:45
Shakhtar-Nordsjaeland    20:45
Grupi F/ Sonte
Bajern Mynih-Valencia    20:45
Lilë-BATE Borisov    20:45
Grupi G/ Sonte
Barcelona-Spartak Moskë    20:45
Sëlltik-Benfika    20:45
Grupi H/ Sonte
Braga-CFR Kluzh    20:45
Mançester J.-Galatasaraj    20:45

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura