Deputetët e gjyqtarët, pa imunitet. Vrasja e gjyqtarit, Berisha: U akuzua Topi

Sep 19, 2012 | 10:20
Dje gjate votimit unanim per heqjen e imunitetit ne Parlament

Rrëzohet paketa kushtetuese e PS me 63 vota kundër, abstenojnë deputetët e LSI.

PD e PS ndryshojnë Kushtetutën me 130 vota pro në Kuvend.

Parlamenti miratoi dje me konsensus kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, deputetëve dhe gjyqtarëve me anë të ndryshimeve kushtetuese. Pas një debati disavjeçar, demokratët dhe socialistët bashkuan dje votat për draftin e miratuar me dakordësi nga relatorët Pandeli Majko dhe Edi Paloka, duke grumbulluar plot 130 vota në seancë. Gjatë votimit nga Grupi Parlamentar i PS-së nuk ka votuar deputeti Arben Isaraj, i cili  është larguar para fillimit të votimit për kufizimin e imunitetit. Kufizimi i imunitetit është kaluar dhe pa votën e Kryeministrit Sali Berisha, i cili nuk ishte i pranishëm gjatë votimit. Gjithashtu nga radhët e shumicës munguan dhe ministrat Genc Pollo, Myqerem Tafaj, Majlinda Bregu dhe Spiro Ksera.
Paketa e PS
Ndërkohë që socialistët provuan me votë vendimin e tyre pro kufizimit të imunitetit, demokratët siç kishin deklaruar, hodhën poshtë paketën e ndryshimeve kushtetuese të së majtës. Paketa e propozimeve të opozitës u rrëzua me 63 vota kundër, 60 pro dhe 6 vota abstenim. Maxhoranca arriti numrin më të ulët të votave gjatë votimit për shkak të mungesave në radhët e saj, ndërkohë që aleatët e saj nuk iu përgjigjën thirrjes për të votuar kundër ndryshimeve kushtetuese të PS-së. Lëvizja Socialiste për Integrim ka votuar në bllok ndryshe nga maxhoranca, duke mos bashkuar votat me aleatët e saj të shumicës parlamentare. Kryetari i LSI-së Ilir Meta, nënkryetari i Kuvendit Nasim Naço, kreu i Grupit Parlamentar i LSI-së Lefter Koka dhe ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo, abstenuan gjatë votimit të paketës së opozitës. Ndërsa dy votat e deputetëve të larguar nga grupet, Gazmend Oketa dhe Kastriot Islami, e çuan në 6 numrin e abstenuesve. Edhe për paketën e opozitës nga radhët e saj ka munguar vota e deputetit Arben Isaraj, i cili është larguar nga salla e Kuvendit gjatë votimit.
Diskutimi
Para nisjes së votimit të kufizimit të imunitetit, Kryeministri Sali Berisha falënderoi PS-në që ndryshoi qëndrim për të dhënë votën pro kufizimit të imunitetit dhe duke u mundësuar demokratëve të mos i drejtohej referendumit. Berisha tha se edhe pse nuk kishte dashur referendumin, do ta konkretizonte atë me çdo mjet. “Dua t’ju falënderoj për një moment, jo pse ju po votoni, por se dua të jem i hapur dhe i sinqertë; nga të gjitha proceset demokratike, njëri është më i vështiri për mua dhe ky është referendumi”, u shpreh Berisha. Ndërkohë që gjatë replikës Gramoz Ruçi deklaroi se imunitetin opozita e jep për qytetarët dhe se, po të ishte për Kryeministrin, nuk do e jepte për 100 vjet.

Tabela elektronike e votimit unanim per heqjen e imunitetit

Votimi ne Parlament
1. Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417”, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.  Kufizimi i imunitetit.
Pro: 130 vota
Kundër: 0
Nuk votoi: Arben Isaraj
2. Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417”, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Paketa e amendimeve të PS-së, për votimet me 3/5-at.
Pro; 60
Kundër: 63
Abstenim: Ilir Meta, Lefter Koka, Vangjel Tavo, Nasip Naço, Kastriot Islami, Gazmend Oketa

Debatet në Parlament
Sali Berisha: Dua t’ju falënderoj për një moment, jo pse ju po votoni, por se dua të jem i hapur dhe i sinqertë; nga të gjitha proceset demokratike, njëri është më i vështiri për mua dhe ky është referendumi. Ju jap fjalën që do shkoja kundër dëshirës sime, sepse ai që e humbet një herë referendumin, e ka shumë të vështirë që të kalojë për herë të dytë në atë shteg, por për këtë çështje madhore unë kisha vendosur të shkoja drejt referendumit, sepse e konsideroja një çështje madhore jashtë tagrit tonë dhe kisha besim të madh se qytetarët shqiptarë do ta votonin, sikundër kisha vendosur se do të pranoja çdo lloj verdikti të tyre, por nga ana tjetër kishim bërë detyrën që na përkiste.
Gramoz Ruçi: Për imunitetin s’them asnjë fjalë, se partia e ka thënë me votë, në Komisionin e Ligjeve dhe Këshillin e Legjislacionit. Dhe imunitetin nuk ta japim ty Kryeministër, se të ishte për ty, nuk ta jepnim për 100 vjet. Por e japim për veten tonë, për qytetarët shqiptarë, e japim se s’kemi pse të bëhemi pishman dhe të kemi frikë.
Eduard Halimi: Ekspertët tuaj ju thanë që në Shqipëri politika nuk është aq e pjekur sa të përdorë parimin e luajalitetit, sepse pakica do të bllokojë shumicën. Modeli i zgjedhjes me shumicë të thjeshtë është pozitiv,- tha Komisioni i Venecias,- shmang bllokimet e institucioneve dhe se parimi i rrotacionit dhe mandateve të kufizuara garanton ekuilibra kushtetues të pushteteve.
Fatmir Xhafaj: Po ju bëjmë një sfidë publike. Kushtetuta parashikon zhvillimin e referendumeve kushtetuese për amendamentet kushtetuese. Ju jeni shprehur për referendumin. Është rasti të tregoni se sa besoni në këtë vlerë. Për ta bërë këtë, duhen 2/3-at e Kuvendit.
Pandeli Majko: Refuzimi i PD-së për kompromis tregon se po shkohet drejt një shteti njëpartiak, nën kontrollin e Kryeministrit aktual. Filmi me metrazh të shkurtër për emërimet në Drejtësi do të jetë brenda një qarku njerëzish partiakë të besuar.
Sajmir Tahiri: Zoti kryetar i seancës, është pak e sikletshme që në një seancë të tillë ku do diskutohen ndryshimet në Kushtetutë, deputetë nga maxhoranca nuk janë as sa gishtat e njërës dorë, ndërkohë një gjysmë ministri (Eduard Halimi) nga qeveria.
Ermonela Felaj: Thonë se qëkur zgjodhi Presidentin Saliu, edhe vulën ia mban në xhep, i frikur se mos dhe ky merr udhën e qoftëlargut. Kudo shef armiq, deri dhe ata që një ditë i gjuajtën me miell, dhe ata të tillë do i shpallë. Flamurin e ka gati t’i arrestojë, prokurorin t’i akuzojë dhe gjyqtarin t’i dënojë.
Jozefina Topalli: Model i mishërimit të drejtësisë së pavarur jeni ju zonja prokurore, aq e pavarur jeni, sa sot jeni në grupin e një partie politike, në Grupin e PS-së.

Volfarth: “Tani të dënohen të korruptuarit”
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Volfarth, përshëndeti dje vendimin për heqjen e imunitetit duke thënë se të gjithë zyrtarët duhet t’i nënshtrohen Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës. “Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi heqin një pengesë të madhe në hetimin e rasteve të dyshuara për korrupsion. Tani është në dorën e autoriteteve shqiptare të krijojnë një bilanc bindës vendimesh dhe dënimesh ose gjobash të forta dhe të përshtatshme në të gjitha rastet e korrupsionit”, tha ambasadori. “Ftoj për debate dhe konsultime të plota e gjithëpërfshirëse, me të gjitha palët e interesuara, në fusha të tjera të rëndësishme, që prekin zemrën e reformës në Drejtësi dhe pavarësinë e Gjyqësorit”, u shpreh Volfarth.

Fyle: Mbaroni reformat, gati t’ju japim statusin
Presidenti Bujar Nishani u takua dje me komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle, ky tema kryesore ishte ajo e marrjes së statusit të vendit kandidat. Në njoftimin e Presidencës thuhet se “Komisioneri Fyle, pasi vlerësoi në detaje situatën e tanishme sa i përket realizimit të reformave, garantoi Presidentin Nishani për gatishmërinë e Komisionit Europian për t’i ofruar Shqipërisë statusin e vendit kandidat, por kërkoi që të përfundohen reformat e kërkuara për realizimin e masës kritike me fokus në mënyrë të veçantë te reforma parlamentare, ligji për kufizimin e imunitetit dhe garantimi i një sistemi gjyqësor të pavarur, i cili të garantojë më shumë efektivitet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Nga ana e tij, Nishani u shpreh se ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe vullneti politik, institucional dhe qytetar që Shqipëria të përmbushë rekomandimet e mbetura për të fituar statusin e vendit kandidat në BE.

Mesazhi i SHBA: “Miratoni reformën parlamentare”
Miratimi me konsensus i kufizimit të imunitetit në Parlament është përshëndetur dje nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë. Me anë të një njoftimi për mediat, zyrtarët amerikanë inkurajojnë klasën politike që të vijojë punën konsensuale, duke miratuar dhe pikat e mbetura të Komisionit Europian. SHBA këshillon që të miratohet sa më parë ligji “Për Gjykatën e Lartë” dhe Rregullorja e Parlamentit, në mënyrë që të arrihet marrja e statusit të vendit kandidat. “Ambasada e SHBA-ve mirëpret arritjen nga Kuvendi të konsensusit për të miratuar amendamentet kushtetuese lidhur me imunitetet. Kuvendi ka në fuqinë e tij mundësinë për të ndikuar progres-raportin e Komisionit Europian, duke gjetur marrëveshje të mëtejshme lidhur me një masë kritike reformash, përfshirë Rregulloren e Parlamentit si dhe ligjin ‘Për Gjykatën e Lartë’”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-ve.

Sekui
Shefi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadori Etore Sekui, përgëzoi dje klasën politike për miratimin në Kuvend të ligjit që amendon nenet kushtetuese për imunitetin e deputetëve dhe gjykatësve. “Unë i inkurajoj të gjitha forcat politike të përdorin sa më mirë të jetë e mundur kohën e mbetur përpara publikimit të raportit vjetor të Komisionit Europian, që vlerëson përparimin e Shqipërisë”, u shpreh Sekui.

Totozani
Avokati i Popullit, Igli Totozani, përshëndeti dje heqjen e imunitetit. “Avokati i Popullit vlerëson se ky ndryshim i Kushtetutës respekton parimin e barazisë përpara ligjit për të gjithë qytetarët, si dhe përmirëson ndjeshëm përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër korrupsionit. Si një plotësim i detyrimeve në kuadër të integrimit në BE, ky vendim shënon një përpjekje reale për përparim në rrugën europiane të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.

Vrasja e gjyqtarit, Berisha: U akuzua Topi

Kryeministri bën akuza të forta për ish-presidentin dhe ish-nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu.

“Ish-presidenti u përfol se donte të grabiste tokën në bregdet”

Berisha dje në Parlament

Kryeministri Sali Berisha akuzon ish-presidentin Topi dhe ish-nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu, se kanë gisht në vrasjet e bujshme të kohëve të fundit. Në një fjalim të mbajtur në Parlament, kreu i Ekzekutivit u shpreh se Topi është i akuzuari kryesor për vrasjen e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi. “Ka qenë nga gjërat më të dhimbshme atentati terrorist ndaj gjykatësit Konomi, por duhet të ishe i sinqertë. Në publik, në shtyp dhe kudo, i akuzuar kryesor ishte Topi juaj në rrjet. Prapë vazhdoni ju, se prapë e mbrojtët. Nuk kam asnjë fakt, por e vërteta është se ai u përfol si njëri nga njerëzit që kishte dashur të grabiste tokat në atë zonë me lejtnantët e vet. E pati shumë të vështirë kur shkoi në familje”, tha Berisha. Në të njëjtën kohë ai bëri përgjegjëse KLD-në për ngjarjen e Shijakut, ku u vra kryekomisar Adem Tahiraj. “Komisari që u vra, u vra nga një njeri që u lirua nga gjykatësi që ishte thirrur për ta liruar. Dy vëllezërit që u vranë te Ura e Matit, u vranë se ishte liruar nga njeriu që erdhi në KLD. Ju jeni opozitë. Tani theksuat se kemi shumë rrugë për të bërë. Këtë e kam thënë unë. 35 vjet i keni përpara dhe ju garantoj luajalitet të plotë dhe respekt ndaj jush”, u shpreh më tej Kryeministri. Sipas tij, “ju si opozitë duhet të ngriheshit fuqishëm të vendosnit qeverinë me shpatulla pas murit për ta, por ju ndanit trofetë e veprimtarisë së tyre shkatërrimtare, ju ndanit trojet dhe pronat me ta. Kjo është e vërtetë, pasi Topin e reformuan lejet e ndërtimit. Si e reformuat ju atë? Çfarë ndodhi sot në sistemin e Drejtësisë, shkoni dhe flisni me gjykatës. Kam ndjerë dhimbje të madhe kur raportet ndërkombëtare dëshmonin fakte të tilla se “për t’u  transferuar nga Durrësi në Tiranë duhet të paguaje 50 mijë euro””. Lideri i maxhorancës tha se Presidenca e Topit ishte periudha e shpartallimit të sistemit të drejtësisë. Ndërsa për Spahiun ai u shpreh se përdori fondet e KLD-së për Aleancën Kuqezi. Në fund Berisha përmendi edhe rastin e prokurorit Altin Dumani. “A e dini ju se Altin Dumani është një prokuror, se ku punon nuk e di, por fund e krye ishte i majtë, në background ishte i majtë, në qëndrim ishte i majtë, por i ndershëm dhe me integritet. Pse nuk u ngritët ju kur e patë se Altin Dumani penalizoi me qindra zyrtarë të Sali Berishës? Pse nuk u ngritët ju në mbrojtje të tij, kur ndrikulla e korrupsionit për shkak të 500 mijë metrave katrorë në bregdet, pas së cilës qëndronte lukunia, e detyruan të japë dorëheqjen? Nuk ka gjë më të rëndësishme se sa të propozosh dhe të tentosh t’i fuqizosh këto institucione, se loja politike është lojë politike, por shteti do institucione, liritë e qytetarëve duan institucione”.

Ruçi, Berishës: Topin përdore në fushatë
Kryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, replikoi dje për deklaratat e Kryeministrit Sali Berisha, se opozita ka përkrahur Bamir Topin dhe Kreshnik Spahiun. Ruçi theksoi se deklaratat e kreut të qeverisë duhet të bëheshin gjatë fushatës elektorale dhe jo në Parlament, ku po diskutohej paketa e propozimeve të PS-së për amendimet kushtetuese. “Të takon të flasësh si burrë shteti dhe jo të merresh me Topin që iku nga President, ajo është puna jote dhe bëje fushatën elektorale më të kur t’i vijë koha. Këtu fol si burrë shteti, fol për ndryshimet e gurit themelor të shtetit, që janë ndryshimet kushtetuese të Shqipërisë”, theksoi Ruçi.

Spahiu: Berisha më ka kërcënuar me jetë
“Shkarkova gjyqtarët e Delijorgjit”

Kreshnik Spahiu

Kreu i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu, tha dje në emisionin “Pesë pyetje nga Babaramo” në “News24” se është kërcënuar nga Kryeministri Berisha kur ishte nënkryetar i KLD. “Më 9 maj 2008 kishte ndodhur Gërdeci. Kisha pak kohë që kisha marrë detyrën dhe vija me ideale aty. Ndërkohë më 15 mars kishte ndodhur historia tragjike e Gërdecit. U mundova të futem në thellësi të kësaj çështjeje. Konstatova se i akuzuari kryesor, Mihal Delijorgji, kishte fituar pafajësinë një ditë përpara se të nënshkruante me shtetasin Berisha marrëveshjen për ndërtimin e fabrikës. Mora iniciativën për të proceduar këta tre gjyqtarë dhe menjëherë filloi një sulm barbar. Më 8 maj, ish-ambasadori Uidhers del në një konferencë, ku flet për korrupsionin e qeverisë Berisha dhe në mëngjesin e 9 majit, dal e mbështes ish-ambasadorin Uidhers në një konferencë për shtyp. Pas gjysmë ore më bie celulari nga numri fiks i Kryeministrit. Për 20 minuta jam kërcënuar me jetën time, me familjen time, me asgjësimin tim, nga shtetasi Sali Berisha. Si mundesh ti të shkarkosh gjyqtarët e Delijorgjit, si mund të dalësh në krahun e ambasadorit Uidhers. Pas 20 minutash kërcënime, kam tentuar të njoftoj Presidentin e Republikës, por telefoni ishte i zënë për gjysmë ore. Të njëjtat kërcënime ia kishte adresuar edhe Presidentit të Republikës. Presidentit i kishte thënë të ma zhdukësh këtë njeri,” tha Spahiu.

FATION BINJAKU & ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura