
Ndryshimi i sistemeve në Shqipëri e Rumani sipas diplomatit.
Miku: Ramiz Alia braktisi mikun e tij Çaushesku pas revolucionit të ‘89-s.
“Urimi i Nikolai Çausheskut për festën e Pavarësisë dhe reagimi i shtypit pas rënies së tij vetëm pak ditë më vonë”
“Mes Berishës dhe Finos në vitin 1997”
“Fino mu lut t’i drejtohesha popullit me një apel për qetësi”
Me shqetësim dhe entuziazëm janë ndjekur në Shqipëri zhvillimet në fundvitin 1989 në Rumani. S’kishin kaluar vetëm pak ditë, kur për festën e Pavarësisë së Shqipërisë, Nikolai Çaushesku (Nicolae Ceasescu)i kishte dërguar një telegram urimi kreut të shtetit, Ramiz Alia. Gazeta zyrtare “Zëri i Popullit” ndiqte hap pas hapi ngjarjet përmes agjencive të huaja dhe citonte Çausheskun, i cili i cilësonte protestat e punëtorëve si “antikombëtare”. Kur gjithçka kishte marrë fund, vetë Ramiz Alia do të ndërronte qëndrim dhe do t’u çonte një telegram urimi krerëve të rinj rumunë, duke përkrahur zgjedhjen që vetë populli kishte bërë. Era e ndryshimeve ndihej në Shqipëri. Pikërisht këtë situatë e sjell për lexuesin, përmes librit të gazetares Maria Dobresku, “Pesë dekada diplomaci”, ish-ambasadori rumun në Tiranë, George Miku (Gheorghe Micu). Ai tregon për vitet e vështira të ndryshimit të sistemeve në Shqipëri, marrëdhëniet me politikanët shqiptarë, mes të cilëve Sali Berishën dhe ngjarjet e vitit 1997. al.mi
Revolucioni rumun influencoi në mënyrë vendimtare ecjen e Shqipërisë drejt ndryshimeve demokratike
Zoti ambasador, gjatë evenimenteve të dhjetorit 1989 në Rumani ju ndodheshit me mision diplomatik në Shqipëri. Si u vlerësuan dhe si u perceptuan në Shqipëri protestat antiçaushiste dhe antikomuniste, cilat ishin reagimet e udhëheqjes shqiptare?
Me rastin e 45-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë (29 nëntor 1989), presidenti Nicolae Ceasescu dhe kryeministri Konstantin Dëskëlesku i dërguan një telegram urimi presidentit Ramiz Alia dhe kryeministrit Adil Çarçani, përmes së cilës u transmetonin atyre dhe “popullit mik shqiptar përshëndetjet më të ngrohta dhe urimet për suksese të reja në zhvillimin socialist të Shqipërisë, në konsolidimin e pavarësisë dhe sovranitetit të vendit”. Duke shtuar: “Jemi të bindur se marrëdhëniet tradicionale të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Rumanisë dhe Shqipërisë do të njohin zhvillim të mëtejshëm në të mirë të dy popujve tanë, të kauzës së paqes, sigurisë dhe mirëkuptimit në Ballkan, në Europë dhe në të gjithë botën”. Kështu tingëllonte teksti i telegramit i botuar në gazetën “Zëri i Popullit” të datës 2 dhjetor 1989.

Duke filluar nga data 21 dhjetor 1989, mjetet e informimit në Shqipëri filluan të relatonin për evenimentet në Rumani, që po paraprinin revolucionin rumun. Duke iu referuar komenteve dhe lajmeve të transmetuara nga agjencitë e shtypit, “Zëri i Popullit”, i datës 21 dhjetor, relaton se “gjatë ditëve të fundit, në Timishoara janë zhvilluar demonstrata gjatë të cilave ka pasur konfrontime midis demonstruesve nga njëra anë dhe forcave të sigurimit dhe ushtrisë, nga ana tjetër. Lajmet flisnin për të vdekur dhe të plagosur, numri i të cilëve nuk saktësohet”. Sipas disa “informacioneve”, në një fjalim drejtuar vendit përmes televizionit, pas një vizite të kryer në Iran, presidenti i vendit, Nicolae Ceasescu, i vlerësoi këto demonstrata si “antikombëtare, të organizuara nga qarqet imperialiste revanshiste dhe nga shërbime të spiunazhit të huaj. Forcat e sigurimit dhe të ushtrisë u detyruan të hapin zjarr për të mbrojtur qetësinë dhe të mirat publike”. Tregohej gjithashtu se Rumania kufizoi trafikun ndërkufitar me vendet fqinje, si dhe hyrjen në vend të turistëve të huaj dhe grupeve me të huaj. Më pas, e përditshmja e mësipërme, duke rimarrë lajme të transmetuara nga “Agerpres”, informonte se në rrethin Timish u dekretua gjendja e jashtëzakonshme, duke u ndaluar mbledhjet publike, qarkullimi në rrugë i grupeve më të mëdha se pesë persona, si dhe dalja nga shtëpia pas orës 23.00.
Pas largimit nga pushteti të Ceasescut, “Zëri i Popullit”, nën titullin “Ceasescu e larguan nga pushteti”, relatonte se më 23 dhjetor 1989, agjencia sovjetike e lajmeve “TASS”, e cila ishte më aktivja ato ditë, duke u bazuar në informacionet që vinin nga Rumania, bënte të ditur se në disa qytete punëtorët kishin pushtuar fabrikat, duke kërkuar dorëheqjen e drejtorëve. Pas rënies së Çausheskut, shton gazeta, kryeministri dhe gjithë qeveria dhanë dorëheqjen, duke u krijuar në Bukuresht Fronti i Shpëtimit Kombëtar. Nga Bukureshti, shkruante “Zëri i Popullit”, agjencia TASS lajmëronte se shefi i garnizonit të Bukureshtit i kishte adresuar një apel publik ushtrisë që të mbështesin orientimin e ri politik të vendit.
“Zëri i Popullit” i datës 24 dhjetor 1989 informonte gjerësisht, sipas burimeve të agjencive ndërkombëtare të shtypit, mbi evenimentet në Rumani, duke tërhequr vëmendjen, mes të tjerash, se Gorbaçovi kishte shprehur mbështetjen e tij të vendosur ndaj ndryshimeve që po ndodhnin në Rumani, se SHBA kishte përshëndetur largimin e Çausheskut, duke i ofruar ndihmë qeverisë së re nëse do te ecte në rrugën e demokracisë perëndimore. Shtypi lajmëronte gjithashtu se ministri i Jashtëm sovjetik, Shevarnaze, kishte biseduar në Moskë me ambasadorin e SHBA-ve për evenimentet në Rumani. Në lidhje me qëndrimin e autoriteteve shqiptare, dua të theksoj se një komunikatë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, e datës 25 dhjetor1989, saktësonte se “më 25 dhjetor 1989, Ambasada e Rumanisë në Tiranë informoi Ministrinë e Punëve të Jashtme të RPS të Shqipërisë mbi evenimentet në Rumaninë, që çuan në largimin e

Ceasescut dhe të klanit të tij nga pushteti. Nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme iu bë e njohur Ambasadës Rumune se Shqipëria respektonte të drejtën e popullit rumun për të zgjidhur problemet e veta në liri të plotë, në pavarësi dhe sovranitet. MPJ të Shqipërisë i transmetoi Ambasadës Rumune në Tiranë ndjenjat e miqësisë të popullit shqiptar ndaj atij rumun, duke shprehur njëkohësisht dëshirën e qeverisë shqiptare për zhvillimin dhe vazhdimin e marrëdhënieve të mira që ekzistonin mes dy vendeve. Në këtë takim, përfaqësuesi i Ambasadës Rumune në Tiranë bëri, gjithashtu të njohur se personeli i ambasadës ka shprehur mbështetjen ndaj Këshillit të Frontit të Shpëtimit Kombëtar dhe ndaj programit të saj”. Sipas të njëjtës së përditshme, marrim vesh se ky komunikim i Ambasadës Rumune iu transmetua MPJ shqiptare nëpërmjet drejtorit të Protokollit, Kristaq Çifliku nga Gheorghe Micu, këshilltar diplomatik, me aprovimin e ambasadorit Gheorghe Pop, i ndodhur në këtë post ato ditë, i cili e konsideronte misionin e tij të përfunduar. Po atë ditë, agjencia jugosllave e lajmeve “TANJUG” transmetoi informacionin se diplomatët rumunë në Tiranë u solidarizuan me revolucionin rumun, duke qenë ndër diplomatët e parë që iu bashkuan revolucionit të dhjetorit, më 1989-n. Në ditët në vijim, presidenti shqiptar, Ramiz Alia, dhe kryeministri Adil Çarçani, u adresuan një telegram përshëndetjeje presidentit të Këshillit të Përkohshëm të Frontit të Shpëtimit Kombëtar, Jon Ilieskut, dhe kryeministrit Petre Roman, me rastin e marrjes së posteve, duke shprehur besimin se marrëdhëniet e miqësisë dhe të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Rumanisë do të zhvilloheshin në vazhdimësi. Po kështu, iu adresuan popullit rumun urime për progres dhe mirëqenie. Duhet pasur parasysh se revolucioni rumun u mediatizua gjerësisht në Shqipëri edhe në sajë të transmetimeve të TV jugosllav dhe atyre italiane.
Pas revolucionit, autoritetet e reja rumune i thirrën ambasadorët rumunë, të emëruar, siç ishte zakoni, sipas kritereve politike. Në vendet e mbetura të lira u emëruan, me dekret të Këshillit të Frontit të Shpëtimit Kombëtar, në postet e ambasadorëve, diplomatë profesionistë të karrierës. Ju u emëruat në postin e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Rumanisë në Tiranë dhe i paraqitët letrat kredenciale presidentit Ramiz Alia.
Në lidhje me këtë eveniment, gazeta “Zëri i Popullit”, e datës 5 prill 1990, informonte se “në ceremoninë e prezantimit të letrave kredenciale morën pjesë ministri i Punëve të Jashtme, Reis Malile, sekretari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Sihat Tozaj, Bashkim Dino, drejtor në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të tjerë”. Ky informacion nuk reflektonte përmbajtjen e bisedimeve që u zhvilluan me rastin e prezantimit të letrave kredenciale, të cilat u përqendruan kryesisht mbi temën e ndryshimeve të regjimit në vendet e Europës Juglindore, sidomos në Rumani, ndryshime që priteshin të zhvilloheshin në mënyrë të paevitueshme edhe në Shqipëri.
Si influencoi revolucioni rumun në ndryshimet demokratike në Shqipëri?
Evenimentet në vendet ish-socialiste, por sidomos ngjarjet në Rumani, influencuan në mënyrë vendimtare ecjen e Shqipërisë drejt ndryshimeve demokratike. Simpatia që gëzoi revolucioni që ndodhi në Rumani, në radhët e shqiptarëve u pasqyrua edhe në faktin se në kolonat e godinës qendrore të Tiranës, Teatri i Operës dhe Biblioteka Kombëtare, shkruheshin emrat e udhëheqësve të revolucionit rumun: Petre Roman dhe Jon Iliesku.
Pa dyshim, nën influencën e revolucionit rumun u përshpejtua procesi i demokratizimit të jetës në Shqipëri, duke u realizuar kalimi në pluralizëm, zgjedhje të lira, gjë që bëri të mundur pjesëmarrjen në Parlament të përfaqësuesve të partive të reja politike, të formuara duke filluar që nga dhjetori i 1990-s. Ndryshimet demokratike në Shqipëri u përshëndetën edhe nga vendi ynë dhe krijuan mundësi shumë më të mëdha për zhvillimin e marrëdhënieve rumuno-shqiptare mbi baza të reja politike, ekonomike, sociale, kulturore etj.
“Të fitojmë kohën e humbur”
Rrëzimi i diktaturës së Çausheskut në dhjetor 1989, e transmetuar në të gjitha kanalet televizive, u ndoq me ankth sa nga pushteti i Tiranës, ashtu edhe nga opozita e ardhshme shqiptare. Kështu, viti 1990 ka qenë plot me evenimente në Shqipëri. “Episodi i ambasadave” në verën e atij viti përbënte përballjen e parë madhore të qeverisë komuniste me dëshirën për liri të të rinjve shqiptarë. Lëvizjet studentore që pasuan më pas, disidenca e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, formimi i bërthamave të para opozitare ishin hapat vendimtarë në rrugën e demokracisë dhe ekonomisë së lirë. Presidentët e vendit që u zgjodhën më pas – Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Alfred Moisiu, Bamir Topi – u përpoqën të ruajnë marrëdhëniet tradicionale me Rumaninë, megjithëse nga pikëpamja strategjike dhe ekonomike objektivat e Shqipërisë lidheshin qartësisht me Perëndimin, me Europën dhe Shtetet e Bashkuara. Gjatë gjithë kësaj kohe, Shqipëria është ndodhur dhe ndodhet në një proces të gjerë reformash në të gjitha fushat, duke pasur si synim aderimin në Bashkimin Europian. Marrëdhëniet e saj me vendet perëndimore imponuan adoptimin e pluralizmit politik dhe aplikimin e disa standardeve europiane në jetën ekonomiko-politike, kulturore dhe administrative, proces ky i vështirë, i shënuar nga vështirësitë e tranzicionit, por i tejkaluar dhe i përshpejtuar në procesin e ndryshimeve në të cilin Shqipëria u angazhua. Edhe nëse Rumania nuk ishte në vendet e para të zhvillimit të marrëdhënieve të jashtme, presidentët e dy vendeve kanë zhvilluar shumë vizita reciproke, të cilat ambasadori Gheorghe Micu i përgatiti dhe i mbështeti.
I keni njohur katër presidentët e Shqipërisë që erdhën pas 1990-s: Sali Berisha, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi. Si kanë shkuar takimet me ta, si do t’i karakterizonit secilin prej tyre, çfarë gjë të përbashkët kanë dhe çfarë i diferencon, përveç doktrinës politike, sigurisht?
Presidentin demokrat të Shqipërisë, z.Sali Berisha, e kam njohur në fillim të vitit 1991, pas krijimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, kryetar i së cilës ka qenë e vazhdon të jetë edhe tani.
Besoj se për të dinit diçka edhe para 1990-s. A ishte ai një personalitet? Çfarë flitej për të?
Sali Berisha, mjek kardiolog, me specializime në Francë, ishte i njohur në kuadrin e Universitetit të Tiranës si një profesor i ashpër me studentët dhe, në të njëjtën kohë, si një tip tepër i vendosur. Ai ishte një nga iniciatorët e lëvizjeve studentore në Shqipëri në fund të vitit 1990, që çuan në mënjanimin e regjimit komunist. Përkrah Azem Hajdarit (1963-1998), i gjendur edhe ky në krye të kësaj lëvizjeje dhe së bashku edhe me revolucionarë të tjerë, u takuan me presidentin komunist, Ramiz Alia, për të diskutuar për ardhjen në fuqi të një regjimi demokratik që do të zëvendësonte atë komunist (Azem Hajdari ishte një nga luftëtarët më të flaktë për fitoren e demokracisë në vendin mik. Në vitin 1992, së bashku me prof.dr. Ylli Popën dhe regjisorin Kujtim Çashku, mbështetës aktivë të regjimit të ri demokratik, me iniciativë të Ambasadës sonë, u pritën në një vizitë kortezie nga presidenti i Rumanisë, Jon Iliesku. Misteri i vrasjes së Azem Hajdarit më 1998-n nuk është zbardhur ende as sot). Sigurisht, Sali Berisha e njihte prej kohësh Ramiz Alinë, meqenëse ai kishte qenë në organizatën e partisë së Universitetit të Tiranës, thuhet, si sekretar Partie. Që këtu edhe qëndrimi i tij i ashpër ndaj disa studentëve.
Pra, e kam njohur presidentin Sali Berisha në periudhën më të nxehtë të vendosjes së regjimit të ri demokratik, pas së cilës jemi takuar disa herë, pasi ai ishte i interesuar për evolucionin e regjimit demokratik të Rumanisë. Për rrjedhojë, shumë nga dokumentet e para kryesore të shtetit të ri shqiptar dhe institucioneve demokratike të Shqipërisë kishin në bazë eksperiencën rumune. Sjell ndër mend, p.sh., se organizimi dhe funksionimi i institucionit të prefektit u bë sipas modelit që ekzistonte në Rumani. Kisha gjithnjë kujdes që të gjitha dokumentet zyrtare që dilnin në Rumani t’u jepeshin menjëherë dhe autoriteteve shqiptare, të interesuara për mbarëvajtjen e demokracisë në Rumani.
Kam pasur shumë takime me Sali Berishën në selinë e ambasadës sonë, përpara se ky të bëhej president, sepse nuk donte të diskutonte me dikë tjetër në ambasadë, përveç meje. Donte të dinte sa më shumë për Rumaninë, për evolucionet politike dhe evenimentet e tjera te ne. Më thoshte se informacionet e para mbi Rumaninë i merrte nga zonja Melani Popa, bashkëshortja e mjekut Ylli Popa, një rumune nga Bërladi, e martuar me Ylli Popën kur ishte student për Mjekësi në Rumani. Ndërkohë, Ylli Popa u bë kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Është një njeri i veçantë. Ai ishte njeriu që, praktikisht, tronditi themelet e komunizmit shqiptar në prill të vitit 1990, kur publikoi në gazetën “Zëri i Popullit” artikullin “Të rifitojmë kohën e humbur”, duke iu referuar, sigurisht, në mënyrë diskrete, asaj që duhet të bënte Shqipëria për mënjanimin e pasojave të komunizmit. Ishte një vizionar Ylli Popa, kishte një marrëdhënie të veçantë me presidentin Sali Berisha, duke qenë edhe shefi i tij në spital, në pavijonin e kardiologjisë.
Keni qenë në mision gjatë kohës së revoltave popullore të shkaktuara nga loja e firmave piramidale. Si e kaloi Shqipëria krizën e vitit 1997, kur në krye ishte Sali Berisha? Ai ishte presidenti i Shqipërisë gjatë viteve 1992-1996 dhe më pas i rizgjedhur, kurse në mars të vitit 1997 shpërtheu kriza e njohur politike.
Evenimentet e vitit 1997 shkaktuan një tërmet të vërtetë politik dhe social në Shqipëri. Megjithëse i zgjedhur për herë të dytë në postin e lartë të presidentit, Sali Berisha u detyrua të japë dorëheqjen me kërkesë të opozitës. Gjatë kohës së mandatit të tij, me këmbënguljen e opozitës, të përfaqësuar kryesisht nga Partia Socialiste, u krijua një qeveri e bashkimit kombëtar, me bashkim Finon si kryeministër, të cilin e kisha njohur kur ishte kryetar i Këshillit Lokal të rrethit të Gjirokastrës, para se të bëhej kryeministër. Për këtë arsye kam pasur raporte më speciale me të si kryeministër. Personalisht, kam shkuar në cilësinë e të dërguarit special të Ministrit të Jashtëm rumun në Shqipëri për të ndihmuar stabilizimin e vendit, të dëmtuar rëndë nga evenimentet e fillimit të vitit 1997. Kam ikur nga Bukureshti drejt Romës, nga Roma kam shkuar në Bari dhe që aty, me një helikopter të ushtrisë italiane, mbërrita në Tiranë, duke u ulur në oborrin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Si një film aksion! Helikopter, zhurmë motori, njerëz të shqetësuar, makina…
Çfarë të them! Tensionet ishin të mëdha. Helikopteri me të cilin mbërrita në Tiranë, duhet të fluturonte menjëherë drejt Italisë. Ministri i Jashtëm shqiptar, Arjan Starova, me të cilin u morëm vesh nëpër shkallët e helikopterit që të veproja në marrëdhënie me të tjerët, por, në Ministrinë e Jashtme, një drejtor, Robo, reagoi pa diplomaci, duke më thënë se problemet për të cilat kisha ardhur në Tiranë, mund të zgjidheshin në linjë ambasadash. Kryeministri Bashkim Fino më ftoi në zyrë dhe gjëja e parë që më tha ishte: “Të lutem, adresoju një apel popullit shqiptar për qetësi dhe durim, duke e siguruar se problemet do të zgjidheshin”. Prezenca ime në televizion risolli në kujtesën e shqiptarëve ambasadorin e Rumanisë, të ardhur me një mision special në Tiranë. Po kështu, zgjidha edhe problemin e batalionit rumun që shkoi në Shqipëri në kuadër të misionit “Alba”, për ndarjen e ndihmave të ardhura nga jashtë për popullin shqiptar të gjendur në krizë. Atëherë kam qenë i ftuar në vizitë nga presidenti në funksion, Sali Berisha, i cili më tha se presidenti i Rumanisë, Emil Konstantinesku, i kishte telefonuar dhe i kishte thënë se, nëse ishte e nevojshme, mund të vinte në Rumani në çdo kohë. Zoti Konstantinesku mendonte, ndoshta, në faktin se Berisha duhej ndihmuar në rastin që anarkia çonte në konfliktet e rrugës në ditët e kaosit të 1997-s. Gjithashtu, Emil Konstantinesku kreu një vizitë në Shqipëri në cilësinë e rektorit të Universitetit të Bukureshtit, të kryetarit të rektorëve të Rumanisë dhe si kryetar i Konventës Demokrate. Ftesa erdhi nga ana e rektorit të Universitetit të Tiranës, me sugjerimin e presidentit të Shqipërisë. Berisha kishte një konsideratë të jashtëzakonshme për politikanin rumun që nga koha kur ishin takuar në një seminar mbi demokracinë në Gjermani.
MARIA DOBRESCU
© Panorama.al











