Strukturat do identifikojnë dhuruesit për transplant.
Vendimi: Si do të depozitohen qelizat dhe indet.
Transplantimi është i ligjëruar që prej një viti në vendin tonë. Për ruajtjen e indeve, qelizave e organeve do të ngrihen bankat e para. Ato janë struktura shëndetësore të cilat do të identifikojnë dhurues të mundshëm të organeve, përtej rasteve me lidhje gjaku. Përpara se të nisin të funksionojnë, do të bëhet vlerësimi nëse përmbushin standardet. Qeveria vendosi dje se hapja dhe mbyllja e bankave të këtij lloji bëhet me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, në përputhje me kriteret e përcaktuara. Në vendim janë përcaktuar edhe rastet kur ato mbyllen. “Banka e indeve, qelizave e organeve duhet të ketë parashikuar në statusin e saj objektin e veprimtarisë, që do të kryejë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe të ketë një plan të shërbimeve që do të ofrojë, i cili të përmbajë llojin e indeve, të qelizave dhe të organeve që do të mbledhë e përpunojë”, thuhet në vendim. Sipas tij, veprimtaria e bankës së indeve, të qelizave dhe të organeve bazohet në rregulloret e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Vlerësimi i përmbushjes së kritereve për hapjen e bankave të indeve, të qelizave dhe të organeve bëhet nga Drejtoria e Planifikimit Spitalor, në Ministrinë e Shëndetësisë. Do të jetë po Ministria e shëndetësisë që do të urdhërojë mbylljen e bankave, në rast se nuk plotësohen kushtet. “Bankat mbyllen nëse nuk plotësojnë kushtet e nevojshme për ushtrimin e aktivitetit sipas kritereve të përcaktuara dhe ka shkelje të ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi”, sanksionin vendimi.
Sipas tij, në rast se vërtetohet se nuk zbaton brenda kushteve dhe afateve detyrat e lëna nga Ministria e Shëndetësisë për korrigjimin e shkeljeve. Sipas ligjit të ri, bankat e indeve, organeve dhe qelizave kanë si funksion gjithashtu të sigurojnë, në bazë të kërkesës së institucionit të kujdesit shëndetësor, të dhëna për dhuruesit e mundshëm të qelizave nga këndvështrimi i vlerësimit të përshtatshmërisë së tyre për një përfitues të veçantë.
Dhurimi i organeve
Dhurimi i organeve sipas ligjit mund të kryhet vetëm pasi dhuruesi të ketë dhënë pëlqimin e lirë. Pëlqimi jepet me shkrim dhe ruhet në të dhënat mjekësore të dhuruesit. Për rastet e heqjes së indit rigjenerues nga një i mitur ose person i paaftë për të dhënë pëlqimin lidhur me dhurimin, dhurimi mund të kryhet vetëm me autorizimin e përfaqësuesit të tij ligjor. “Opinioni i të miturit merret në konsideratë si një faktor gjithnjë e më përcaktues në raport me moshën e tij dhe shkallën e pjekurisë”, përcakton ligji.
Tavo: I domosdoshëm ricertifikimi i infermierëve
Dhjetëra mjekë e infermierë që punojnë në spitalet publike, kanë mangësi të theksuara të formimit bazë. Pavarësisht eksperiencës së punës, në vendin tonë shkollat infermieristike janë hapur relativisht vonë. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Vangjel Tavo, edukimi i vazhdueshëm i infermierëve dhe mamive merr një rëndësi edhe më të veçantë në situatën aktuale. Pas pilotimit në dy spitale dhe 4 qendra shëndetësore, programi do të shtrihet në të gjithë vendin. “Pilotimi i programit të ricertifikimit për infermierët synon krijimin e eksperiencës së nevojshme për shtrirjen e këtij programi në shkalle sa më të gjerë në të ardhmen”, tha Tavo. Sipas tij, në këtë mënyrë i gjithë personeli shëndetësor do të angazhohet në përpjekjet për përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë së kujdesit shëndetësor. Prej vitit 2010, programi i ricertifikimit po zbatohet vetëm për mjekët. Ata brenda vitit 2014 duhet të grumbullojnë minimalisht 150 kredite, në të kundërt nuk u rinovohet licenca e ushtrimit të profesionit. Ministria e Shëndetësisë synon që në të ardhmen në këtë program të përfshijë edhe infermierët. “Së pari, infermierët përbëjnë kategorinë më të madhe nga pikëpamja numerike, dhe së dyti, ata janë pika e parë e kontaktit të popullatës me shërbimet shëndetësore”, tha Tavo.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











