Flet Ersi Nishani: Si ndryshoi jeta ime pasi u zgjodh babai President

Sep 2, 2012 | 11:34

“Ju rrëfej jetën time në Vjenë dhe çfarë mendoj për femrat”

Shtatlartë dhe shumë xhentil, që herën e parë kur i kërkuam intervistë, ai u tregua shumë i disponueshëm. Pritëm të mbarojë pushimet dhe ja ku vjen në një rrëfim për gazetën “Panorama”, Ersi Nishani, djali i Presidentit të Republikës, i cili është duke ndjekur studimet në shkollën e mesme në Vjenë të Austrisë (gjimnazin në vit të tretë), ndërsa në këtë intervistë ai tregon shkollimin dhe jetën atje, vizitat që i bën në Shqipëri dhe si ndryshoi jeta e tij pas zgjedhjes së z. Nishani në krye të shtetit. Hobi i tij është rafting dhe, sa herë i jepet mundësia, viziton Skraparin me kanionet e Osumit, ndërsa flet rrjedhshëm anglisht, gjermanisht, italisht dhe frëngjisht.
Ersi je duke bërë shkollën në Vjenë, pse pikërisht ky vend, ka qenë dëshirë e juaja apo e prindërve?
Në fakt, kisha gjithmonë dëshirë që një pjesë të arsimimit tim ta bëja në Vjenë, por fatmirësisht kam pasur dhe mbështetjen maksimale të prindërve. Për sa i përket arsyes pse e zgjodha, mund të them vetëm një gjë: Vjena është një qytet i cili përmbush të gjitha kushtet dhe cilësitë, që i nevojiten një njeriu, pavarësisht moshës.
Sa shpesh e viziton Shqipërinë, ndien mall për familjen, si është jeta atje dhe sa dallon nga Shqipëria?
Në Shqipëri kthehem sa herë që më del rasti të shkëputem nga shkolla, pasi më merr shumë malli për jetën e këtushme, e cila në ndryshim nga Vjena është më aktive sidomos në periudhën vjeshtë-dimër.
A ke një ëndërr për të ardhmen se çfarë do të bëhesh, do doje të ndiqje hapat e babait?
Gjithmonë e kam adhurar politikën si shkencë, por jo në pikëpamjen e një politikani. Nuk mendoj që do të kisha aq durim sa të isha pjesë e saj. Për sa i përket profesionit, më pëlqen shumë mjekësia dhe Vjena ka një nga shkollat më të mëdha të mjeksisë ne botë, por ushtrimin e profesionit kam dëshirë ta bëj në Shqipëri.
Na thuaj si ndryshoi jeta jote pas zgjedhjes së z. Bujar si President i vendit?
Nuk mendoj që pati ndonjë ndryshim të madh. E vetmja gjë që ndryshoi, ishte numri i kërkesave në facebook, (qesh).
Po në Vjenë, sa i privilegjuar ndihesh tani mes miqve dhe profesorëve?
Babai u zgjodh një javë para mbarimit të shkollës, ndaj nuk është se më ra në sy ndonjë ndryshim i madh. Kjo ngelet për t’u parë këtë vit.
Cili ka qenë reagimi i parë i shoqërisë, pasi mësuan se ti tashmë je djali i Presidentit, ke marrë mesazhe urimi?
Mesazhet ishin të shumta sidomos në facebook, por më kanë marrë dhe shumë njerëz në telefon në Vjenë.
Kur kthehesh në Tiranë, a duhet të kesh pranë vetes persona shoqërues dhe, nëse po, a të pengon kjo gjë?
Të them të drejtën, është diçka e ndërmjetme. Nuk mund të them që ndihem i penguar kur më shoqërojnë, por ajo pjesa e vrojtimit është pak e sikletshme. Ndërsa nga ana tjetër ndihem me fat pasi mund të shmang shumë probleme që krijohen hera-herës, sidomos në Shqipëri (qesh).
Çfarë nxënësi ka qenë Ersi në shkollë fillore dhe tani në të gjimnaz?
Nuk kam ndryshuar shumë. Kam qenë gjithmonë pak përtac, por jam tepër ambicioz për të ngelur mbrapa të tjerëve.
Nga kush merr më shumë këshilla dhe cilin prind e dëgjon më shumë?
(Qesh) Le të themi që marr këshilla nga të dy dhe i dëgjoj të dy në të njëjtën masë. Kam një raport tepër konfidencial me të dy, raport të cilin jo shumë veta e kanë.
Po me motrën si i ke marrdhëniet?
Fiona është në fazën e adoleshencës dhe i mirëpret shumë këshillat e mia, sesa i zbaton ato është gjë tjetër (qesh).
Të merr malli për dikë tjetër këtu, ke lënë ndonjë të dashur?
Nuk i preferoj lidhjet në distancë.
Ndonjë aventurë ke përjetuar atje, çfarë i dallon femrat e huaja nga ato shqiptare?
Vjena është një qytet i madh dhe aventurat janë pjesë aktive dhe e bukur e saj, por duhet të them që femrat shqiptare janë të pakrahasueshme si në aspektin fizik dhe në atë të pjekurisë, jo vetëm me ato austriake, por dhe me shumë të tjera në botë.

BLERAND REXHEPI

© Panorama.al

Te lidhura