
Debatik Curri tashmë i ka harruar vuajtjet që i kanë sjellë dëmtimet e viteve të fundit dhe të shtunën sërish i është kthyer fushës së blertë. Ai, pas më shumë se gjashtë muajve, e ka shkelur terrenin e futbollit, kur është paraqitur për afro 15 minuta në ndeshjen e kampionatit turk ndërmjet Gençlerbirligi dhe Akhisar Genclik Spor, e cila përfundoi pa fitues, 0-0. Curri është shprehur i kënaqur me kthimin e tij, edhe pse forma është ende larg. “E kam ndier se do të luaj në këtë ndeshje, edhe pse trajneri nuk më ka thënë asgjë në lidhje me këtë. Në momentin kur një lojtar i skuadrës sonë është ndëshkuar me karton të kuq, e kuptova se trajneri do të më fuste në lojë, edhe pse realisht nuk jam i përgatitur sa duhet”, ka thënë Curri për “Zeri.info”. “Megjithatë, në përgjithësi është kthimi dhe aktivizimi im në këtë ndeshje. Kjo do të thotë se jam i gatshëm të luaj dhe kjo më bën të jem optimist për këtë sezon. Pavarësisht ftesës apo jo të trajnerit të Kombëtares, nuk besoj se do të luaj për Kombëtaren në dy ndeshjet eliminatore. Natyrisht që dëshira ekziston, por unë nuk jam i gatshëm që të përballoj të dyja frontet për momentin”. Djaloshi prishtinas, këtë vendim pret që t’ia komunikojë trajnerit Xhani de Biazi, ditëve në vijim. “Me trajnerin jam dëgjuar para dy javësh, por nuk kemi biseduar për kthimin tim. Ai më ka pyetur se si jam dhe si ndihem. Por me siguri do të flas ditët në vijim me të dhe do t’i them atij se nuk jam i gatshëm ende për Kombëtaren. Nuk dua të rrezikoj asgjë”. Sipas Currit, kthimi i tij në Kombëtare mund të ndodhë në 2-3 muajt e ardhshëm. “Mendoj se koha optimale për t’u kthyer në Kombëtare mund të jetë tetori ose nëntori. Kisha dëshirë të kthehem në shtator në ndeshjet me Qipron dhe Zvicrën, por nuk do të ndodhë”. Gjithsesi ai premton se do të jetë afër shokëve të tij të Kombëtares në ndeshjen me Qipron. “Nëse jo në terren, jashtë tij. Do të jem afër Kombëtares, së paku për t’i përkrahur shokët e mi në ndeshjen me Qipron”, tha Curri, i cili më herët ka bërë karrierë me Prishtinën dhe Vorskla Poltavën.











