
“Katrina 2”, katër shtete amerikane në gjendje të jashtëzakonshme.
Takimi i mbrëmshëm për hapjen e Konventës Republikane në Tampa të Floridës, në të cilën pritet “kurorëzimi” i Mit Romnejt si kandidati zyrtar i republikanëve për presidencialet, u shty për shkak të stuhisë “Isaac”. Gazetarët përkohësisht janë larguar nga vend-takimi për t’u kthyer sërish sot, pasi situata të jetë normalizuar. Mijëra persona po largohen nga Florida, Luiziana, Misisipi e Alabama, pas gjendjes së jashtëzakonshme të deklaruar për shkak të stuhisë “Isaac”. Në supermarkete dhe pikat e karburanteve ka radhë të gjata. “Isaac” mund të kthehet në një uragan dhe mund të kërcënojë jetë njerëzish, sipas drejtorit të Qendrës Nacionale të Uraganeve në Majami. Fluturimet dhe lidhjet hekurudhore me Nju Orlinsin janë bllokuar. Evakuimi ka nisur që nga ora tetë e mëngjesit të djeshëm. “Isaac” pritet ta godasë Luizianën sot, shtatë vjet pas uraganit “Katrina” që goditi Nju Orlinsit më 28 gusht të vitit 2005. Drejtimi i stuhisë që mund të kthehet në uragan të shkallës së tretë nga ora në orë (shkalla maksimale është pesë) është e njëjta si shtatë vite më parë. Zyrtarët i tremben përsëritjes së “Katrinës”, e cila kur goditi Nju Orlinsin shtatë vite më parë shkaktoi dëme me vlerë 80 miliardë dollarë, dëmet më të rënda ekonomike të shkaktuara nga një fenomen natyror në historinë amerikane. Në Florida pritet që situata të kthehet në normalitet brenda 24 orësh, por në Luiziana situata është më keq. Guvernatori Bobi Xhindal ka urdhëruar evakuimin e 53 mijë personave që jetojnë afër Nju Orlinsit.
Ndërkohë Pentagoni ka bërë gati forcat për të ndërhyrë në rast të katastrofës. Në Florida janë në gatishmëri 5 800 forca, për të ndërhyrë në rast emergjence. Pentagoni ka gati forcat për të ndërhyrë nga ajri dhe toka edhe në Alabama e Misisipi. Vetëm në Florida janë në gatishmëri 22 avionë F-16. Kalimi i “Isaac” në Haiti ka shkaktuat deri tani 22 të vdekur. Stuhia ka lënë gjithashtu edhe dy viktima në Republikën Domenikane.
Romnej
Mit Romnej ka akuzuar rivalin e tij, Barak Obama, se po drejton një fushatë përçarjeje dhe urrejtjeje kombëtare. Sipas kandidatit republikan për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, fushata e demokratëve ka arritur një pikë tjetër “të ulët”, në përpjekjet për ta lidhur figurën e tij me deklaratat e papërgjegjshme të një senatori republikan, që foli për “disa lloje përdhunimesh”, midis të cilëve edhe një “përdhunim i konsideruar i ligjshëm”. “Më vjen keq që shoh se idetë e mia po luftohen me një fushatë inati dhe përçarjeje”, deklaroi Romnej, duke iu referuar një interviste të Obamës në kanalin amerikan “Fox News”.
Sondazhet
Sondazhet nga agjenci të ndryshme amerikane i japin Presidentit Obama një përparësi nga shtatë në nëntë për qind të votave. Por pavarësisht kësaj, numri i amerikanëve të pavendosur është i madh dhe rezultati mbetet ende i paqartë.











