Drejtësi e përnjëmendtë në kohë krimi

Aug 28, 2012 | 12:07

GJERGJ META

Rasti i Breivik në Norvegji ka bërë bujë tashmë, qoftë kur ai vrau me gjakftohtësinë më të madhe 77 njerëz, e qoftë në këto ditë kur drejtësia norvegjeze e dënoi atë me 21 vjet burg dhe me mundësinë e zgjatjes së dënimit, nëse nuk tregon se ka ndryshuar. Ajo që më bëri “përshtypje” në këtë rast edhe nga komentet e shumta nëpër shtypin e huaj, ishte fakti që të mbijetuarit apo të afërmit e viktimave kishin pranuar me shumë entuziazëm vendimin e jurisë gjykuese. Nuk u vu fare në diskutim vendimi i jurisë, madje ai u ekzaltua nga të interesuarit. Mund të dukem naiv që diskutoj këtë gjë për një vend si Norvegjia, por kjo tregon dy gjëra: gjykata e ka përnjëmend dhe njerëzit kanë besim që ajo gjykatë e ka përnjëmend. Shumë elementare, por në të njëjtën kohë këto dy gjëra janë themelore për një shtet të së drejtës. Ta kesh përnjëmend diçka ka shumë rëndësi, sepse do të thotë se beson te ajo gjë. Në punët e drejtësisë kjo bëhet edhe më e rëndësishme, madje jetësore.
Mund të them me plot bindjen se pjesa dërrmuese e shqiptarëve nuk besojnë se gjykatësit, prokurorët apo në përgjithësi të gjithë njerëzit e Drejtësisë e kanë përnjëmend e, po ashtu, të më falin punonjësit e Drejtësisë, as ata nuk bëjnë shumë përpjekje për të na mbushur mendjen që e kanë përnjëmend.
Në Shqipëri ka ditë që ambienti është “helmuar” keqas nga vrasjet për grabitje, zënie të çastit, larje hesapesh apo gjakmarrje dhe vdekjet për shkak të aksidenteve, d.m.th. për shkaqe njerëzore. Të duket sikur kaosi e ka mbërthyer shoqërinë e është përhapur një lloj klime paniku e frike, një lloj pasigurie. Në këtë kaos, forcat e errësirës përfitojnë deri në ligësi. Është gjithmonë kështu, ndodh gjithmonë kështu. Jam i prirë shpesh të reflektoj mbi predispozitat e thella të njeriut në lidhje me çështjet e rëndësishme, por në këto raste mungojnë edhe shenjat më konkrete që nuk kanë nevojë për reflektime të thella. Jam i sigurt se dikush nesër del në TV dhe thotë shifra, emra, numra dosjesh të gjykuara e çështje të trajtuara duke dhënë rezultate etj., por ama ne po shohim se pasiguria në lidhje me krimin ka mbërthyer psiken e shumë shqiptarëve. Nuk e them këtë nga pozita abstrakte, por nga puna dhe kontakti i përditshëm me njerëzit.
Ku duhet ta kërkojmë fajinë Sigurisht situata është më e ndërlikuar dhe trajtimi i shkaqeve e fajeve është shumëdimensional. Por unë jam i bindjes që sistemi i Drejtësisë në Shqipëri çalon për së tepërmi, në të gjitha hallkat e tij. Dhe, ç’është më e keqja, mungon besimi. Mungon besimi, duke filluar nga punonjësi i Policisë Gjyqësore në manipulimin e provave dhe fakteve, te polici që ka shkuar i pari në vendin e krimit, te prokurori i çështjes, te gjykatësi dhe te avokati. Shtyhen pa fund gjyqe, e shpesh për tekat e një avokati që nuk paraqitet, për tekat e një gjykatësi apo të një prokurori. Dhe kjo është e pafalshme. Sistemi i Drejtësisë në Shqipëri nuk të frymëzon besim aspak, madje pjesa më e madhe e njerëzve thonë: po pagove ke drejtësi, po nuk pagove je i mbaruar.
Unë nuk dua të bëj krahasimin mes Norvegjisë dhe Shqipërisë. Nuk do isha realist, por ama për një çast dua të ëndërroj një prokuror, një gjykatës, një polic gjyqësor, një polic çfarëdo që beson te Drejtësia dhe këtë besim na e përcjell edhe neve. Mungesa e këtij besimi është shkaku kryesor i krimit që ngre krye dhe mbërthen shoqërinë. E ky besim që të vijë do fakte konkrete, shenja konkrete që vijnë nga serioziteti i punës së të gjithë atyre që dashurojnë iustitia-n që duhet të kënaqë nevojën natyrore për t’i dhënë secilit çka i takon.
Nuk mund ta presim këtë gjë nga vullneti politik, i cili për fat të keq në Shqipëri është vetëm vullnet për të fituar zgjedhjet, por nga vullneti qytetar që është vullnet për të zgjedhur ndërmjet të mirës dhe të keqes. Kjo do të vijë kur shkollat, sidomos ato juridike, nuk do të rendin drejt eficiencës financiare, por drejt efikasitetit cilësor, nuk do të rendin drejt përgatitjes së teknicienëve të së drejtës, por drejt formimit qytetar të atyre që zënë auditorët e fakulteteve të Drejtësisë, shtetërore qofshin, apo private.

© Panorama.al

Te lidhura