Lojërat e fatit, 4 zonat ku do zhvendosen

Aug 28, 2012 | 12:00

Katër variante për ngritjen e “qytezës” së kazinove dhe lojërave të fatit në periferi të Tiranës. Zonat që shihen si opsionet më të mundshme, janë Bregu i Lumit, Yzberishti, Uzina e Autotraktorëve dhe Tufina. Bixhozxhinjtë dhe të apasionuarit pas lojërave elektronike nuk do të mund t’i gjejnë më poshtë pallateve e në çdo rrugicë lagjeje. Bashkia e Tiranës, duke parë se këto lloj biznesesh gjenerojnë krime dhe probleme të tjera sociale, ka vendosur të marrë masën në fjalë. Grupi i punës i cili po shqyrton grumbullimin e tyre në periferi, u mblodh dje për herë të parë nga kryebashkiaku Lulzim Basha. Në përbërje të tij janë dy zv/kryetarët, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtoresha e Tatim-Taksave. “Grupi i punës do i propozojë Këshillit Bashkiak vendosjen e një tarife të veçantë, e cila mund të arrijë në 50% të xhiros për lojërat e fatit”, bëri me dije Bashkia e Tiranës. Kjo është një tjetër masë shtrënguese, e cila pritet të sjellë reduktimin e këtyre bizneseve.
Aktualisht, brenda territorit që administron ky institucion, ushtrojnë aktivitet 56 njësi qendrore, kazino elektronike dhe baste sportive, të cilat kanë 1012 salla lojërash. “Me këto masa, Bashkia e Tiranës ka për qëllim të sigurojë një monitorim më të mirë të këtij aktiviteti dhe frenimin e problemeve sociale, komunitare dhe të kriminalitetit të lidhur me këtë aktivitet”, thanë përfaqësues të grupit të punës.
Kontingjenti që i frekuenton më shumë lojërat e fatit, janë adoleshentët dhe persona të papunë. Nga statistikat e Policisë dhe studimet në terren nga ekspertët e Bashkisë, ka rezultuar se këto ambiente kanë qenë shpesh burim konfliktesh të rrezikshme.
Bashkia e Tiranës sqaroi se grupi i punës pas konsultimeve në mbledhjet e ardhshme do të vendosë për zonën më të përshtatshme ku do të grupohen kazinotë.
Projektvendimi për tarifën e veçantë, sipas burimeve nga Bashkia, do të jetë gati brenda këtij viti.

Personeli
Grupi i punës do të vendosë kushte shtrënguese për punësimin e personelit dhe rikonstruktimin e infrastrukturës në zonën ku do të grupohen lojërat e fatit. “Këto masa të parashikuara nga Bashkia e Tiranës kanë për qëllim një monitorim më të mirë të këtyre aktiviteteve dhe frenimin e problemeve sociale, komunitare dhe të kriminalitetit të lidhur me këtë aktivitet”, sqaruan burime nga Bashkia e Tiranës.

Zonat
.    Bregu i Lumit
.    Yzberishti
.    Uzina e Autotraktorëve
.    Tufina

© Panorama.al

Te lidhura