
Grupi Parlamentar socialist nis komunikimin institucional me Presidentin e Republikës: Reagoni për kufirin.
“Pakti me Greqinë sipas Kushtetueses, mos u bëni bashkëfajtor”
Grupi Parlamentar socialist nisi dje komunikimin institucional me Presidentin e Republikës. Përmes një letre dërguar kreut të shtetit, pasi i kujtojnë se nuk kanë shpresë se do të jetë një President i pavarur nga Kryeministri, socialistët i kërkojnë atij të ndërhyjë që të mos lejojë një marrëveshje të mbyllur dhe jo transparente me Greqinë për kufirin detar. “Përbën një detyrim më shumë për Ju dhe autoritetet e vendit për të ushtruar gjithë pushtetin tuaj me qëllim imponimin e plotë të standardeve të transparencës dhe ekspertizës në çdo hap të negocimit, nënshkrimit, hyrjes në fuqi dhe zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Çdo tentativë për të arritur një marrëveshje me dyer të mbyllura e mbi të njëjtat parime, si ato që hodhi poshtë unanimisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese, do të ishte një shkelje e rëndë, për më tepër e përsëritur, e autoriteteve të shtetit shqiptar në kurriz të interesave kombëtare dhe sovranitetit territorial të vendit”, thuhet në letrën e deputetëve socialistë. Sipas tyre: “Përsëritja e të njëjtit skenar, do ju bëjë edhe Ju njëherazi bashkëfajtor me të gjithë ata, Kryeministrin e Kryetarin e Partisë Suaj në radhë të parë, që do guxojnë të përsërisin nënshkrimin e një marrëveshjeje që cenon sovranitetin territorial të Shqipërisë në çdo centimetër katrorë të saj”. Socialistët shprehin dhe qëndrimin e tyre se si duhet negociuar dhe çfarë elementesh duhet të përmbushë marrëveshja e re me Greqinë për kufirin detar. “Në pikëpamjen tonë, rruga e vetme për të arritur në këto zgjidhje kalon mes respektit reciprok e të ndërsjellë, të drejtë e të barabartë, larg frymës së varësisë, në përmbushje të plotë të detyrimit për transparencë ndaj publikut e qytetarëve dhe domosdoshmërisë për qëndrime të qarta, të cilat bazohen në aspiratën tonë e të fqinjëve tanë për të respektuar detyrimet ndërkombëtare dhe të fqinjësisë së mirë. Ky është një detyrim madhor i yni para qytetarëve dhe të ardhmes së vendit tonë. Historia ka treguar se nuk kursen askënd, veçanërisht ata që harrojnë ose refuzojnë t’i shërbejnë vendit të tyre”, thuhet në letrën e Grupit Parlamentar socialist. Sipas tyre, PS mbështet fuqimisht çdo përpjekje për të forcuar bashkëpunimin dhe partneritetin me Greqinë, një vend me të cilin na lidh jo vetëm historia, por edhe marrëdhëniet e shumanshme politike, ekonomike e njerëzore.
Zgjedhja
Selia rozë, edhe pse nis komunikimin e parë institucional me kreun e shtetit, i kujton atij se po bën punën e një partiaku. “Edhe pse mënyra e zgjedhjes suaj, por edhe ushtrimi i deritanishëm i detyrës nuk lë asnjë vend për të shpresuar se Ju keni mundësi, aftësi dhe vullnet për të qenë i pavarur nga Kryeministri në ushtrim të detyrës Suaj, po Ju kujtojmë se detyrimi juaj absolut është respektimi i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pavarësisht preferencës ose diktatit politik”, thuhet në letrën e deputetëve të PS.
Reagimi
Në letrën e tyre, deputetët socialistë i kërkojnë Presidentit që reagimi ndaj çdo incidenti mes Greqisë dhe Shqipërisë të mos bazohet në mëritë dhe inatet e vjetra nacionaliste. “Ne refuzojmë prerazi si të papranueshme çdo ide për të reaguar ndaj këtyre incidenteve, duke rënë në grackën e inateve e mërive ekstremiste për t’iu përgjigjur me të njëjtën monedhë shkeljeve të të drejtave e lirive bazë që gëzojnë qytetarët. Vendi ynë, por edhe qytetarët e kanë vlerësuar tolerancën dhe respektin ndaj fqinjëve si të shenjtë”, shkruajnë socialistët.
Marrëveshja
Socialistët shprehen në letrën e tyre se marrëveshja e re për kufirin detar me Greqinë duhet të ndërtohet përmes parimit të reciprocitetit. “Në pikëpamjen tonë, rruga e vetme për të arritur në këto zgjidhje kalon mes respektit reciprok e të ndërsjellë, të drejtë e të barabartë, larg frymës së varësisë, në përmbushje të plotë të detyrimit për transparencë ndaj publikut e qytetarëve dhe domosdoshmërisë për qëndrime të qarta, të cilat bazohen në aspiratën tonë e të fqinjëve tanë për të respektuar detyrimet ndërkombëtare dhe të fqinjësisë së mirë”, thuhet në letrën e PS-së.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











