
Mbikalimi i ri i Vorës, nyje kyçe për autostradën Tiranë-Durrës, do të hapet për automjetet në fillim të muajit shtator. Ky projekt, me një vlerë 5.8 milionë euro, financohet nga Fondi i Kuvajtit. Ai përfshin ndër të tjera ndërtimin e 4 km rrugë paralele me autostradën Tiranë-Durrës, përkatësisht me dy korsi dhe me të gjithë infrastrukturën përkatëse, ndërtimin e katër rrethrrotullimeve, si dhe ndërtimin e rrugës urbane në hyrje të qytetit të Vorës. Në këtë mënyrë, mundësohet hyrja dhe dalja e trafikut urban dhe ndërqytetës të Vorës përmes këtyre nyjeve dhe rrugëve paralele. Gjatë inspektimit të punimve në mbikalimin e ri të Vorës, ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi informoi se aktualisht punimet janë në fazën e asfaltimit. “Praktikisht këtu po zhvillohen punimet e asfaltit në rampën e mbigritjes së autostradës e cila rritet në një kuotë prej 6.20 m për të bërë të mundur nënkalimin e të gjithë trafikut anësor që do të vij nga dhe drejt qytetit të Vorës dhe që do të bëj edhe lidhjen me rrugën e vjetër nga Vora drejt Maminasit dhe Shijakut”,tha Olldashi. Ai shtoi se kryesisht punimet, po kryhen gjatë natës për mos të krijuar komplikacione me trafikun e stinës së verës “Kjo po bëhet duke patur parasysh që kjo është një nyje kyce në aksin kryesor rrugor kombëtar Tiranë -Durrës, ku është e përqendruar shumica e popullatës, shumica e biznesit dhe shumica e fluksit turistik”, tha Olldashi. Ndërsa për automjetet mbikalimi i Vorës do të hapet në shtator, komponentët e tjerë të tij do të përfundojnë në nëntor.











