Arbën Xhaferi mbetet pasuri kombëtare

Aug 27, 2012 | 12:58

YLBER LILI

Nuk kam ndër mend të shkruaj artikuj vajtues dhe as të thur elozhe për Arbën Xhaferrin, ngaqë ai nuk e dëshironte as njërën dhe as tjetrën. Gjithsesi, marr të drejtën të hedh përciptas në letër disa karakteristika të këtij burri të madh, meqë e kam njohur dhe kam bashkëpunuar më të afro dy dekada. Qysh në krye të herës duhet theksuar se ai mbetet personalitet unikal, i papërsëritshëm, politikan me përmasat e një burrështetasi, intelektual “par excellence”, njeri i mendimit, guximit dhe i veprimit. Ndoshta mbetet figura më e kompletuar e kohërave moderne e botës shqiptare, shkurt dhe shqip pasuri kombëtare. Si i tillë është tepër e vështirë që më një të rënë të lapsit të kopsitësh jetën dhe veprën e tij. Të paktën personalisht e kam pothuajse të pamundur këto ditë, ngaqë shpirtërisht ende jetoj me ëndrrën se ai nuk është ndarë fizikisht nga jeta. Gjithsesi, është thjesht ëndërr – produkt dhimbjeje, trishtimi, malli e kështu me radhë. E megjithatë vazhdoj të mbetem peng i kësaj ëndrre, sidomos kur hyj gjatë këtyre ditëve në zyrën e tij. Bash aty, 16 vite me radhë kam pasur fatin të rri, të mësoj, dëgjoj, bisedoj, bashkëpunoj dhe të jem dëshmitar i të thënave dhe të pathënave për publikun. Ata pak metra katrorë e tejkalojnë dimensionin e një zyre politikani, intelektuali, filozofi dhe mendimtari.
2-Pa klithje e potere, por me maturi, pjekuri, mençuri me racionalitet dhe, mbi të gjitha me forcën e argumenteve, aty janë zhvilluar beteja të ashpra politike dhe intelektuale. Madhështia e Arbën Xhaferit qëndron edhe në faktin se ai u vendos në peshoren e aktorëve të politikës planetarë dhe doli që aty me sharmin e një njeriu të madh enciklopedik. Idetë e tij në vijë të analizave të thella politike, etnike, historike, filozofike dhe shkencore krijuan një qasje më racionale të faktorit ndërkombëtar për çështjen shqiptare në veçanti dhe për Ballkanin në përgjithësi. Megjithëse, ai veproi në një kohë prerjesh dhe dilemash të mëdha historike, ku çdo veprim politik dhe intelektual matej disa herë, për sa kohë që kishte një Kosovë të pushtuar dhe një Shqipëri me sistem të brishtë shtetëror, zyra e tij shërbeu si pikëtakim i forcave politike mbarëshqiptare. Pa dashur të hyj në detaje, ai mbetet personalitet me tharmin prej gjeniu, i cili arriti të ndërtojë shkollën dhe doktrinën e politikës kombëtare. Jo vetëm kaq! Arbën Xhaferi ishte institucion më vete. Aty (në atë zyrë) u krijuan laboratorët e thellësisë se mendimit politik kombëtar, këndshikimet e gjeopolitikës aktuale, platforma e vetëvendosjes së popujve, projekte për çështjen çame, për integrimet brendashqiptare, programe ekonomike dhe politike, kulturore dhe mediatike për botën shqiptare, janë përpunuar tezat rreth identitetit, religjionit, nacionalizmit shqiptar, janë gatuar projekte bazuar në argumente të fuqishme për t’u paraprirë tendencave hegjemoniste sllave, janë shkruar me qindra faqe rreth gjuhës standarde shqipe si kod i identitetit kombëtar (ngulmimi i z. Xhaferi për respektimin e gjuhës standarde duhet parë në optikën thjesht dhe vetëm të forcimit të identitetit kombëtar, integrimit dhe komunikimit). Sikundër janë dhënë ide për daljen nga qerfulli i tranzicionit demokratik, për forcimin e orientimit europian të kombit shqiptar. Janë shkruar dhe përpunuar strategji veprimi për luftën e Kosovës, për risocializimin dhe demokratizimin e shoqërisë së pasluftës në Kosovë. Në këtë aspekt ka shumë detaje, sepse është bërë një punë e paimagjinueshme, ndoshta më mirë se Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, pakkush e din. Edhe pas kësaj periudhe, ai nuk gjeti qetësi.
3-Konflikti i vitit 2001 e vendosi sërish në sprovë Arbën Xhaferin si politikan, intelektual dhe strateg. Kur e gjithë bota shqiptare përfshirë edhe institucionet e shtetit shqiptar dhe të Kosovës u zunë në befasi, Xhaferit dhe partisë e tij u ra barra më e madhe për riparimin e pasojave. Ai jo vetëm që e mbështeti kryengritjen , por u doli për zot edhe drejtuesve të saj. Është folur shumë për Marrëveshjen e Ohrit, janë të shumtë ata që duan të rrokin pas betejës flamurin e saj, por e vërteta është krejt ndryshe. M.O është katërçipërisht produkt i mendjes së ndritur të Arbën Xhaferit dhe bashkëpunëtorëve të tij politikë. Ky njeri i madh në atë kohë arriti të mposhtë propagandën maqedonase, e cila përpiqej ta identifikonte konfliktin me krimin e organizuar, ose me paraqitjen e Kosovës si vrimë e zezë, ku tentohej të zhyteshin të gjitha vlerat qytetëruese të shqiptarëve. Përmes asaj Marrëveshjeje, motivet e konfliktit u mbartën në Kushtetutën e Maqedonisë. Është tjetër gjë se në çfarë mase është realizuar kjo Marrëveshje, e cila humbi misionin e vet shoqëror dhe mbeti vetëm si faktor për ndërprerjen e konfliktit, por, për këtë duhet pyetur Ali Ahmeti, të cilit i buzëqeshi fati të jetë qytetar i lirë dhe të identifikohet si politikan kryesisht falë Xhaferit. Në këtë kuptim, mosmirënjohja nuk paska kufij. Ahmeti u rishfaq si një mosmirënjohës i madh, këtë e dëftoi me mospjesëmarrjen në varrimin e njeriut që e mbrojti dhe e mbështeti pa asnjë rezervë.
4-E pra, nuk është thjesht zyrë, por institucion që vendosi standarde në politikë, që kulmoi me thellësinë e mendimit kombëtar shqiptar, që u parapriu fenomeneve devijante në shoqëri, që u shpalli “luftë frontale” të gjithë atyre që mëtonin “kafshimin” identitar të shqiptarëve, që zhvilloi beteja të pandërprera ndaj qarqeve, të cilat në emër të religjionit kërkonin të zvetënonin aspektin nacional të shqiptarëve. Ai na tregoi se nuk duhet të fshihemi pas gishtit të kozmopolitizmit dhe të relativizojmë nacionalizmin shqiptar. Arbën Xhaferi ishte më modest sesa duhej. Ai doli me ide dhe modele që kishin peshë strategjike, siç ishte krijimi i shteteve etnike dhe dështimi i shteteve multietnike. Modestia e tij qëndron në faktin se ai për asnjë moment nuk e konsideronte veten shpikës, përkundrazi edhe në këtë rast, megjithëse u ballafaqua me probleme, pengesa dhe trysni të madhe, e konsideronte veten si njeri me fat që nuk është peng as i politikës dhe i askujt tjetër. Për rrjedhojë, ai pati kurajën dhe guximin politik dhe intelektual të riaktualizojë dhe t’i pasurojë me mendime të thella shkencore këto tema të fjetura, natyrisht edhe të “rrezikshme”. Argumenti i tij kryesor ishte: Nuk mundet që në rrënojat e shteteve të dikurshme shumëetnike të ngrihen shtete të reja me sëmundjen e vjetër. Ndonëse u akuzua si nacionalist, ai nuk shqetësohej dhe brengosej, sepse ishte i parapërgatitur. Ai ishte patriot dhe nacionalist që, sipas tij, në kuptimin shqiptar janë sinonime të njëri-tjetrit. Kur fliste për nacionalizmin, ai kishte parasysh mendësinë e popullit shqiptar e cila nuk është ksenofobike, por e hapur ndaj tjetrit. Trajtimi i kësaj teme ishte brilant, sipas tij shqiptarët nuk kanë traditë të demonizimit të popujve fqinjë. Në tokat shqiptare nuk ka varre masive, në traditën e politikës shqiptare nuk gjenden elaborate armiqësore ndaj kombeve të tjera, në historinë shqiptare nuk ka raste të vrasjeve masive të popujve të tjerë, dihet qëndrimi i shqiptarëve ndaj hebrenjve, po ashtu edhe i italianëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, e kështu me radhë. E thënë më një fjalë, Xhaferi e konsideronte nacionalizmin shqiptar si digë për të mbrojtur identitetin kombëtar nga vërshimet që vijnë nga të tjerët. Në fakt, ai ishte nacionalist i thekur modern. Ai shpesh thoshte: për të krijuar stabilitet të brendshëm dhe të jashtëm, duhen plotësuar të paktën tri kushte elementare. Kohezion i brendshëm, mirëqenie ekonomike dhe demokraci liberale. Nëse i referohemi kësaj skeme, sidomos parimi i kohezionit të brendshëm të sistemit, duhet të rivlerësohet roli i nacionalizmit dhe i religjionit. “Duke marrë parasysh realitetin shqiptar, sidomos ekzistencën e tri feve, mund të arrihet në përfundimin se nacionalizmi shqiptar vetvetiu e ngjesh kohezionin e shoqërisë shqiptare, ndërkaq religjioni, po ashtu vetvetiu e shkërmoq këtë unitet shembullor”, shprehej Xhaferi. Ai tërë kohës kishte bindjen e thellë se modeli i ndërtimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve është ai etno-kulturor, siç është për gjermanët, italianët dhe shtete të tjera europiane. Sipas tij, identiteti etnik krijon kohezionin e brendshëm të shteteve shqiptare të Shqipërisë dhe të Kosovës.
5- Në atë zyrë janë kyçur shumë kujtime, por edhe të pathëna. A ishte me të vërtetë sëmundja që e detyroi të largohet nga politika aktive apo ishin idetë dhe mendimet e tij. Cilat ishin marrëdhëniet me aktorët dhe faktorët ndërkombëtarë. Cili ishte këndvështrimi i tij për politikanët shqiptarë dhe qëndrimet ndaj Tiranës zyrtare. Cila ishte jeta e tij përtej zyrës. A është kërcënuar, shantazhuar, anatemuar. A ka qenë vetmitar Arbën Xhaferi dhe në çfarë periudhe. Cilat ishin vlerësimet e tij për figurat kryesore përfshirë edhe Ismail Kadarenë, apo për shoqërinë, kulturën dhe median shqiptare. Cilat kanë qenë në esencë marrëdhëniet me krahun e tij të djathtë, Menduh Thaçin. Si arriti të ringjallë shpresën e shqiptarëve të Maqedonisë për barazi dhe dinjitet. Të gjithë me pak përjashtime (përjashtuar miqtë e tij në Kosovë). Kur flasim për Arbën Xhaferin, kryefjala është viti 1993, ku themeloi Partinë Demokratike të Shqiptarëve. Pyetja shtrohet nga rrjedh, si hodhi shtat dhe arriti pjekurinë politike dhe intelektuale, kush ishte burim frymëzimi etj.
Duke i trajtuar në vijim të thënat dhe të pathënat e tij, konstatohet se askush nuk mund të pretendojë se në jetën publike, politike dhe intelektuale të jetë i përkryer, por Arbën Xhaferi pa shumë bujë ecte në shkallaret e perfeksionit. Arbën duke e mbyllur këtë artikull, po respektoj ritualin e afro dy dekadave. Drita e zyrës është e ndezur, ora shënon 1:30 minuta, koha kur largoheshe drejt banesës për një sy gjumë dhe vije të nesërmen fiks në 10:30 të paradites. Desh harrova, po të rikujtoj se në tavolinë ende janë shënimet për kumtesën e 100-vjetorit të shtetit shqiptar.

© Panorama.al

Te lidhura