Ndërron jetë në Spitalin Ushtarak 26- vjeçari Fatjon Byberi, i plagosur 10 ditë më parë në atentatin ku mbeti i vrarë miku i tij Flamur Toskaj, në Institutin Bujqësor në Kamzë.
Sipas mjekëve reanimatorë të spitalit, mësohet se i plagosuri Fatjon Byberi nuk ka arritur t’i mbijetojë dy plumbave që e kishin goditur në pjesën e kokës, që i kishin shkaktuar koma që momentin kur mbeti i plagosur. Gjatë natës të së premtes, Byberi është deklaruar i vdekur nga ekipi mjekësor që e mbante në jetë vetëm nëpërmjet aparaturave që prej datës 10 gusht, kur u qëllua në një atentat në Kamzë. Polici i burgut të Fushë- Krujës, Ramiz Bashukaj, 34 vjeç, i cili po ashtu u plagos në atentat, mësohet se nuk ka më rrezik për jetën. Fatjon Byberi është përcjellë dje për në banesën e fundit, gjatë një ceremonie mortore që u zhvillua në banesën e tij në Kodër- Kamzë. Ngjarja e rëndë, që tashmë numëron 2 viktima, ndodhi rreth orës 22:30 të datës 9 gusht 2012, në afërsi të Universitetit Bujqësor në Tiranë. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje. Në momentin e ngjarjes, Flamur Toskaj ka qenë duke lëvizur me automjetin tip “Volksvagen” me targa AA 391 AC së bashku me dy miqtë e tij, Fatjon Byberai dhe Ramiz Bashuka. Në kohën kur ata ndodheshin pranë Universitetit Bujqësor të Kamzës, makinës së tyre i është afruar në ecje një automjet tip “Golf 4” me ngjyrë të zezë, nga i cili është qëlluar me armë zjarri. Në vendngjarje policia tha se gjeti dhjetë gëzhoja, mirëpo nuk përjashtohet mundësia që të shtënat të kenë qenë më të shumta. Pas të shtënave me armë mësohet se automjeti tip “Golf 4” është larguar në drejtim të Fushë-Krujës, ku policia menjëherë ka ngritur postblloqe të shumta. Zyrtarisht, burimet nga hetimi i ngjarjes thanë se pista që po verifikohet për ngjarjen është hakmarrja në lidhje me problemet e mëparshme të Flamur Toskajt. Mësohet se probleme me Drejtësinë ka pasur edhe viktima e dytë e ngjarjes, Fatjon Byberi, i cili ka qenë person i shpallur në kërkim për një grabitje që ka kryer në bashkëpunim me Toskajn. Më datë 1 shtator të vitit të kaluar, Toskaj dhe Byberi u akuzuan nga Policia e Tiranës si autorë të grabitjes së automjetit të shtetasit A. Stojani, të cilit i kishin zënë pritë me armë në afërsi të kthesës së Valiasit. Policia arriti të arrestojë Flamur Toskajn, ndërsa shpalli në kërkim Fatjon Byberin. Por problemet e viktimave nuk do të mbylleshin me kaq, pasi disa muaj më vonë, Toskaj u përfshi në një incident tjetër të armatosur, me dy persona, madje mbeti edhe i plagosur në këmbë. Ngjarja u mbyll si një konflikt banal për parakalim me makina në semafor, megjithatë sipas burimeve dyshohet se motivi konkret i ngjarjes dyshohet të ketë qenë një konflikt i hershëm i viktimës.











