
TIRANE- Ndërsa besimtarët myslimanë falnin Namazin e Fiter Bajramit, aktivistë të Aleancës Kuq e Zi kanë akuzuar kryeministrin, Sali Berisha se ka bllokuar për 2 dekada ndërtimin e Xhamisë së Madhe te Tiranes. Në sheshin e Namazgjasë, AK-ja zbuloi pllakën e vendosur nga kryeministri, Sali Berisha në vitin 1993 për nisjen e punimeve për ndërtimin e Xhamisë së Madhe.
“Në vitin 1993 Berisha vendosi tullën e themelit të Xhamisë së re. Berisha mashtroi besimtarët, nuk lejoi ndërtimin e xhamisë për dy dekada. Berisha i la besimtarët myslimanë të falen rrugëve, 19 vjet vetëm një gur themeli”- tha kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu.
Xhamia e madhe e Tiranës pritet të ndërtohet tek zona e “Namazgjasë”, pranë Kuvendit të Shqipërisë. Komisioni për ndërtimin e kësaj xhamie ka pranuar propozimin e ardhur nga Komuniteti Mysliman për ndërtimin e xhamisë së madhe, atje ku ndodhet toka e këtij komuniteti.
Pa kohë më parë, kryeministri Sali Berisha ka garantuar besimtaret myslimane se shumë shpejt së bashku me kryetarin e Bashkisë, Lulzim Basha do te inaugurojnë fillimin e punes per xhamine e re.
Deklaratën, kryeministri e pati bërë gjate programit festiv “Profeti Muhamed a.s. – Krenaria e Njerëzimit”,” organizuar nën kujdesin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dedikuar festës së lindjes së Profetit Muhamed.
© Panorama.al











