
TIRANE – Flakë zjarri të përmasave të mëdha kanë përfshirë mesditën e sotme zonën e Ndroqit në periferi të kryeqytetit. Nga vatra e zjarrit e cila është përhapur me shpejtësi në orët e pasdites, janë djegur dhjetëra hektarë me ullishta. Policia dhe zjarrfikëset thanë se zjarri ka rrezikuar edhe banesat pranë parcelave me ullishte. Zjarri është përhapur me shpejtësi të madhe duke rrezikuar banesat e fshatit Gërbllesh. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30, ndërsa banorët janë shprehur të frikësuar pasi mund të përfshijë banesat e tyre. Ndonëse kanë bërë përpjekje të vazhdueshme, grupet e zjarrfikësve kanë pasur vështirësi të madhe për të mbërritur në vendngjarje, pasi terreni i vështirë përbën pengesë për lëvizjen e mjeteve. Zona është e mbuluar nga tymi, ndërsa banorët kanë dalë në oborret e shtëpive të tyre, me shpresën se zjarri që ka përfshirë vreshtat me ullinj do të shuhet. Nga verifikimet e bëra dje në vendin e ngjarjes, sipas policisë, dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Për këtë arsye kanë nisur hetimet për zbulimin e autorëve të ngjarjes. ndërhyrja deri mbrëmë vonë për shuarjen e zjarrit është bërë me mjete rrethanore për shkak të vështirësisë së hyrjes së mjeteve të rënda në zonë.











