
“Birra Korça” sfidon gjumin. Për tri net rresht, mijëra qytetarë, turistë vendës e të huaj e gdhinë në festën e madhe të “Birra Korça”.
Nata e tretë u mbyll sërish madhërishëm, me plot 50 mijë pjesëmarrës. Festa duket se ka marrë krahë, ndërsa “Birra Korça” mbetet përcaktuese për gjithfarë efektesh gjallëruese që marrin mbrëmjet njëra pas tjetrës. Sikundër ndodhi edhe në dy mbrëmjet e kaluara, festa ka nisur në të njëjtin orar dhe vijoi deri në orët e para të mëngjesit. Në vapën e këtij gushti, qytetarët nuk kishin të ngopur, duke kthyer njëra pas tjetrës gotat e birrës më të preferuar të mbrëmjes nga të gjithë, “Korça”. Mbrëmjes nuk i kanë munguar as përfaqësuesit diplomatikë.

Ambasadorja çeke, Bronislava Tomasova, ka preferuar të dalë nga korniza e përditshmërisë diplomatike dhe të argëtohet në mes mijërave pjesëmarrësve të tjerë. “Po argëtohem vërtet! Është bukur që të festosh për disa orë larg përditshmërisë dhe rutinës, të harrosh për disa momente politikën dhe të pish birrë. Sapo mora vesh që bëhej fjalë për birrën “Korça”, nuk u mendova dy herë. Dy muaj më parë kam vizituar fabrikën dhe pasi u impresionova atje, birra “Korca” është pjesë e pandarë e menysë sime. Një gotë birra “Korça” e konsumoj thuajse çdo ditë. Jam besnike e saj dhe nuk e ndërroj me asgjë, më bën të ndjehem më dinamike. Ta pish këtë birrë dhe të marrësh pjesë në një festë të tillë, të fal një kënaqësi të veçantë. Nga sa pashë unë, qytetarët presin në radhë me padurim për të marrë gotat me birrë “Korça” dhe nuk kam parë asnjë të dehur. Të gjithë po festojnë, po dëfrejnë dhe po konsumojnë birrën “Korça”. Kjo tregon se festa dhe birra janë të dyja cilësore. Edhe unë sapo të mbaroj gotën që kam në dorë, do të pi edhe një tjetër, sepse kjo birrë renditet e para në top-listën e pijeve të mia”, u shpreh mjaft e entuziazmuar ambasadorja Tomasova. Ardhja e këngëtares Maya si surprizë për festën, ka çuar në këmbë të gjithë. Këngët e saj janë shoqëruar nga mijëra spektatorë. Polifonia dhe këngët popullore shqiptare u pëlqyen mjaft edhe nga turistët e huaj, të cilët kanë tentuar gjithsesi të bashkojnë edhe zërin e tyre me këngëtaren e mirënjohur Maya. Në skenë janë ngjitur edhe mjaft artistë të tjerë, të cilët janë duartrokitur dhe shoqëruar me brohoritje të pafundme nga qytetarët. Për tri net, Korça është kthyer në arenë feste, duke thyer rekordin e pritshmërisë së pjesëmarrjes.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











