
Ka përfunduar miratimi i dosjes tekniko-ligjore dhe llogaritja e faturës financiare për 2025 vetëdeklarues të rinj, të cilët duhet që të bëjnë pagesën për të mbyllur procedurën. Agjencia e Legalizimeve bëri publike dje listën me emrat e atyre që kanë gati lejen e legalizimit dhe që për ta përfituar duhet të përfundojnë gjithë procedurat e tjera. Drejtori i ALUIZNI- t, Ardian Kollozi, shprehet se në respekt të angazhimeve të marra për të qenë në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët, vijnë edhe 2000 emra të rinj, për të cilët janë përgatitur lejet e legalizimit. Sipas Kollozit, në vazhdën e përshpejtimit të ritmit të punës, pak ditë më parë u miratua edhe VKM-ja për kalimet e pronësisë dhe kompensimet nga ana e qeverisë. Sipas kreut të Agjencisë së Legalizimeve, është e nevojshme që qytetarët t’i përgjigjen në kohë procesit, duke kryer pagesën e faturës financiare si një detyrim i përfitimit të lejes së legalizimit. Qytetarët pagesën duhet që ta kryejnë në bankë dhe një kopje të mandatit ta paraqesin pranë ALUIZNI- t. “Kërkojmë të njëjtin interesim nga qytetaret, pra pas VKM-së për kalimet e pronësisë, duhet që edhe ata të japin kontributin e tyre, duke paguar faturat dhe lidhur kontratat me qëllim mbylljen përfundimtare të dosjes dhe përfitimin e lejes së legalizimit”, shprehet Kollozi. Agjencia e Legalizimeve ka deklaruar edhe më herët se me kryerjen e pagesës së faturës financiare, dhënia e lejes së legalizimit është vetëm çështje 48 orësh dhe qytetarët mund ta tërheqin atë pa problem dhe të vijohet me regjistrimin në Hipotekë. Aktualisht, ALUIZNI ka filluar publikimin çdo dy javë me nga 2000 emra që duhet të tërheqin faturat. Për ata që nuk kryejnë në kohë procedurën, nga ana e agjencisë është bërë me dije se leja e tyre do të trajtohet në një moment të dytë për të mos humbur kohë me pritje, në mënyrë që procesi të përmbyllet brenda vitit 2013, sikurse është deklaruar. Për të respektuar këtë afat, Agjencia e Legalizimeve ka rritur edhe numrin e zyrave për disa rajone, ku vetëm në Tiranë janë katër drejtori të reja rajonale.
(LISTEN E PLOTE ME EMRAT E QYTETAREVE QE MARRIN LEJET E LEGALIZIMIT e gjeni ne numrin e sotem te gazetes, Panorama)
NERTILA MAHO











