NDRIÇIM KULLA
Sigurisht, edhe ne shqiptarët, nëse s’do të kishim pasur histori, s’do të kishim ekzistuar. Ngjarjet dramatike e kanë kushtëzuar vërtet jetën e brezave tanë që na kanë paraprirë, ashtu siç mund të na kushtëzojnë edhe ne. Të fitosh një ndërgjegje të saktë historike, është mënyra më e mirë për të qenë i lirë kah së ardhmes. Historia është më se e dobishme për të parë përpara me sy më kritik e më të rreptë, pra kësisoj, me më shumë liri. Pasi mungesa e një njohjeje të duhur të së shkuarës, e vendos njeriun në një kusht vartësie, nënshtrimi ndaj fuqive dhe kushtëzimeve kulturore. Vetëm njohja kritike e së shkuarës mund të na ofrojë hapësira lirie. E shkuara nuk arrin të fshihet me asgjë. E shkuara tejkalohet, por nuk fshihet, sepse mbetet brenda njerëzve që e jetuan. Disa ngjarje të caktuara lënë gjurmë të tipit antropologjik, politik, social a psikologjik, disa të tjera jo. E kjo, sepse njerëzit janë të ndryshëm, sidomos në kohë. Njerëzimi është i ndryshëm në komponentët e vet. Nuk mund të kthehesh dot mbrapsht. Mund të lindin, natyrisht, fenomene që kanë analogji me ato të së shkuarës, për të cilat dija historike shfaqet mjaft e dobishme për të shmangur rikthimet e së shkuarës. Historia arrin të na bëjë të kuptojmë se përse arritën të ndodhnin gjëra të tilla, e pasi i bën ato të kuptueshme, i pengon të përsëriten. Për ta mbyllur orvatjen tonë në parashtrimin e atyre pyetjeve të mëdha dhe themelore, të sintetizuara në periudhat më të spikatura, që duhet të kthehen në fushat më të rëndësishme studimore të historiografisë sonë në këndvështrimin e rishikimit të historisë, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe një periudhë, jo kaq të shtrirë në kohë si ato të mëparshmet, por gjithsesi mjaft vendimtare për nga rëndësia e saj. Bëhet fjalë për periudhën nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) deri në shpalljen e pavarësisë (1912), një periudhë kjo që është kaluar shumë lehtësisht, ose përciptazi, pa një studim të thellë, por që po të bazohemi në prurjet e reja, do të na paraqiste një qëndrim disi më ndryshe edhe për vetë aktin më të madh të shtetit shqiptar, shpalljen e pavarësisë së tij. Kjo për disa arsye: së pari, kemi risi në kuptimin më të mirë të rëndësisë dhe zhvillimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bashkë me efektet e saj diplomatike. Populli shqiptar, gjatë periudhës së vet historike, ka disa ngjarje me rëndësi të madhe, të cilat, herë pas here, provojnë aftësinë e kombit shqiptar, për mendime të larta dhe ide të mëdha. Në shekullin XV, luftëtarët e Skënderbeut, me një grusht njerëzish kundrejt një perandorie ushtarake, si ajo e Turqisë, e cila atëherë ndodhej në kulmin e fuqisë djaloshare, formojnë tragjedinë e parë heroike të këtij kombi. Lidhja e Prizrenit, që këtë vit festoi 134-vjetorin e fillimit të saj, formon kurorën e dytë të lavdisë shqiptare. Lufta e Vlorës, më vonë, prej një grushti njerëzish kundra një pushteti të madh 40 milionësh formon kurorën e saj të tretë. Që nga lufta e Skënderbeut e gjer në vitin 1878, që është fillimi i Kongresit Kombëtar të Prizrenit, populli shqiptar, nga Europa e qytetëruar konsiderohej si i thëthitur prej popullit turk dhe si një anëtar i familjes së madhe myslimane, që nuk pranonte kombësi të veçantë. Si përfundim i këtij mendimi, Shqipëria konsiderohej si një kuptim gjeografik dhe populli shqiptar, i destinuar për të pësuar fatin e turqve të Ballkanit, d.m.th., për t’u zhdukur nga kjo tokë e për t’u mërguar, shpejt ose vonë, në Azinë e vogël. Lidhja e Prizrenit ishte faktori i parë i rëndësishëm që përmbysi kuptimin e keq të Europës Perëndimore rreth çështjes shqiptare. Veprimet e Lidhjes treguan faqe botës se populli shqiptar kundrejt rrezikut mund të bashkohet, dhe kur ky komb luftëtar bashkohet me zemër, mund të bëjë vërtet mrekulli. Shpirtësuesi i kësaj lëvizje kombëtare ishte një njeri i jashtëzakonshëm nga cilësitë e nga karakteri, i cili quhej Abdyl bej Frashëri. Duke qenë se mbledhja e Prizrenit në fillim kishte një trajtë fanatike, e cila do të rezultonte më tepër e dëmshme se sa e dobishme, Abdyli, me inteligjencën e shquar, me mendjen e kthjellët, me karakterin e lartë, me ndihmën e një kulture perëndimore formoi qendrën e Frashërit, hartoi programin dhe me një shpirt inovues, ia ndryshoi faqen Lidhjes dhe i dha frymën nacionale dhe kuptimin europian. Që nga kjo lëvizje, në çdo ngjarje politike që zhvillohej në Ballkan e që bëhej objekt bisedimi në qarqet diplomatike filloi të zërë vend edhe çështja shqiptare si çështje e një kombësie të veçantë. Ndaj, lëvizja e Lidhjes së Prizrenit formon kuptimin e parë të Rilindjes Shqiptare, e kjo është e një rëndësie parimore për t’u përcaktuar. Risi mund të sjellin edhe disa libra të caktuar që trajtojnë Kongresin e Berlinit dhe Traktatin e Shën Stefanit, por, për fat të keq, nuk janë botuar ende, si një ironi e fatit që kërkon të tregojë se sa baza të varfra ka historiografia jonë. Gjithsesi, risia më e madhe do të qe studimi i arkivave të Perandorisë Otomane. Po mesa duket vështirësia qëndron jo aq shumë në sasinë e tyre të madhe, se sa në mënyrën e klasifikimit dhe në mungesën e studiuesve kompetentë për të kryer hulumtimet e duhura. Ndërkohë që eksplorimi i arkivave otomane do të sillte kontributin më me vlerë në plotësimin e historisë shqiptare të këtyre viteve, nëse do ta krahasonim me materialin arkivor të shpërndarë nëpër kryeqytetet europiane, që ka shërbyer deri më sot si baza kryesore e studiuesve tanë. Falë risisë së hulumtimeve të kryqëzuara të këtyre arkivave, është arritur në një mendim më të pjekur mbi periudhën tonë të pavarësisë. Ky mendim pohon se pavarësisht faktorëve të caktuar pozitivë, përsëri ngurojmë të themi se shqiptarët qenë gati për pavarësinë. Kombet e tjerë të Ballkanit patën një periudhë të gjatë përgatitjesh kulturore, përpara se ta fitonin atë. Shqiptarët, që kishin më shumë nevojë, kryen vetëm një përgatitje të vogël. Aq sa mund të thuhet se tri vitet e fundit të sundimit xhonturk bënë më shumë për zhvillimin e vetëdijes kombëtare, se sa patën mundur të bënin dekada të tëra përpjekjesh të ngadalta kulturore. Zgjimi kombëtar i shqiptarëve u erdhi pjesërisht në një mënyrë graduale dhe pjesërisht si rrufe dhe tronditje. Edhe në fund, kur plasi Lufta e Parë Ballkanike, atyre iu desh të luftonin për të penguar shpërbërjen e vendit. Mirëpo, tash fati i atdheut ishte në duart e fuqive të mëdha. E vetëm në sajë të përpjekjeve të Italisë dhe Austro-Hungarisë në arenën ndërkombëtare, njëherësh edhe të rivalitetit të tyre në Adriatik, në bashkëpunim edhe me vetë elementin shqiptar, u arrit të bëhej e mundur shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. Asaj ajo iu diktua nga natyra e ngjarjeve historike. Por, megjithatë, ndonëse e papjekur, provoi të ishte shpëtim i këtij vendi, dhe udhë-çelësja e asaj lëvizje të vrullshme zhvillimi të vetëdijes kombëtare, të ardhur menjëherë në dekadat pasuese. Lidhja shqiptare hodhi themelet për veprimtaritë e ardhshme kombëtare. Por, revoltat që vazhduan për një kohë të gjatë pas shtypjes së Lidhjes qenë të herëpashershme dhe sporadike në Veri dhe patën si qëllim interesat lokale. Ato nuk ndoqën mendimin politik kombëtar shqiptar. Ndërsa me ardhjen e shekullit të ri në kryengritjet e bëra u futën dhe kërkesa me karakter kombëtar. Në mes të shqiptarëve kishte nisur të zhvillohej vetëdija kombëtare, jo vetëm në Jug, por dhe në Veri. Një letër e konsullit francez në Shkup është kuptimplotë për këtë: “Tani nuk janë më ato mbledhje periodike ku shumë bajraktarë fisesh vinë tok për të biseduar mbi çështje që i ndajnë pa folur për një Shqipëri të pavarur, pa caktuar kufijtë e shtetit të ardhshëm, pa treguar kujdes për formën e qeverisë që do t`i përshtatej më së miri”. Një shtytje e mëtejme u dha prej luftës së çetave të maqedonasve. Shqiptarët kuptuan atëherë qëllimet ekspasioniste të fqinjëve të tyre ballkanas dhe për këtë krijuan çetat e para kombëtare, të përbëra edhe prej myslimanësh, edhe prej të krishterësh.











