ACR, investim 15 milionë dollarë për ndërtimin e pusit në Bulqizë

Aug 17, 2012 | 15:58

BULQIZË- Kompania ACR nënshkroi dje marrëveshjen e bashkëpunimit me kompaninë e madhe kineze “Mining Construction 2nd Division”, për ndërtimin e pusit në minierën e Bulqizës. “Pas 20 vitesh që minatorët e Bulqizës, por edhe komuniteti, prisnin të ndërtohej pusi i thellësisë, kompania “Albanian Chrome” sh.p.k. (ACR) është gati për fillimin e punës për ndërtimin e këtij pusi, që garanton jetëgjatësinë e minierës dhe siguron të ardhmen e mbi 700 familjeve në Bulqizë. Ky investim kap shifrën e mbi 15 milionë USD, duke siguruar kështu një perspektivë afatgjate, jo vetëm për këtë rajon, por edhe për industrinë minerare në Shqipëri”, thuhej në njoftimin e ACR-së ditën e djeshme. Pjesë e këtij projekti madhor është bërë edhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe dy strukturat e autoritetit minerar, AKBN dhe RISHM. Gjithashtu, ministri i METE-s ka ofruar mbështetjen e tij maksimale si edhe atë të institucionit që ai drejton, për punimet që ACR po kryen e në veçanti hapjen e pusit të ri dhe që do të ketë një ndikim të ndjeshëm në të ardhmen e komunitetit të Bulqizës për të paktën 30 vitet e ardhshme. Sipas njoftimit të dhënë, në minierën e Bulqizës do të ndërtohet një pus vertikal që do t’i japë akses thellësisë nëntokësore. Sipas ACR-së: “Pas vizitës dhe punës inxhinierike njëjavore në minierë dhe analizimit teknik dhe profesional të të gjitha strukturave, grupi përfaqësues i kompanisë kineze ‘Mining Construction 2nd Division’ u shpreh shumë i impresionuar, veçanërisht nga kushtet e sigurisë në të gjithë minierën. Ata gjithashtu u shprehen optimistë për kryerjen e punimeve të mëtejshme në minierë, duke vlerësuar punën e kryer nga kompania ‘Albanian Chrome’ gjatë 9 muajve të fundit për garantimin e sigurisë maksimale në punë, si edhe përgatitjet për realizimin sa më shpejt të këtij projekti gjigand”.

© Panorama.al

Te lidhura