Kombëtarja “i falet” gjeneratorit

Aug 15, 2012 | 15:20

Miqësorja mes Shqipërisë dhe Moldavisë përfundimisht do të luhet sot, në orën 20:30, në stadiumin “Qemal Stafa”. Ndërkohë është zgjidhur problemi i ndriçimit, i cili do të bëhet me gjenerator, pasi kompania CEZ nuk ka pranuar që të lëshojë energji elektrike për stadiumin, duke qenë se ky impiant është debitor me 7 milionë lekë (të vjetër), shumë e akumuluar në kohë. Një ditë më parë, sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, “kërcënoi” në një farë mënyre CEZ-in, duke e akuzuar si “të pandjeshëm karshi Kombëtares”, dhe duke mos pranuar që të paguajë debinë ndaj kësaj kompanie. “Unë si sekretar i Federatës ia parashtrova zgjidhjen CEZ-it, duke konfirmuar se ne ishim gati të paguanim çdo shpenzim që tani e tutje, paçka se ende stadiumi nuk na ka kaluar tërësisht ne, për shkak të disa burokracive shkresore. Por ne nuk mund të marrim përsipër borxhin që një kompani e mëparshme shtetërore, e cila ka pasur në administrim stadiumin, ka karshi një kompanie tjetër, siç është në rastin konkret CEZ-i. Kjo është e pakonceptueshme. Ne të tilla kushte, ne do të lajmërojmë FIFA-n. Mund të sigurohet pa problem edhe një gjenerator, por FIFA ka rregulla strikte dhe nuk të lejon nisjen e një ndeshjeje ndërkombëtare pa dy burime alternative”, – pat pohuar dje Prodani. Një ditë më vonë, dje, federata çuditërisht as nuk e lajmëroi FIFA-n, as nuk e lajmëroi kundërshtarin dhe as nuk pretendoi për gjetjen e një burimi të dytë energjie alternative, duke vendosur që takimi të luhet me drita falë gjeneratorit.

© Panorama.al

Te lidhura