Nga e ëma tek e bija, në ankand fotot e mamasë së Uma Thurman

Aug 14, 2012 | 14:20
Nena von Schlebrugge, e ëma dhe Uma Thurman

Nga këto foto është e thjeshtë të kuptosh se nga ka ngjarë aktorja Uma Thurman. Fotografitë e Nena von Schlebrugge, të publikuara nga “Daily Mail” janë realizuar për Vogue kur ajo punonte si modele në vitin 1950. Shkrepjet janë realizuar në një korridor në Londër nga fotografi Norman Parkinson, ku Nena shfaqet e veshur me krijime nga koleksioni i parë i Yves Saint Laurent për Christian Dior. Fotot do të dalin në ankand në shtator tek Christie’s në Londër. Dy fotografitë e saj në korridor pritet të kapin shifrën e 4 mijë paundëve, ndërsa një foto tjetër e saj pranë Pallatit Westminster është vlerësuar tek 6.000 paundë. Nena pati një karrierë të suksesshme dhe, kur u zhvendos në New York, pozoi për Ford Modelling Agency. Më pas ajo u martua me Robert Thurman dhe patën 4 fëmijë, duke përfshirë dhe Uma-n, e cila u bë një aktore e njohur. Uma është shprehur se ajo e admiron të ëmën për mënyrën se si zhvilloi karrierën e saj si modele, kur ishte vetëm një adoleshente. “Ajo është një njeri shumë i fortë dhe i pavarur. Ajo doli të ngrinte jetën e saj në një moshë shumë të re. Në të 15-at iku nga Stokholmi për në Angli. Imagjinoni, ishin vitet ‘50″, ka thënë ajo për mediat e huaja, teksa shton se çuditet kur i thonë se ka trashëguar pamjen e bukur të së ëmës. “Unë nuk jam tërheqëse në mënyrë klasike. Gjithmonë kam qenë një lloj shijeje e fituar”, thotë. Ajo thotë se ka qenë pikërisht e ëma që e ka mësuar të mos jetë shumë e dhënë pas bukurisë së jashtme. “Mamaja ma ka bërë të qartë se, sido që të dukesh tani, më vonë do dukesh më keq. Mos u lidh shumë me bukurinë tënde, sepse nuk e mban dot. Mos mendo se është ndonjë dhuratë e madhe dhe të mund të mbështetesh në të”. Dhe kur e thotë ajo…

© Panorama.al

Te lidhura