Kur një vit më parë Lulzim Basha hyri në zyrën e kreut të Bashkisë së Tiranës, përveç mijëra qytetarëve, në katin e dytë të godinës në qendër të kryeqytetit, në atë pjesën e fundit të korridorit me ngjyra të errëta dhe ndriçim të vakët, ku një tabelë shkruante “Kryetari”, shkelën për herë të parë edhe disa punonjës të vjetër të administratës. “Është hera e parë që vijmë këtu”, thanë ata pa e fshehur emocionin. Dy prej tyre ishin pjesë e Bashkisë prej 11 vitesh, por kurrë nuk kishin guxuar të merrnin majtas, andej nga ajo pjesë e hollit ku rrinte shefi. I tillë ishte modeli “Rama”. Ai kishte paprekshmëri, nuk mund t’i afrohej kush. Punët e Bashkisë ishin çështjet e tij private. Vizitorët e vetëm dhe ata me të cilët ai ndante idetë dhe ushtronte pushtetin, ishin miqtë, klientët, grupi i interesit; me një fjalë, një vëllazëri sekrete që vendosnin për fatet e qytetit në atë këndin pa dritë në fund të katit të dytë.
Sot vendi ku punon kryetari i Bashkisë është zyra e hapur, publike, ndoshta më e frekuentuara nga qytetarët e Tiranës. Mijëra banorë janë ulur në karriget e zotit Basha dhe kanë paraqitur shqetësimet dhe kërkesat e tyre. Mijëra të tjerë do të kenë shansin çdo të premte të muajve dhe viteve në vijim.
Ata nuk i zgjidhin hallet e tyre sakaq me një takim, por dëgjohen nga kryetari dhe çështja e tyre futet në shqyrtim.
Kjo risi duket të jetë arsyeja pse Edi Rama është i shqetësuar për bilancin njëvjeçar të Lulzim Bashës. Aq sa, prej tri ditësh ka nisur një sulm të organizuar. Janë gjashtë dalje publike anti-Basha të Partisë Socialiste. Pos sulmit mediatik të paprecedent, me një spot-dokumentar në një televizion ku ai vetë dukshëm kishte rolin e mentorit editorial, çalltisën njëri pas tjetrit këshilltarë rozë e drejtues të refresh.
E gjitha kjo e lë zbuluar marazin e Ramës dhe del qartë se ai e ka një hall të madh me Bashën.
Kryetari i sotëm i Bashkisë së Tiranës jo vetëm arriti në një vit të realizonte premtime dhe t’u jepte zgjidhje disa çështjeve të mahisura prej një dekade, por më e keqja dhe e papërballueshmja për z. Rama është se tani modeli i tij, trashëgimia që ai la, është përmbysur, është çmitizuar, ka rënë, si të thuash.
Kur i shton kësaj edhe faktin se prej kohësh njerëzit e dinë se edhe aksioni spartan për heqjen e kioskave, që ishte diadema e krenarisë së tij, mban tjetër autorësi, të qeverisë së asaj kohe.
Për vëzhguesit e politikës, edhe sot e kësaj dite ai vazhdon të mos ketë një program serioz dhe bindës për të ardhur në pushtet. Arma e tij e fortë, alternativë kryesore, ka qenë dhe mbetet qeverisja e Tiranës, mënyra dhe stili se si e menaxhoi qytetin.
“Rama do ta bëjë Shqipërinë siç bëri Tiranën”, thonë bashkëpunëtorët e tij.
Tani kjo kartë nuk vlen më. As media që godet Bashën, as refresh me piercing, as këshilltarë e drejtues rinorë të nxjerrë me pahir, nuk e ngjallin dot më modelin “Rama” të Tiranës. Faktet janë kundër.
Për herë të parë Tirana ka sot një plan të përgjithshëm të zhvillimit urbanistik, vetëm një vit pasi Basha erdhi në pushtet. Puna e ekspertëve, e pedagogëve, e drejtuesve universitarë, e njohësve më të mirë të fushës, të thirrur në tryezat e Bashkisë, është finalizuar. Tani pritet konsultimi me qytetarët dhe zyrtarizimi në Këshillin Bashkiak. Njëmbëdhjetë vite është ndërtuar kuturu në Tiranë, me studime pjesore, sipas axhendës, të ndryshme nga ajo e qytetarëve. Kjo është ajo trashëgimi e Ramës që qyteti do të vuajë gjithë jetën. Betoni që vetëm ngrihej përpjetë dhe cilësia e jetës që binte teposhtë. Padrejtësi po ashtu në zhvillimin e pronës, ku dikush bëhej i pasur brenda natës, dikush mbetej i rrënuar në të njëjtin truall.
Klima për biznes sot është e favorshme, çka e dëshmojnë shifrat ku për një vit janë regjistruar 1202 njësi, më shumë se e njëjta periudhë në kohën e Ramës.
Në Tiranë, biznesi paguan tri herë më pak detyrime se sa në Gjirokastër. Informaliteti ka zbritur dhe është rritur besueshmëria tek administrata e re.
Bashkia ka dërguar për hipotekim 5781 apartamente që kishin mbetur të bllokuara për shkak të mosushtrimit të përgjegjësisë. Hapja e sheshit “Skënderbe” solli reduktimin me 30 për qind të ndotjes. Për një vit është bërë gati shtrati nga ku do të kalojë ditët në vazhdim ndryshimi i njëmendtë i Tiranës. Zgjatimi i bulevardit, një revolucion që do t’i japë kryeqytetit përmasat dhe cilësinë e merituar.
Studentët, populli më vital dhe interesant i qytetit, kanë gjetur te Basha një aleat gjenuin. Karta bashkiake që siguron privilegje për këta të rinj është gati dhe ka filluar të shpërndahet. Janë bërë marrëveshje me organizatat e biznesit për të ndihmuar në punësimin e tyre.
Lulzim Basha nuk ka një skeptër magjik për të ndërtuar Romën në një ditë. Por ai ka vullnetin, optimizmin dhe projektin e duhur për ta bërë Tiranën më moderne, më të drejtë, me shanse më të barabarta. Sa më shumë konsolidohet modeli “Basha”, aq më shumë bie në harresë modeli “Rama”. Çka do të ishte hiç më pak se një fatkeqësi për të, kur mendon se kjo mbetet ende aseti më i rëndësishëm në luftën e tij politike për të ardhur në pushtet.
© Panorama.al












