Me zemër nga Turqia dhe sytë nga Himara

Jul 29, 2012 | 13:00

ROMINA DIFI

E kemi “mbytur” fare. Nuk kemi lënë media, tavolinë kafeje apo me shprehje fytyre pa sharë e stërsharë shërbimin në vendin tonë. Cilat janë 10 pikat që turizmi në vendin tonë i plotëson, të cilat nuk lidhen fare me krizën ekonomike, por që po të mos jetë për pikën e parë (atë që zë vendin e parë nuk do të mund të ishin as 9 pikat (vendet) e tjera)? Si fillim, kujt i referohemi me hotel në vendin tonë? Ndërtesave në minimum dykatëshe (por nuk përjashtojmë as njëkatëshet), të cilat kanë ngjitur në faqe të murit një letër ku thuhet se jepen dhoma me qira. Këto ndërtesa mund të kenë ndërmarrë edhe riskun për t’u quajtur “Hotele”, madje në shumë raste pronarët e tyre nuk të “falin”: pranë fjalës “Hotel” të sheh syri edhe një numër të kufizuar yjesh. Nuk do të donim aspak ta trajtonim si gënjeshtër numrin e yjeve apo, tek e fundit, edhe prezencën e një ylli të vetëm. Ne e dimë shumë mirë se pronari i hotelit nuk ka pasur si qëllim të gënjejë, thjesht atij i ka munguar rasti të shohë në jetën e tij një hotel me aq yje sa ai pretendon se “ndërtesa” e tij i ka.
Duke u nisur nga avantazhet konkurruese që një biznes ka ndaj një tjetri, një klient mund të zgjedhë objektivisht se në cilin “zhanër” shërbimi do të bëjë pjesë, mirëpo në shërbimin hotelerik në vendin tonë diçka e tillë të mohohet, të gjithë ofrojnë një 9-she kriteresh, të dhjetin e kanë falas, dhe shpesh është ai kriteri i 10-të (i specifikuar në vendin e 10-të), pa të cilin nuk do të kishim 9 të tjerët dhe që në shumë raste shkon dhe ngatërrohet me nocionin e krizës ekonomike.
Përpara se t’ju prezantojmë me 10 vendet (10 pikat që ofron shërbimi hotelerik në Shqipëri), ju këshilloj të uleni në kafenenë më të afërt dhe të porosisni për të pirë, gjithnjë nëse keni shansin që kamerieri të vijë brenda 30 minutave të para.
Në vend të 10-të
Dhoma: Të sigurohet një dhomë që të bën ta kërkosh kënaqësinë që të fal deti. Kjo bëhet për një arsye të thjeshtë: mëngjesin e ditës tjetër ta presësh me mall. Le ta harrojmë dhomën në Turqi (më shumë mund ta harrojnë ato që e kanë parë nga interneti, pasi ato që kanë qenë në nuk munden dot ta harrojnë) me një minimum 30-35 metra katrorë, që të jep mundësinë që të lëvizin të gjithë pjesëtarët njëherazi. Prioritet përbën vendosja e semaforit, i cili ndihmon në sheshimin e konfliktit: kur do të çohesh ti për të shkuar në banjë (se të thuash “tualet” përbën pak borgjezi) dhe kur do të çohet tjetri të ndryshojë pozicionin e antenës.
Vendi i 9-të
Minifrigorifer apo dhe një frigorifer normal ju bën që t’i qëndroni larg, jo si në shtëpitë tuaja, ku çdo 20 minuta përballeni me pamjen brenda frigoriferit. Këta frigoriferë që t’i mundëson vendi i 9-të, ofrohen pa asgjë brenda. Le t’i harrojmë frutat brenda tij, ku në një pjatancë të vogël janë prerë në kubikë një kokërr mollë, një kokërr kumbull, një fetë shalqi, një fetë pjepër, 3-4 kubikë akull dhe disa shkopinj të vegjël të ngulur në ndonjë prej copëzave të frutave, të cilët të gjithë së bashku nuk e kalojnë koston 100 lekë, por lenë një impakt të mrekullueshëm te klienti që paguan 4000 deri 10 000 lekë të rinj natën. Në hotelet tona e ke të garantuar mungesën e kësaj pjatance, sado qoftë shuma e pagesës tënde.
Vendi i 8-të
Uji i pijshëm. Një person mund të pijë deri 2 litra ujë në ditë, kostoja e të cilave është 40 lekë. Personat që ofrojnë shërbime në vendin tonë nuk besojnë që klienti meriton të shumtën 1/100 e asaj që paguan dhe për më tepër të ofrosh ujë të pijshëm në vendin tonë është diçka e rrallë, ndaj për atë që e bën, siguron menjëherë një avantazh konkurrues. Sigurisht që pronarët e hoteleve dhe të lokaleve në Vlorë do të përmendin se ata shesin ekskluzivitetin e “ujit të ftohtë”, dhe jo vetë ujin. Në vend të 8-të ju garantohet mungesa e filtrit të ujit nëpër çezma apo e në rastin më fantazues ju garantohet mungesa e një kolie me ujë të blerë nga vetë pronarët, ata nuk duan t’ju japin të kuptohet që punojnë shumë për mirëqenien tuaj, pasi si rrjedhojë, mund ta keqinterpretoni dhe ta shihni pronarin me një sens nënvlerësues, gjë që rrezikon daljen nga “turma” e hoteleve (siç e thamë më sipër, këto 10 pika i ofron çdo hotel në Shqipëri). Vendi i 8-të, më shumë se çdo vend tjetër, siguron uniformitetin e shërbimit hotelerik.
Vendi i 7-të
Dysheku: Të mos thotë njeri që nuk ka provuar të flejë në një dhomë 4 metra katrorë, në krevate marinari, dy sipër dhe dy poshtë (pra 1 metër katror për çdo person, sigurisht del dhe tepron, në fund të fundit, askush nuk ka shkuar të ankohet te pronari, të gjithë kemi shkuar vetëm sa për t’i dhënë lekët apo eurot në raste edhe më të rënda). Për ata që nuk e kanë provuar ndonjëherë ndjesinë që të fal “një person, një metër katror”, i sugjerojmë pa diskutim Dhërmiun. Pronari që të merr paratë nuk lë rast pa përmendur rëndësinë që ka deti i Dhërmiut dhe se fjetja e rehatshme nuk është pjesë e turizmit. Në vend të 7-të e keni të garantuar që do të shijoni pamjen e një deti të mrekullueshëm me sytë e rraskapitur nga pagjumësia e një nate më parë.
Në vend të 7-të është dysheku që në birucat e izolimit do të detyronte shumë të burgosur të ngriheshin në grevë dhe një ndërhyrje të menjëhershme nga “agjentët” e Komitetit të Helsinkit.
Vendi i 6-të
Çarçafët. Të ofrohen të ashpër, tamam për një fërkim natyral të lëkurës. Kjo mundëson që lëkura e rreshkur nga dielli të mund të rikuperohet pa pasur nevojë për elemente të tjera, të cilat ditëve të sotme të ofrohen me çmime të kripura, gjasme baltëra nga Deti i Vdekur apo skrap me fruta ekzotike; asnjë nga këto nuk krahasohet me ashpërsinë e çarçafëve që të ofrojnë hotelet në Shqipëri. Është menduar që kjo ashpërsi të ruhet gjatë, ndaj në vendin e 6-të ju sigurohet me shumë mundim nga ana e pronarëve, çarçafë të palarë për të gjitha ditët e qëndrimit tuaj. Ndoshta ju diçka të tillë nuk e dini, por të paktën mos e shfaqni “injorancën” tuaj duke kërkuar ndërrimin e çarçafëve.
Vendi i 5-të
Peshqirët: Si fillim ju garantojmë se fiziku juaj do të përmirësohet dukshëm nga uji i kripur dhe mos harroni se mbajtja e tij në trup përbën një proces kurativ të pazëvendësueshëm. Njëlloj si në qendrat e antiobezitetit, ku klientit i ndalohen ushqimet pro dhjamosjes, ashtu edhe në dhomat ku jeni rehatuar ju hiqet mundësia të largoni nga trupi ujin e detit bashkë me djersën dhe pluhurin (me pak fjalë “zhulin”). Larjen edhe mund ta bëni, por kujdesuni të jeni i pari që futet në dush, pasi në banjë vetëm një peshqir ka, që në datën 1 korrik, kur ju filluat pushimet. Në vend të 5-të është peshqiri i vetëm, dhe megjithëse është i vetmi peshqir që ka banja, kërkon vëmendje të dallohet, pasi përmasat e tij janë sa të një pecete kuzhine, dhe për këtë arsye shpesh e gjen të rrëzuar përdhe. Por kjo nuk do të thotë që ai, i vogli peshqir mungon, ai do të mbahet mend gjatë, do të të shoqërojë përgjatë gjithë pushimeve, së bashku me çarçafët lule-lule.
Vendi i 4-rt
Në vend të katërt ju garantohet një ambient i banjës, i cili do t’ju rikthejë dëshirën për t’u larë në det. Edhe merimangat dhe insektet mund t’i shihni kudo. Edhe atyre, me sa duket, nuk u ndahet shpirti nga banjat. Për vendin e 4-rt ka shumë për të folur. Në të tilla raste i lihet gjithnjë në dorë klientit të rikujtojë banjat që ka parë në jetën e tij në hotelet ku ka qëndruar. Janë të tepërta fjalët aty ku eksperiencat janë të shumta.
Vendi i 3-të
Televizori: Një televizor me 12 kanale greke, nëse të ka kapur rruga nga jugu apo me më pak kanale sllave, nëse je në veriperëndim, por ke edhe ca miza që të lënë pak shpresë për një sinjal të shpejtë andej nga kanalet vendase. Nisuni me pushime, por më shumë nisuni me objektiva të qarta, stacione dixhitale nuk do të gjeni. Paçka kostos së përballueshme të tyre nga ana e pronarëve të bizneseve, ato sërish mungojnë. Pronarët kanë menduar t’ju shkëpusin nga monotonia e stacioneve “të bukura”.
Deri këtu jemi shumë dakord në arsyetim me pronarin, vetëm nëse nuk jemi pjesë e gjinisë mashkullore, pasi për një mashkull, mungesa e televizorit dhe, për më tepër, e komandimit efektiv të tij (e kemi fjalën për praninë e telekomandës), nuk krahasohet me asnjë kënaqësi tjetër (në kushtet kur familjarët e tjerë i ke nëpër këmbë dhe kur buka me sallam para televizorit të shijon më shumë se ushqimi italian pa televizor). Normalisht, në vendin e 3-të i mbetet femrës apo femrave të familjes të bëjnë punë bindëse me meshkujt për rëndësinë e pakët që ka televizori, dhe nëse kjo punë nuk rezulton efektive, nuk është faji i pronarëve të dhomave për paaftësinë promorcionale antitelevizor që kanë femrat shqiptare.
Vendi i 2-të
Më falni t’ju pyes, po kamerieri ju ka ardhur në tavolinë deri tani?
Ju ka ardhur?
Bukur fare, mund të na shkruani më tej për këtë lokal në adresën tonë të internetit këshillashë[email protected].
Që të shijosh sa më shumë detin, pra që të rikthehesh në det, të ofrohet një kondicioner që nuk punon, ose një freskuese që me zhurmën e saj të detyron ta fikësh dhe të bësh fresk me gazetën që bleve në plazh. Në vend të dytë kemi kuptuar që pronarët janë kujdesur që çdo klient ta “shijojë” verën me çdo komponent të saj, sado sikletues që mund të jetë.
Vendi i parë
Në vend të parë janë shkaktarët e gjendjes aktuale të nivelit të shërbimit në vendin tonë.
Nuk është kriza ekonomike dhe të mos bëjmë budallain kot, se në kokërr të vapës nuk luhet kollaj ky rol:
Ku hyn kriza ekonomike në arkitekturën e dhomave (në rastin kur ka pasur arkitekt)?
Ku hyn kriza ekonomike në pjatancën e frutave brenda frigoriferit? Në çarçafët e cilësisë më të ulët, në peshqirin e vetëm, në pastërtinë apo strukturën e banjës, në satelitin apo antenat e dhomës që mungojnë? Të na falni, po në cilën prej tyre hyn kriza ekonomike?
Krizë ekonomike që duam ne të justifikohemi është kriza që kemi një jetë që na mban fort, është mungesa e dëshirës për të punuar, për t’i shërbyer klientit dhe, meqë ra fjala, ai kamerieri që erdhi jua mori porosinë (nëse ka ardhur)? Ju buzëqeshi ndopak ndërsa ju thoshte me një ton të mbytur zëri: “Çfarë do merrni?”.
Ore, po në vend të parë kush janë?
Janë klientët, klientët shqiptarë.
Nëse ky nivel shërbimi që kemi në vendin tonë i qëndron 30 vjet mbrapa Turqisë, nuk është faji i pronarëve të bizneseve turistike, Ata thjesht ofrojnë atë për të cilën klienti i tyre ka nevojë, dhe klienti ynë, për më shumë se sa një shërbim të mirë, ka nevojë të akumulojë mllef brenda vetes. Klientët shqiptarë u garantojnë pronarëve të bizneseve një heshtje totale përballë tyre dhe një rrufe sharjesh pas krahëve. Kultura e klientit shqiptar duket sikur ka një kushtetutë që e detyron të zbatojë këto nene:
– Nuk do t’i thoni asgjë pronarin apo të ashtuquajturit menaxher në lidhje me papëlqyeshmëritë tuaja.
– Do t’i buzëqeshni në një formë të tillë saqë t’i krijoni idenë se ia dini shumë për nder që po ju mban “pa pagesë” në ndërtesën e tij.
– Do t’i lani rrobat çdo ditë me dorë dhe as do ta çoni ndër mend që t’i thoni pronarit të hotelit apo shtëpisë se nuk keni ardhur për të bërë një ekspeditë historike me tematikën “Pse u bënë të domosdoshme lavatriçet?”.
– Do të blini tapa për veshët, por nuk do të protestoni për zhurmat apo muzikat orar e pa orar.
– Do të merrni me vete çarçafë dhe peshqirë, dhe do të paguani edhe 100 euro natën pa bërë asnjë kërkesë më shumë sesa thjesht të fjeturit gjumë (hesap tjetër nëse e arrini apo jo këtë objektiv).
– Ditën e fundit do ta zhvilloni në këtë formë:
Situata e parë: Rasti kur ti je klient për herë të parë në atë hotel/ndërtesë.
Pronari të jep kartëvizitën apo numrin e telefonit, ai është shumë i kujdesshëm për të mos e prishur muhabetin në ditën e fundit, ndaj edhe nuk të pyet se si të shkuan pushimet, a u kënaqët apo jo, por akoma më i kujdesshëm duhet të jesh ti si klient, merr kartëvizitën pa u ngërdheshur fare, paçka pakënaqësive që ke grumbulluar çdo moment ku je përballur me një nga 9 pikat e mësipërme, pasi mesazhet negative joverbale vërtet janë pjesë e kulturës sonë, por ato përdoren vetëm në marrëdhëniet mashkull-femër apo epror-vartës (vetëm eprori mund t’i përdorë), madje nuk të kushton asgjë nëse i thua me atë sensin hipokrit natyral që e gëzon çdo shqiptar, se do t’u flasësh mirë miqve të tu për hotelin ku qëndrove.
Gjatë rrugës së kthimit klienti shqiptar është shumë i kujdesshëm për ta hedhur gjithë mllef nga dritarja e makinës/autobusit kartëvizitën që e mori pa hezituar asnjë sekondë.
Situata e dytë: Këtu kemi të bëjmë me klientin që çdo vit i bën pushimet në të njëjtin hotel/ndërtesë dhe çdo vit betohet se nuk do të vijë më vitin tjetër. Këtij klienti i themi se ditën e fundit nuk duhet të harrojë t’i thotë pronarit: “Mirë u takofshim verën tjetër”.
*Psikologe

© Panorama.al

Te lidhura