
Zëdhënësja e PD përshëndeti votimin për heqjen e imunitetit nga Parlamenti sllovak.
“Rama të ngrihet mbi interesat grupit të miliarderëve në PS”
Partia Demokratike i ka bërë sërish dje apel kryetarit të opozitës, Edi Rama, që të votojë më datë 6 gusht kufizimin e imunitetit me ndryshime kushtetuese. Me anë të zëdhënëses Silvi Bardhi, demokratët i kanë ftuar të majtët që të ndjekin shembullin e Parlamentit të Sllovakisë, që hoqën dy ditë më parë murin e imunitetit. Për maxhorancën, deputetët e opozitës në Parlament duhet të votojnë draftin e kompromisit në të cilin janë marrë parasysh të gjitha sugjerimet e bëra nga relatori i PS-së, Pandeli Majko. “Dje, deputetët e Sllovakisë, në një votim historik konsensual, shembën me votën e tyre të guximshme murin e imunitetit që i ndante ata nga qytetarët e vendit të tyre. Partia Demokratike, duke përshëndetur këtë akt historik të parlamentarëve të këtij vendi mik që qeveriset nga një koalicion i qendrës së majtë, fton edhe një herë z. Rama që si dëshmi s’e pranon barazinë para ligjit të qytetarëve shqiptarë, të ndjekë shembullin e së majtës sllovake dhe të votojë më datë 6 gusht, me konsensus, projektligjin për heqjen e imunitetit në të cilin janë marrë parasysh dhe janë përfshirë të gjitha kërkesat dhe propozimet e përfaqësuesve të Partisë Socialiste. Rrëzimin e murit të imunitetit më datë 6 gusht e presin me padurim të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake, sepse ata duan barazinë para ligjit”, deklaroi dje zëdhënësja e PD-së.
Akuzat
Sipas selisë blu, shqiptarët kudo në botë presin që më datë 6 gusht, ligjvënësit në Parlamenti t’i hapin dritën jeshile integrimit europian. Në deklaratën për mediat, maxhoranca shprehet se opozita ka detyrim të ngrihet mbi interesat personale, për t’i liruar rrugën integrimit në BE. “Qytetarët shqiptarë presin me padurim që të zgjedhurit e tyre të votojnë më 6 gusht për të shembur murin e korrupsionit, duke faktuar kështu se ata kanë guximin të ngrihen mbi interesat e atyre që përdorin imunitetin për pasurim të pamerituar. Për të përvetësuar pasuritë publike, përdorin imunitetin për të fshehur pasuritë e tyre të paligjshme, për të vjedhur nëpërmjet kontrabandës dhe fshehjes së taksave, për të vjelë shuma marramendëse si ryshfete apo gjoba, qytetarëve të thjeshtë, për të drejta dhe shërbime që atyre ua garanton ligji. PD i bën thirrje z. Rama të ngrihet mbi interesat e paligjshme të një grupi të vogël miliarderësh në krye të Partisë Socialiste dhe t’i lejojë deputetët e PS-së të votojnë më 6 gusht për shembjen e murit të korrupsionit, murit të zi që shtyn çdo ditë drejt mjerimit të varfrit e këtij vendi”, thuhet në reagimin e PD-së.
© Panorama.alBraçe: Berisha po të tërheq zvarrë o Qyq
Nënkryetari i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka reaguar dje me tone kritike ndaj deklaratave të maxhorancës se opozita duhet të pranojë kufizimin e imunitetit. “Berisha po të tërheq zvarrë pas imunitetit, or qyq! Boll deri këtu! Fol e sulmo për 21 janarin. U la në gjak një popull i tërë mu në mes të bulevardit, e vrasësit po dalin të pafajshëm”, theksoi Braçe në Facebook.Pandeli Majko
Relatori i Partisë Socialiste dhe një ndër hartuesit e draftit të përbashkët për imunitetin, Pandeli Majko, ka reaguar dje në Facebook lidhur me deklaratat e selisë blu. Majko, në qëndrimin e tij shpreh habi për akuzat e maxhorancës se opozita po pengon luftën ndaj korrupsionit. “Në Shqipëri, qeveria i bën thirrje opozitës që të heqin ’imunitetin’ për të luftuar korrupsionin. Korrupsionin e kujt!?”, shprehet Majko në faqen e tij të rrjetit social.











