Berzh: Rritja ekonomike do vijojë të ngadalësohet

Jul 28, 2012 | 13:15

Situata në të cilën ndodhen fqinjët tanë, Italia dhe Greqia, është faktori kyç pse Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim mendon që ekonomia jonë nuk është më dhe aq në “lulëzim”. Në raportin e fundit të saj, ku jep parashikimet për ecurinë e ekonomive të Europës Juglindore, BERZH korrigjon një sërë shifrash. Mes të tjerave, krahasuar me majin, është shtuar edhe shifra e rritjes negative ekonomike prej -0.2 në tremujorin e parë të vitit, e publikuar nga Instituti i Statistikave.
Rritja ekonomike
Për vitin 2012 Shqipëria pritet që të ketë një rritje ekonomike jo më të lartë se 1.2 për qind. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka publikuar raportin e saj me parashikimet për Europën Juglindore dhe Qendrore, ku krahasuar me majin, nuk ka bërë asnjë ndryshim për vitin në të cilin jemi. Por, ndryshimi i BERZH vihet re te parashikimi për vitin e ardhshëm, ku rritja ekonomike pritet që të jetë 1.4 për qind, ndërsa në raportin e dy muajve më parë kjo shifër ishte 1.8 për qind. Në ndikimin që japin ekonomitë e vendeve fqinje, BERZH nuk harron të theksojë se remitancat, tregtia dhe investimet janë ndikuar nga situata në Greqi dhe Itali. “Shqipëria pati një rritje më të shpejtë se sa fqinjët e saj në rajon gjatë vitit 2011, por u ndje një ngadalësim në aktivitetin ekonomik në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar dhe në muajt e parë të këtij viti më tepër për shkak të performancës së ulët të tregjeve kyçe europiane, Greqisë dhe Italisë. Tregtia, investimet dhe remitancat, si lidhje të ngushta me këto vende me shumë mundësi, do të japin efekt kufizues të rritjes vitin që vjen”, thuhet në raport. Vlerësimi i BERZH për Shqipërinë bëhet duke pasur parasysh faktorët e brendshëm, por edhe të jashtëm, që mund të kufizojnë rritjen, dhe vlera 1.2 për qind nuk është më modestja. Fondi Monetar Ndërkombëtar apo Banka Botërore kanë dhënë parashikime për rritje më minimale të ekonomisë gjatë këtij viti.
Borxhi publik
Hapësira fiskale në të cilën Shqipëria mund të manovrojë në situata të rrezikshme është pothuajse inekzistente. Për Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në kohën kur borxhi publik ka arritur një nivel të lartë, shanset për të marrë borxh të ri në rast të një emergjence, janë të pakta. “Borxhi publik është në limitin maksimal prej 60 përqindësh të GDP-së, duke limituar kështu hapësirën për manovra fiskale”, thuhet në raport. Kjo nuk është hera e parë që një institucion financiar ndërkombëtar e vë theksin në nivelin e lartë të borxhit. FMN-ja apo Banka Botërore më herët i kanë quajtur këto nivele të borxhit publik si të rrezikshme në kohë të tilla krizash, dhe kanë insistuar për zbatimin e një rregulli fiskal për uljen e tij. Të tjerë tregues që BERZH i referohet në raport si faktorë që nuk duhet të anashkalohen, është bilanci në llogarinë korrente me një nivel -13.2 për qind e GDP-së. Inflacioni, sipas raportit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, është një nga treguesit që paraqitet brenda objektivit dhe për vitin 2012 parashikohet një inflacion mesatar prej 1.9 përqindësh.

Kreditë e këqija, 20,5 për qind
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në raportin e saj i referohet nivelit të kredive të këqija sipas shifrave zyrtare që disponon, duke theksuar se niveli i tyre ka arritur në 20.5 për qind. Të para në total, shifrat bëjnë që BERZH të jetë më pak optimiste rreth ekonomisë shqiptare për vitin aktual dhe në vijim. Niveli i lartë i kredive me probleme nuk shihet si risk vetëm nga BERZH, por edhe nga banka të tjera, si ajo Botërore. Një nga shkaqet e frenimit të kreditimit vlerësohet se është edhe rritja e vazhdueshme e kredive të këqija që kanë bërë bankat më konservatore.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura