Basha shtron iftar, gati projekti i Xhamisë së Madhe

Jul 27, 2012 | 11:40
Dje gjatë Iftarit

Kreu i Bashkisë së Tiranës preferoi që muajin e Ramazanit ta nderonte me shtrimin e iftarit dje, ku të ftuar ishin përfaqësues të komuniteteve fetare në vendin tonë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të trupit diplomatik. Basha me këtë rast ka dhënë edhe lajmin për gjithë besimtarët myslimanë se projekti për Xhaminë është çdo ditë e më afër zbatimit. “Siç jeni të informuar, komisioni ka marrë vendimet përkatëse për vendndodhjen dhe projektin. Në këto momente që po flasim, përfaqësues të nderuar të Komunitetit Mysliman ndodhen në Stamboll pranë një prej studiove më të famshme arkitekturore të botës, e cila është në proces të hartimit të projektit teknik. Ky është një lajm i mirë për besimtarët e qytetit tonë, është një drejtësi e vënë në vend dhe po kështu një premtim i mbajtur”, u shpreh Basha. Edhe një herë në fjalën e tij ai iu referua harmonisë fetare që ekziston në vend, si një vlerë që duhet kujtuar në raste të tilla të rëndësishme. Gjatë këtij aktiviteti foli edhe kreu i Komunitetit Mysliman, Selim Muça, i cili u shpreh se Bashkia e Tiranës ka ndihmuar shumë në bisedimet që janë bërë për çështjen e Xhamisë së Madhe dhe se tashmë është konsoliduar çështja e vendit të ndërtimit të kësaj xhamie.

© Panorama.al

Te lidhura