
Përfaqësues të Shoqërisë Civile ishin dje të pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, për të marrë sqarime në lidhje me punimet që po kryhen për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit. Artan Lame, i cili foli në emër të tyre, u shpreh se të gjitha kërkesat për lejen e këtyre punimeve, si dhe ankesat për prerjen e pemëve në Parkun e Liqenit Artificial, qoftë në Ministrinë e Mjedisit qoftë në Bashkinë e Tiranës nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
“Përgjigjja e vetme nga Ministria e Mjedisit na erdhi sot me këtë shkresë, ku thuhet se firma që po kryen punimet nuk është e pajisur me leje mjedisore”, tha Lame.
Kreu i Bashkisë së Tiranës në fjalën e tij hodhi poshtë të gjitha pretendimet se institucioni që ai drejton nuk ka bërë transparencën e kërkuar. “Thelbi i çështjes nuk ka të bëjë me lejen, angazhimi juaj fillestar ka qenë çfarë po bëhet me parkun dhe ne i kemi dhënë kësaj një përgjigje të menjëhershme”, tha Basha.
Ai shtoi se rruga nga Fakulteti Ekonomik deri tek rrethrrotullimi i Saukut, me gjatësi 1.7 km, do të jetë e gjerë 2.8 m, me trafikndarëse prej 1.5 m, ku është parashikuar edhe gjelbërim edhe trotuare në të dyja anët e rrugës.
“Nuk me intereson pjesa nëse kjo rrugë do të bëhet apo jo. Ajo çka duam ne të dimë, është si po kryhen këto punime. A ka leje ndërtimi, a ka një projekt të qartë. Deri tani këto përgjigje nuk i kemi marrë”, tha Lame. Sipas tij e gjithë shoqëria civile meriton një përgjigje për këtë stres që po kalon prej dy muajsh duke trokitur në të gjitha dyert e institucioneve. “ Do donim edhe ne të merreshim me punët tona. Kemi gjithë këtë kohë që kërkojmë sqarime zyrtare të cilat na mohohen nga Bashkia e Tiranës dhe strukturat e tjera që përgjigjen për mjedisin”,tha Lame.
Projekti dhe Pemët
Kryebashkiaku Basha theksoi se projekti, pasi ka kaluar në Këshillin teknik të Bashkisë së Tiranës, i është dërguar sipas të gjitha procedurave Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, e cila zbaton projektin.
“Nuk mund të thoni se nuk ka projekt, pasi projekti ka qenë i afishuar për 45 ditë me radhë në faqen e internetit. Projekti ka qenë aty, kanë garuar investitorë, ka fituar firma përkatëse”, tha Basha.
Sa i përket prerjes së pemëve, ai theksoi se brenda vitit në hapësirat e Parkut të Liqenit pemët do të 10-fishohen. “Ky është angazhim që i qëndroj edhe në këtë sallë para jush, brenda këtij viti, dhe masat janë marrë. Do të ketë edhe 4000 pemë të tjera”, tha Basha.
Ai parashtroi dhe Planin e Masave për rehabilitimin e Parkut të Liqenit Artificial. “Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimet ka marrë detyrat për riparimin e portës që ka mbetur e hapur që nga koha e përmbytjes së madhe”,tha Basha.
Pritet gjithashtu të riparohet kolektori. Do të ndërhyhet edhe për riparimin e riparimin e lidhjes të liqenit me atë të liqenit të Farkës që është i rëndësishëm për furnizimin e tij. Ai theksoi se ka një VKM e cila autorizon lejet për punët publike edhe në mungesë të planit. Pas dhënies së këtyre sqarimeve, përfaqësuesi i PDIU në Këshillin Bashkiak, Tahir Muhedini, kërkoi që diskutime të tilla të mos bëheshin më në mbledhjen e Këshillit pasi nuk ishin pjesë e tij. “Nëse zoti Lame dhe zoti Basha duan të diskutojnë këtë çështje, të takohen në zyrë”, tha Muhedini.
Debati për taksat, Basha: Asnjë propozim për rritje
Në mbledhjen e Këshillit nuk munguan debatet edhe në lidhje me taksat që paguan biznesi. “Qytetarët ankohen përditë se taksat u janë dyfishuar. Detyrimi tatimor është gati dyfish më i lartë se ai që kanë pasur në vitin 2011”, tha kreu i përfaqësuesve të majtë në Këshill, Aldrin Dalipi. Kryetari i Grupit të PD në Këshill, Ferdinand Poni, theksoi se në dijeninë e tij dhe të të gjithë qytetarëve të Tiranës, taksat dhe tarifat janë reduktuar. “Ju ngrini pretendime të pabaza, kemi qenë të gjithë që kemi miratuar vendimin për heqjen e 60 taksave dhe tarifave vendore. I keni të pakuptimta këto çështje që ngrini”, tha Poni. Kryebashkiaku Basha theksoi gjithashtu se Bashkia e Tiranës as nuk ka sjellë në Këshill ndonjë propozim për rritjen e taksave dhe as nuk ka marrë një të tillë. “Këto shqetësime vijnë në zona të ndryshme të Tiranës, shqetësime ka për pjesën e Rrugës së Durrësit, Rrugës së Kavajës etj”, tha Adriana Berberi, nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë në Këshill.
Vendimet e miratuara
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak u miratuan 3 projektvendime, nga 5 të prezantuara në rendin e ditës. Bëhet fjalë për vendimin “Për pagesën e kuotës së anëtarësisë së Bashkisë së Tiranës në Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë për vitin 2112”. Një tjetër projektvendim ishte ai “Për miratimin e anëtarësimit dhe financimit të kuotës së anëtarit të asociuar të Bashkisë së Tiranës në Eurocities, rrjeti i qyteteve më të mëdha europiane”. Kaloi edhe me votat e opozitës projektvendimi “Për dhënie stimuli nxënësve me rezultatet të shkëlqyera të qytetit të Tiranës. Propozimi i këshilltarit Agim Kraja me objekt “Për devijimin e qarkullimit të automjeteve që përshkojnë aksin rrugor nga nulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ deri te sheshi “Skënderbej” gjatë faljes së veçantë të namazit e të xhumasë, e cila kryhet çdo ditë pranë xhamisë së Ethem Beut, do të shqyrtohet në një tjetër mbledhje.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











