“95 vjet Parlamenti i parë shqiptar”, Meta: Kërkohet një etikë e re në Kuvend

Mar 27, 2015 | 16:19
SHPËRNDAJE

“95 vjet Parlamenti i parë shqiptar”, ishte aktiviteti i organizuar sot ne te cilen u shfaq edhe një ekspozitë me foto, dokumente dhe objekte origjinale të Kongresit të Lushnjës.

Kreu i Kuvendit Ilir Meta, teksa vlerësoi kontributin e kësaj ngjarje historike, më 27 mars 1920, ku u mblodh parlamenti i parë. i tha se ky kongres ishte një akt madhor ndërgjegjësimi i personaliteteve për t’iu imponuar shteteve të huaja, ndërsa shtoi se sot parlamentarët duhet të reflektojnë e të tregojnë se janë përfaqësues të denjë të atyre që bënë Kongresin e Lushnjës.

Sipas tij, sot kërkohet një etikë e re parlamentare, në mënyrë që fjala në Kuvend të ketë më shumë peshë.

Kryetari i Kuvendit deklaroi se duke u kthyer 95 vjet pas, kur fatet e Shqipërisë ishin vënë në diskutim si asnjëherë tjetër dhe kur këta njerëz u ngritën mbi interesat e tyre, është e rëndësishme që edhe ne sot të bëjmë disa detyra që janë më të lehta por të rëndësishme që imazhi i Shqipërisë të rritet në botë.

“Sfidat mbeten të rëndësishme. Vendi ka probleme ekonomike që nuk vijnë vetëm për shkaqe të brendshme, por janë rezultat i një krize ekonomike rajonale, evropiane dhe globale dhe ne duhet të përqendrojmë më shumë debatin këtu, midis pozitës dhe opozitës, si t’i shërbejmë përballimit të këtyre efekteve të jashtme. Duhet të bashkohemi akoma më shumë se si të rrisim emrin e Shqipërisë dhe kontributin e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s dhe jo si të dëmtojmë imazhin e një vendit tashmë prej vitesh anëtar i kësaj aleance, sepse edhe sfidat e sigurisë janë të mprehta, që nga kriza e Ukrainës, që nga problemet të cilat shfaq i ashtuquajturi Shteti Islamik i ISIS, përpjekjet e tyre për të ndikuar në rajonin tonë, e kështu me radhë”, theksoi ndër të tjerash Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura