95 vjet Parlament Shqiptar

Mar 28, 2015 | 13:50
SHPËRNDAJE

HAMDI JUPE

   Më 27 mars të këtij viti u mbushën plot 95 vjet nga mbledhja e parë e Parlamentit Shqiptar më 1920. Kjo është një ngjarje e rëndësishme historike, jo vetëm për Parlamentin, por për shtetin shqiptar në tërësi. Institucioni më i lartë demokratik i vendit, i përberë nga përfaqësuesit e popullit shqiptar, po i afrohet kështu një shekulli të aktivitetit që nga krijimi i tij. Parlamenti i parë shqiptar u mblodh në rrethana të caktuara historike. Vendi sapo kishte dalë nga Lufta e Parë Botërore me plagë të mëdha. Shqipëria ishte kthyer në shesh lufte mes fuqive ballkanike. Kjo luftë e gjeti shtetin e sapopavarësuar (më 28 Nëntor 1912) pa institucione të konsoliduara. Shtetet fqinje kishin uzurpuar territore të gjera të vendit dhe kërkonin t’i mbanin ato nën kontroll. Një qeveri shqiptare, e njohur si qeveria e Durrësit, mbante qëndrime që binin ndesh me interesat e popullit shqiptar. Në këto rrethana, për t’i dalë zot vendit, u mblodh Kongresi Kombëtar i Lushnjës.

Deputetë të Parlamentit të parë shqiptar
Në telegramin e njoftimit mbi mbledhjen e Kongresit të Lushnjës, dërguar prefekturave të vendit më 31 janar 1920, thuhet shprehimisht: “Është e ditur prej gjithë popullit që këtu, në Lushnjë, u mbajt një kongres kombëtar, i përfaqësuar prej gjithë fiseve të Shqipërisë, veç Shkodrës, Lezhës dhe Krujës, delegatët e të cilëve, të zgjedhur prej popullit të këtyre krahinave, nuk munden t’i mbërrijnë diskutimet”.
Ndër vendimet e rëndësishme të këtij Kongresi historik (95– vjetori i të cilit kaloi në heshtje të pakuptueshme nga autoritetet e vendit në janarin e këtij viti), ishte edhe ai për mbledhjen e parë të Parlamentit Shqiptar (Senati, siç u quajt atëherë) në marsin e atij viti. “Vendimet e Kongresit, të votuara njëzëri prej përfaqësuesve fuqiplotë të popullit janë: … “Formimi i një Këshille Kombëtare prej 37 këshilltarësh me kompetenca parlamentare”.Pikërisht më 27 mars 1920 u mblodh për herë të parë Senati. Më vonë ky do të quhej Këshilli Kombëtar.  
Merret me mend se, në rrethanat e vështira në të cilat ndodhej vendi, menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, nuk mund të bëhej fjalë për zgjedhjen e deputetëve drejtpërdrejt nga populli. Kjo u realizua vetëm pas një viti, më 21 prill të vitit 1921. Për legjislaturën e parë, aktiviteti i së cilës zgjati rreth nëntë muaj (nga 27 marsi deri në dhjetor 1920), deputetët u zgjodhën prej delegatëve të Kongresit të Lushnjës.
Senati që mori mandatin për një gjë të tillë nga Kongresi i Lushnjës, si institucion ligjvënës, përbëhej nga 37 anëtarë. Në këtë mënyrë, krijohej Parlamenti i parë Shqiptar, me atributin e institucionit të lartë, mbajtës dhe ushtrues i sovranitetit të popullit shqiptar.
Gjatë periudhës së aktivitetit te Senatit, për herë të parë u afirmuan parimet e njohura të parlamentarizmit: emërimi dhe shkarkimi i qeverisë nga Senati dhe ushtrimi i kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin. Megjithëse Parlamenti i parë Shqiptar i kreu aktivitetet e tij gjatë një periudhe të shkurtër kohe, ai kaloi disa ligje të rëndësishme për kohen. Akti më i rëndësishëm, i miratuar prej tij, ishte Statuti i Lushnjës, i cili shënonte themelimin e Ligjit të parë kushtetues në vend.
Aktiviteti legjislativ i Këshillit Kombëtar përfundoi në dhjetor 1920, kur Këshilli u shpërnda për të përgatitur vendin për zgjedhjet e para në mars të vitit 1921. Jeta dhe aktiviteti i tij ishte i shkurtër, por mjaftueshëm për ta konsideruar atë si Legjislativin e parë shqiptar. Kështu filloi aktiviteti përgjithësisht i rregullt i Parlamentit Shqiptar, i cili kaloi në shumë forma deri sa erdhi në gjendjen e sotme të tij.
Në zgjedhjet që u mbajtën në mars 1921, u zgjodhën 78 deputetë. Në këtë kohë, Parlamenti filloi të mblidhej rregullisht me detyra të përcaktuara qartë dhe me një afat kohor të rregullt. Në vitin 1922, Statuti i Lushnjës u zgjerua në një Kushtetutë me fuqinë më të lartë që i është dhënë shtetit. Organi ligjvënës përbëhej prej një Dhome të deputetëve. Dy grupet politike kryesore ishin Partia Popullore dhe Partia Përparimtare.
Rreth datës së mbledhjes së parë të Parlamentit Shqiptar ka pasur interpretime të ndryshme. Parlamenti është institucioni përfaqësues i popullit, që shpreh sovranitetin e tij në jetën e vendit dhe në marrëdhënie me botën. Në këtë aspekt, Mbledhja e Vlorës, ku u shpall Pavarësia e vendit më 28 Nëntor 1912, kishte tiparet dhe atributet e një Parlamenti. Në të morën pjesë përfaqësues të popullit shqiptar nga krahina të ndryshme të vendit. Edhe ata nuk ishin të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, por kishin mandatin e delegatit të krahinave të ndryshme. Vendimet që mori Mbledhja e Vlorës ishin tipike vendime të një Parlamenti dhe shumë nga ato vendime njihen të vlefshme edhe sot. Ajo shpalli Pavarësinë e vendit në raport me botën dhe miratoi qeverinë që do të drejtonte vendin, tipare këto të një Parlamenti. Por Mbledhja e Vlorës pati një aktivitet të kufizuar në kohë.
Duke njohur këtë histori të lindjes së Parlamentit të shtetit të ri të pavarur shqiptar, në vitin 2005, me rastin e 85–vjetorit të tij, u bënë përpjekje serioze për ta sjellë në vëmendjen e opinionit publik dhe të deputetëve të kohës këtë ngjarje të shënuar. U organizuan disa veprimtari dinjitoze përkujtimore nga ana e Parlamentit, që u ndoqën nga të gjithë deputetët, të pozitës dhe opozitës, me qëllim që ajo datë të njihej dhe të përkujtohej edhe më tej në vitet që do të vinin. Në krye të aktiviteteve ishte një historian i njohur i periudhës historike në fjalë, profesori i nderuar Muin Çami. Askush nuk e kontestoi përvjetorin e Parlamentit dhe festimet e organizuara me këtë rast.
Megjithatë, në rastin e 90-vjetorit të tij, në vitin 2010, kjo datë nuk u përkujtua. Në vend të kësaj, në qershor të vitit 2011, Byroja Parlamentare e Kuvendit, e drejtuar nga kryetarja Topalli, pa praninë e opozitës, ka marrë një vendim sipas të cilit, jeta parlamentare në Shqipëri do të nisë të studiohet që nga fillimet e saj. Për këtë do të duhej të krijohej një grup historianësh dhe juristësh për përcaktimin e fillimit të historikut të parlamentarizmit shqiptar. Por, deri më sot, ky grup nuk ka nxjerrë gjë të re në dritë, përveç asaj që është thënë në festimet e 85–vjetorit të Parlamentit, në vitin 2005. Është gjë e mirë që këtë vit u risoll në kujtesë dhe u kremtua edhe një herë tjetër kjo datë e shënuar me rastin e 95–vjetorit të Parlamentit të parë.
Historia 95–vjeçare e Parlamentit shqiptar nuk ka qenë gjithmonë e lavdishme. Përkundrazi, ajo ka pasur plot periudha dhe ngjarje të errëta e kontradiktore në jetën e saj, jo vetëm në të kaluarën e largët, por edhe në këto 25 vitet e fundit, të cilat do të duhet të shkruheshin në Historinë e Parlamentit, si pjesë e së vërtetës. Ajo është historia e këtij Parlamenti dhe si e tillë, duhet kujtuar e mësuar, me qëllim që të mos përsëriten më gabimet e saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura