90 vjet KLSH

May 27, 2015 | 12:37
SHPËRNDAJE

BUJAR LESKAJ

   Në Kongresin e fundit të INTOSAI-t, në tetor 2013 në Pekin, tema qendrore ishte vendosja e auditimit kombëtar në shërbim të qeverisjes kombëtare. Në Kongresin e fundit të EUROSAI-t, zhvilluar në qershor 2014 në Hagë të Holandës, tema qendrore ishte inovacioni, ose “Cila është hera e fundit që keni bërë një gjë për herë të parë?”. Ne si KLSH, për herë të parë në historinë e institucionit, kremtojmë sot 90-vjetorin e krijimit të institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të bindur se në 100-vjetorin e tij do të kemi një trupë akoma dhe më profesionale audituesish dhe se Shqipëria do të jetë vend anëtar i Bashkimit Europian.  

Misioni ynë, në dritën e orientimit themelor të Kongresit të Pekinit, sipas përcaktimeve kushtetuese në nenet 162-165 të Kushtetutës së Shqipërisë, por edhe në nenin 1 të Deklaratës së Limës, “Kushtetutës” së mbi 192 institucioneve supreme të auditivit (SAI-t) kudo në botë, është rritja e transparencës dhe përgjegjshmërisë në menaxhimin e fondeve publike, në një shkallë më të gjerë, për të gjithë komunitetin, të cilit një SAI i shërben: taksapaguesve, publikut, Parlamentit dhe organeve ekzekutive, duke kufizuar në maksimum abuzimet dhe duke siguruar përdorimin me ekonomicitet, efektivitet dhe eficiencë të këtyre fondeve.

Të kërkosh identitetin institucional nëpërmjet hedhjes dritë dhe evidentimit të historisë së zhvillimit është mbi të gjitha përgjegjësi, por edhe një shërbim për gjeneratat e ardhshme.
Nga një hulumtim i historisë 90-vjeçare të KLSH-së, mund të konfirmohet se institucioni në mënyrë të pashmangshme, në evoluimin e tij ka ndjekur pashmangshmërisht progresin shoqëror, dhe transformimet social-politike, ekonomike e diplomatike të Shqipërisë, që nga themelimi i shtetit modern dhe deri në ditët e sotme.

Ky institucion, i cili daton në 1925-n, ka funksionuar gjatë gjithë kohës, pas miratimit të statutit të Republikës, përgjatë monarkisë kushtetuese, përgjatë regjimit komunist diktatorial e deri në ditët tona, duke iu përshtatur rrethanave historike, me rregullime të caktuara të kompetencave dhe të objektit të veprimtarisë, tipit të kontrollit dhe emërtesës.
Ismail Qemal bej Vlora kreu aktin më të lartë në të gjithë historinë institucionale të Shqipërisë, themeloi shtetin modern shqiptar dhe përmes një sërë vendimesh politike e diplomatike vendosi gurin e themelit të tij. Ai ngriti flamurin e Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor të vitit 1912 dhe shpalli Shqipërinë shtet të pavarur, duke u kërkuar fuqive ndërkombëtare ta njihnin këtë vendim.

Në politikën dhe veprimtarinë ekonomike të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, pa dyshim një vend të rëndësishëm do të zinte problemi financiar.
Ismail Qemali deklaroi vendimet e para dhe të nevojshme që duhet të merrte kombi shqiptar, njëri ndër të cilat ishte “Të zgjidhet një pleqësi për ndihmë e kontroll të qeverisë”.
Administrimi i kontrollit financiar në vitet 1920-1924 u sanksionua nëpërmjet Statutit të Zgjeruar të Lushnjës, i cili ngarkonte Këshillin Kontrollues të Financave me kontrollin e financave të shtetit.

Në Qeverinë e Fan.S.Nolit, me gjithë kohën e shkurtër të qeverisjes dhe kushteve mjaft të vështira ekonomike dhe financiare, roli i Komisionit Kontrollues të Financave u orientua nga skema e kontrollit të llogarive të financave
Nën qeverisjen e Ahmet Zogut, si kryetar i Republikës dhe Mbret i Shqipërisë, institucioni i kontrollit më të lartë në vend shfaqet si Institucioni i Këshillit Kontrollues, institucion kushtetues dhe që në boshtin e veprimtarisë së tij kishte kontrollin e financave të shtetit dhe gëzonte atributet e një organizmi të pavarur pranë Parlamentit.

Në periudhën e pasluftës së Dytë Botërore, nën komunizmin, Këshilli Kontrollues i Financave iu nënshtrua një sërë riorganizimesh të njëpasnjëshme, duke humbur pavarësinë (strukturë nën varësinë e ekzekutivit dhe të partisë-shtet), në shërbim të politikës së shtetit totalitar.
Referuar formës së organizimit dhe funksionimit, si dhe raportimit të aktivitetit kontrollues, Këshilli Kontrollues ka qenë një organ i politizuar dhe represiv, duke mos pasur mëvetësi në ushtrimin e veprimtarisë kontrolluese.  

Me ardhjen e demokracisë, zhvillimet pozitive u reflektuan dhe në fushën e auditimit të jashtëm publik. Me asistencën e Nismës Ligjore për Europën Qendrore dhe Lindore (CEELI – Central and East European Initiative), një projekt ky i qeverisë amerikane, u ripunua dhe u paraqit projektligji “Për Shërbimin e Kontrollit të Shtetit”, i cili u miratua nga Kuvendi në fund të muajit gusht 1992.
Pavarësia e këtij organi nga Qeveria u sanksionua me dispozitat kryesore kushtetuese dhe ligjin organik të lartpërmendur. U ndërtua një strukturë e re e organeve të kontrollit, në përshtatje me rolin e ri që merrnin financat publike në një shtet ligjor.

Në kuadër të proceseve integruese, gjatë viteve 1996–1997, ekspertët e SIGMA-s ndërmorën disa hapa seriozë për modernizimin e kontrollit të jashtëm në Shqipëri, duke kërkuar përafrimin e legjislacionit sa më shumë me standardet ndërkombëtare të auditimit.
Pavarësia e plotë, depolitizimi dhe departizimi i organit suprem të kontrollit u realizuan pas ngjarjeve të vitit 1997, me miratimin e ligjit nr. 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit” dhe më pas të ligjit themelor të Shtetit nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, pjesa e katërmbëdhjetë “Kontrolli Lartë i Shtetit”, nenet 162-165.

Këto akte mundësuan rikthimin e pavarësisë funksionale organizative, financiare dhe operacionale të institucionit. KLSH operoi përgjatë viteve 1998-2011, duke gëzuar pavarësi dhe duke u përpjekur të bashkëpunonte me institucionet homologe dhe partneret ndërkombëtare.
Në pamundësi të përmendjes së të gjithë figurave të drejtuesve të KLSH ndër vite, të cilët janë të shumtë në numër, do të veçoja personalitetet e ndritura, veçanërisht në vitet 1925-1944, si: Kol Thaçi, Lac Gera, Llambi Aleksi, Fejzi Alizoti, Lame Kareco, Eqerem Libohova, Xhaferr Ypi, Rrok Gera, Izedin Beshiri dhe të tjerë. Dua po ashtu të vlerësoj punën reformuese të kryetarëve të KLSH-së në vitet e demokracisë, sidomos të prof. dr. Blerim Çela, Mustafa Kërçuku etj.

Nga ana tjetër, shpreh konsideratën, respektin dhe vlerësimin maksimal për të gjithë trupën e kontrollorëve, audituesve dhe punonjësve mbështetës të devotshëm, me integritet, punëtorë, korrektë dhe profesionalë, që kanë kontribuar dhe shërbyer në këtë institucion gjatë gjithë kësaj periudhë 90-vjeçare.
Duke marre shkas nga ky përvjetor i 90-të dhe duke hedhur vështrimin pas në vite, duke kryer analizën mbi ecurinë e zhvillimeve progresive, por edhe të kthimeve pas, jemi të ndërgjegjshëm se kjo na shërben të projektojmë të ardhmen dhe të përballojmë sfidat e saj.

Ligji i ri integral i KLSH-së, i miratuar nga Kuvendi në nëntor të vitit 2014, tërësisht në përputhje me standardet e INTOSAI-t dhe që ka njohur bashkëpunimin e ngushtë me ekspertët e Drejtorisë së Buxhetit të Komisionit Europian dhe të SIGMA-s, synon modernizimin e plotë të institucionit, zgjerimin e veprimtarisë audituese në dimensione të afta për të përballuar sfidat e kohës, rritjen e standardeve profesionale të trupës audituese dhe një bashkëpunim edhe më të ngushtë me strukturat europiane të auditimit suprem publik, si ECA dhe SAI-t partnere.

Hapësirat që hap ky ligj garantojnë synimin e KLSH që për periudhën në vijim të realizojë modernizimin e plotë të institucionit, për të sjellë veprimtarinë e tij në përputhje me planet strategjike 2011-2016 të INTOSAI-t dhe 2011-2017 të EUROSAI-t. Sfida jonë për të ardhmen është sjellja e veprimtarisë audituese të institucionit në parametrat e institucioneve të zhvilluara simotra të Bashkimit Europian, në respektim të plotë të mandatit kushtetues të KLSH dhe të pritshmërive të Kuvendit dhe qytetarëve.
*Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura