Rrëmbeu kushërirën ditën që asaj i vdiq i vëllai, e la 8 herë shtatzënë dhe e prostituoi. Ja foto e dhunuesit

Jun 20, 2015 | 8:10
SHPËRNDAJE

Gjykata për Krimet e Rënda po gjykon një person të akuzuar për një histori shfrytëzimi prostitucioni në kufijtë e të pabesueshmes. I pandehuri Mark Vathaj dyshohet të jetë autor i shfrytëzimit me dhunë si prostitutë për disa muaj i kushërirës së tij të parë në Shqipëri, Itali dhe Zvicër.

Gjykata e Krimeve të Rënda

Sikur të mos mjaftonte shfrytëzimi, sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, i akuzuari dyshohet se gjatë kësaj kohe e ka dhunuar fizikisht dhe seksualisht të afërmen e tij, duke e lënë tetë herë shtatzënë dhe detyruar më pas të abortonte. Sipas Prokurorisë, gjatë gjithë kohës ai ka kërcënuar me jetë vetë të dëmtuarën dhe familjen e saj.

Mark Vathaj

Prokuroria për Krimet e Rënda i kërkoi dje gjykatës deklarimin e fajshëm të të pandehurit për akuzën e “trafikimit të personave të rritur, e shoqëruar me keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike dhe e psikike ndaj të dëmtuarit” dhe dënimin e tij me 21 vjet heqje lirie.

HISTORIA
Nga hetimi ka rezultuar se historia e shfrytëzimit ka nisur pak ditë pasi vëllai i të dëmtuarës kishte ndërruar jetë në rrethana të dyshimta në zonën e Lezhës. Gjatë kohës që prindërit e saj kishin hapur dyert e mortit për vdekjen e djalit të tyre, i pandehuri Mark Vathaj ka shkuar dhe ka marrë kushërirën e tij, kushërirë e parë, me pretendimin se do të shkonin të merreshin me procedurat e çregjistrimit nga gjendja civile të vëllait të saj të ndjerë. Sipas Prokurorisë, nga ai moment ai nuk e ka kthyer më kushërirën në shtëpi për rreth gjashtë muaj.

SHFRYTËZIMI
Gjatë kësaj kohe, në vitin 2013 dhe 2014, i pandehuri, me anën e forcës dhe kërcënimeve për vrasjen e familjarëve, e ka shfrytëzuar të dëmtuarën për qëllime prostitucioni. Fillimisht ai e ka shfrytëzuar të dëmtuarën në zonën e Shëngjinit. Për çdo klient që kryente marrëdhënie intime me të, i pandehuri Vathaj merrte 5 mijë lekë të rinj. Këto para i mbante të gjitha i pandehuri. Sipas hetimit, rezulton se në Lezhë ka pasur raste kur e dëmtuara ka kryer 4-5 herë raporte seksuale me klientë të ndryshëm në natë.

SHFRYTËZIMI JASHTË VENDIT
Referuar të dhënave të siguruara nga hetimi i këtij rasti, pasi kanë qëndruar për disa muaj në Shëngjin, i pandehuri, gjithnjë nëpërmjet kërcënimeve, e ka detyruar të dëmtuarën që të shkojnë së bashku në Itali. Pasi kanë mbërritur në këtë vend, ata kanë qëndruar në një hotel të dorës së dytë.

Gjatë kësaj periudhe, e dëmtuara është detyruar të punojë çdo natë me klientë të ndryshëm. Sipas Prokurorisë, ka pasur raste që e dëmtuara ka kryer deri në 8 herë raporte seksuale në natë. Për çdo raport seksual me të dëmtuarën, i akuzuari merrte 50 euro për person. Pas një qëndrimi disajavor në Itali, i pandehuri ka krijuar bindjen të ndërronin sërish shtet. Sipas Prokurorisë, i pandehuri Vathaj e ka detyruar të dëmtuarën që të niseshin drejt Zvicrës.

Në këtë shtet ata kanë qëndruar në një shtëpi me qira në qytetin e Lucernës. Qëndrimi i të pandehurit dhe kushërirës së tij të dëmtuar në këtë vend ka zgjatur rreth 2 muaj. Gjatë gjithë kësaj kohe ai ka ushtruar presion dhe dhunë ndaj të dëmtuarës, duke e detyruar atë të prostituojë. Ashtu si më herët, të gjitha paratë e fituara nga puna e saj në rrugë përvetësoheshin nga i pandehuri. Referuar të dhënave të hetimit, ka rezultuar se gjatë qëndrimit në Zvicër, për çdo raport seksual e dëmtuara është paguar me nga 100 franga nga ana e klientëve.

TETE HERË SHTATZËNË
Sipas konkluzioneve të akuzës, përveç dhunës fizike, i pandehuri Vathaj nuk ka kursyer edhe dhunën seksuale ndaj të afërmes së tij. Kështu, në një nga këto raporte, e dëmtuara ka mbetur shtatzënë. Pikërisht ky ka qenë shkaku që, pas dy muajsh qëndrim në Zvicër, Vathaj ka kthyer në Shqipëri të dëmtuarën me qëllim ndërprerjen e shtatzënisë.

Pas kthimit në Shqipëri, e detyruar nga i pandehuri ajo ka abortuar fetusin në trupin e saj. Në vijim, ajo është kërcënuar prej të pandehurit për të vijuar ushtrimin e prostitucionit. Sipas Prokurorisë, kjo ka qenë vetëm një nga shtatzënitë, pasi në total dyshohet se e dëmtuara ka mbetur tetë herë shtatzënë nga dhuna seksuale e kushëririt të saj.

“Gjatë gjykimit rezultoi e provuar se e dëmtuara, veç të tjerave, është detyruar të abortojë 8 herë, për shkak të shtatzënive me të akuzuarin, i cili kryente marrëdhënie seksuale me dhunë pa masa mbrojtëse, ndërsa me klientët e tjerë ka kryer raporte seksuale gjithnjë me masa mbrojtëse”, thuhej në dosjen e organit të akuzës.

KËRCËNIMET
Pas kthimit në Shqipëri, e dëmtuara u ka treguar familjarëve të saj mbi gjithçka që i kishte ndodhur. Vënia në dijeni e familjes së të afërmve të tij nuk e ka cenuar qëllimin e të pandehurit. Sipas Prokurorisë, ai i ka kërcënuar se, nëse nuk e lejonin vajzën e tyre të vijojë “bashkëpunimin” me të, do t’i vriste të gjithë. “Ka pasur raste kur i pandehuri, në sy të motrës së mitur (nën 18 vjeç) të së dëmtuarës, e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale”, thuhej në dosjen e Prokurorisë. Familja e të dëmtuarës ka qenë gjatë gjithë kohës nën presionin dhe kërcënimin e të pandehurit.

Përpos këtij fakti, e ëma e vajzës së trafikuar ka bërë një kallëzim në polici në vitin 2014. Por, sipas Prokurorisë, të gjendur nën presionin e një hakmarrjeje të të akuzuarit, ajo është detyruar të tërheqë kallëzimin për kanosje. Pas tërheqjes së saj, i pandehuri, pas një muaji qëndrim në qeli ka fituar lirinë. Edhe pasi doli nga paraburgimi, i pandehuri Mark Vathaj vijoi të kërcënonte vajzën dhe familjen e saj, me qëllimin për ta marrë sërish të ushtronte prostitucion.

Armand Bajrami

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura