8 vjet nga Gërdeci, Zamira që humbi djalin: Sytë i kam te Strasburgu

Mar 15, 2016 | 9:25
SHPËRNDAJE

Në 8 vjetorin e tragjedisë së Gërdecit, Zamira Durda, që humbi djalin e vogël, edhe pse shprehet teresisht e zhgenjyer nga drejtësia shqiptare, thotë se shpresa ende nuk i ka vdekur. Ajo rri me sytë nga Strasburgu, nga e cila pret me ankth se do të japë drejtësi për jetën e ndërprerë në mes të Erisonit.

Zamira Durda, nena e 7-vjeçarit Edison Durda, qe gjeti vdekjen ne tragjedine e gerdecit, ne gjykaten e Tiranes
Zamira Durda, nena e 7-vjeçarit Edison Durda, qe gjeti vdekjen ne tragjedine e Gerdecit, ne gjykaten e Tiranes

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Durda thotë se djali i saj ishte shtatë vjeç e gjysmë, kur nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve me 15 mars 2008 në Gërdec gjeti vdekjen.

Viktima mbetën edhe 25 persona të tjerë, shumica prej të cilëve punëtorë në punishten e vdekjes.

Erisoni – siç tregon e ëma – ishte një djalë i shëndetshëm e plotë jetë. I pari në mësime. Gruaja, e cila nuk i ka hequr rrobat e zeza nga trupi prej ditës tragjike, që u përmbysi jetën, thotë se nuk do të ndalet duke kërkuar drejtësi.

“Jetoj duke kujtuar çdo moment me Erisonin. Bisedat me të. Ruaj çdo gjë të Erisonit. Edhe fletoret e detyrave të shtëpisë”, thotë Zamira Durda dhe shkrehet në vaj. Sot në orën 12:00 Zamira Durda dhe familjarët e tjerë të viktimave të Gërdecit do t’i drejtohen kraterit, për t’i përkujtuar.

Ajo shton se drejtësi nuk është bërë. “Jo vetëm për jetën e humbur të tim biri, por edhe të pafajshmit e tjerë. Jam e zhgënjyer nga drejtësia shqiptare. Por, do të përpiqem derisa e drejta të vihet në vend. Vetëm atëherë do fle e qetë, edhe pse me dhimbje në shpirt e zemër, se im bir nuk kthehet më. Më 27 nëntor Erisoni do të festonte 16-vjetorin e lindjes. Ja prenë jetën në mes, ëndrrat, dëshirat. Unë e kam çuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut. Kërkesa është pranuar dhe pritet vendimi. Kam shumë shpresë se gjykatësit në Strasburg do të vendosin drejtësi. Unë tashmë sytë i kam nga Strasburgu. Shpresën e kam atje. E duke qenë se shpresa vdes e fundit, unë shpresoj shumë. Politika e ka përkujtuar gjithmonë tragjedinë”- thote ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura