8 Marsi dhe teto Marta

Mar 11, 2018 | 13:15
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

tupja

Kush është teto Marta? Oh, thjesht komshija ime e dikurshme në një rrugë ngjitur me Shkollën  e Kuqe, në zemër të Tiranës së vjetër, por në zhdukje e sipër. Pse m’u kujtua pikërisht tani? Sepse m’u duk sikur sikur e pashë në televizor të enjten që shkoi, pra, pikërisht më 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Ose më kanë bërë sytë sikur e dallova midis grave, ngaqë duhet t’i ketë kaluar të nëntëdhjetat dhe, për rrjedhojë, është tepër e vjetër për të marrë pjesë në protesta masive, sidomos kur këto zhvillohen nën shi e në të ftohtë. Por le ta zëmë sikur vërtet ishte ajo. Për të qenë i sinqertë si me lexuesit, edhe me lexueset e kësaj rubrike, më duhet të pranoj se e pashë jo një, por dy herë. Në të njëjtin kanal televiziv; gjatë një emisioni le të themi me ngjyrim komik; herën e parë, ajo ishte me çadër në dorë në mes të një grupi jo të vogël grash e vajzash që ecnin nën shi, me çadra apo mushama, duke protestuar me rastin e 8 Marsit kundër diskriminimit të femrës shqiptare, kundër dhunës së ushtruar ndaj asaj në familje e më gjerë, kundër pabarazisë në shpërblimin e punës që bën në krahasim me mashkullin po shqiptar sa vetë ajo; herën e dytë, më ngjau sikur e pashë në një mjedis të mbyllur (restorant, gjellëtore apo kafene?) ulur diku në një qoshe tek sodiste një grup me gra të reja që hidhnin hareshëm valle me rastin e 8 Marsit gjithashtu; vetëm se, kësaj radhe, fytyrat ua kishin mjegulluar që të mos njiheshin dhe kjo në përputhje me parimin e mbrojtjes së imazhit vetjak.

Lexuesit e mi dhe sidomos, kryesisht e në veçanti lexueset e mia të nderuara duhet të gëzohen që më në fund 8 Marsi po konsiderohet edhe te ne si një ditë proteste, prandaj, teto Marta dhe shoqet e saj që protestuan duke kaluar në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” të kryeqytetit, duhen përgëzuar për këtë veprim dinjitoz. Mirëpo, njëkohësisht, duke i siguruar ata, lexuesit e mi, dhe ato, lexueset e mia, se nuk kam ndër mend të lëndoj sedrën e askujt, më duhet të pohoj se ndërsa në botën e sotme 8 Marsi është një ditë e përveçme në kuadrin e përpjekjeve të vazhdueshme që bëjnë ose duhet të bëjnë gratë për të mbrojtur të drejtat dhe personalitetin e tyre, ende në Shqipërinë tonë marrëzisht demokratike një pjesë jo e anashkalueshme e grave shqiptare e konsiderojnë atë si një ditë feste, tamam si në kohën e diktaturës hoxhiste, kur gratë mblidheshin me njëratjetrën për të ngrënë (bërxolla apo qofte ? Me sallatë apo me patate?) e për të pirë (limonadë apo birrë? Me shishe apo me krikëll?) e kërcenin, këndonin e tregonin qyfyre, duke u gajasur deri diku jo aq lirshëm sa sot.

Sidoqoftë, ajo që më shqetësoi për një çast qe ideja se si ishte e mundur që teto Marta të dyzohej në këtë mënyrë, pra, të protestonte paradite me rastin e 8 Marsit dhe të kënaqej pasdite duke ngrënë e duke u argëtuar po me rastin e 8 Marsit. A nuk ka këtu një paradoks? Mos vallë edhe për 1 Majin, Ditën e solidaritetit ndërkombëtar të punonjësve, ajo dyzohet në të njëjtën mënyrë? Pra, e thënë ndryshe, paradoksalisht edhe proteston me simotrat e saj më të reja le të themi kundër kushteve të punës (rroga më të ulëta se ato të burrave për punë të barabartë, mungesë sigurimesh shëndetësore, ngacmim seksual nga ana e bosëve, drejtorëve, menaxherëve etj., etj.), edhe ha e pi, kërcen e gajaset bashkë me ata?

Së fundi, por jo më së paku, më shqetëson edhe fakti që teksa kërcenin e këndonin nën shikimin e teto Martës, gratë e reja, në ekranin e televizorit tim, e kishin të tëra fytyrën të mjegulluar për arsyen që shtjellova më sipër; mirë- po, lind pyetja, përse vallë grave që protestonin nuk ua kishin mjegulluar fytyrën? Mos vallë parimi i mbrojtjes së imazhit vetjak të personave të xhiruar nuk vlen për ata ose ato që protestojnë? Apo në rast se gjatë protestës ka incidente a përplasje midis protestuesve dhe forcave të rendit, këto të fundit ta kenë më të lehtë për të identifikuar shkaktarët e tyre? Gjithsesi, ndonëse me pak vonesë, po i uroj nga zemra teto Martës dhe simotrave të saj, si edhe ishkolegeve të mia, Marsida e Marsela, shumë 8 Marse të tjera proteste për të mbrojtur të drejtat e tyre si femra, si bashkëshorte e si nëna.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura