75-vjetori i Xhevahir Spahiut, Sinani: Duroi komplotin e heshtjes

Mar 3, 2020 | 20:13
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ “Xhevahir Spahiu është poet i sprovave të mëdha. Krijoi dhe imponoi individualitetin e tij, në një kohë kur uni ishte i rrezikshëm.

Nuk bëri lëshime me fjalën për të lehtësuar fatin vetjak”. Akademiku Shaban Sinani e nderon me këto fjalë poetin e pakompromis në 75-vjetorin e tij të lindjes, teksa në Akademinë e Shkencave, miq e kolegë vlerësojnë kontributin e tij letrar dhe atë njerëzor. Dy aspekte, që sipas mikut të tij prej një gjysmë shekulli, akademikut Ali Aliu, nuk mund të shikohen të veçuara, pasi siç shkrimtari shprehet, Spahiu është poet kudo e kurdo, me të njohur e të panjohur.

xhevahir spahu

“Ai është poet i madh, liriku më ekspresiv e më frymëzues i shqipes, shembulli emblematik për debatet e shumta ndër mote, për faktin nëse duhet lidhur domosdoshmërisht njeriu dhe artisti, poezia dhe jeta”. Për studiuesin, poezia e Xhevahir Spahiut është e ngjizur te lashtësia e shtresëzuar biblike dhe mitologjike ndër mote. “E ngjizur nga vatra dhe rrënjët si shenjtërim i etnisë dhe i hapësirës arbërore. Është yllësi shpirtërore te Xhevahir Spahiu njeri dhe poet. Është Naimi, lumi, mali, deti, Skrapari, Tirana, ‘Tomorri’, ulliri, frashëri, etnia.

Ah, gjuha! Gjuha mbi të gjitha”, vijon më tej. Shkrimtari Ali Aliu, si një ndër njerëzit e afërt të Xhevahir Spahiut, tregon dhe “dobësinë e tij”. “Nëse Xhevua do të ndihej thellësisht i fyer… e vetmja gjë e shenjtë është prekja e kësaj yllësie poetike dhe shpirtërore të tij”, rrëfen ai. Ndërsa Bardhyl Londo, poetin që në këtë përvjetor cilësohet si “shenja e një breznie” (pas viteve 1970), që prek edhe poetë të tjerë si Ndoc Gjetja, Natasha Lako etj., e veçon si kalorësin e letërsisë në fushën e ideve.

“Ti je jo vetëm shenja e një breznie, por prijësi i saj”, thotë poeti, duke nënvizuar faktin se Shqipëria pas viteve ‘70 arrin të bëjë një hov cilësor jo vetëm në letërsi, por në të gjithë kulturën, duke lënë pas një periudhë të diskutueshme vlerash artistike që i kish paraprirë. Për këtë brezni, gjatë konferencës që hodhi dritë mbi veprën dhe kontributin jetësor të poetit, foli edhe kryetari i Akademisë, Skënder Gjinushi, duke e cilësuar poezinë e Spahiut si risi.

“Ti e brezi yt u bëtë një pjesë e ndriçimit të letërsisë shqipe, duke plotësuar kështu spektrin e saj me dritën e ngjyrat tuaja. Ti nuk more flamur në dorë e as deshe ndonjë protagonizëm zyrtar, por bëre letërsi duke u thënë bashkëkohësve: Kështu bëhet letërsia ndryshe. Pa krijuar keqkuptim e tepruar me meritat për hir të 75-vjetorit, s’po themi se poezia ndryshe që shkrove ti, poezia jote ishte ndryshe edhe në përqasjen ideologjike, pasi kjo çështje s’ka vend për t’u prekur sot në ditë gëzimi, se do të kujtonte shumë telashe e andralla të kohëve të shkuara”, u shpreh kryeakademiku. Ndërsa djali i poetit Orgesi, në shenjë falënderimi e mirënjohjeje sjell në vëmendje një shënim që i ati la në shtëpinë e poezisë në Francë, pas botimit të librit të tij të parë në gjuhën frënge. “Ishim atje bashkë dhe ai shkroi: Faleminderit o njerëz, çfarë të them tjetër për ju. Përtej dritares, një qiell i heshtur. Çfarë të them tjetër?! Botë e ëndërrt”…

“I NDALUAN BOTIMIN, DERI EDHE TË DREJTËN PËR TË SHKRUAR”

Në ditëlindjen e 75-të, Xhevahir Spahiu u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Për ngjarje të tilla që prekin personalitete me peshë në fushën e letërsisë e kulturës sonë, studiuesi i letërsisë, Arian Leka, që ka përgatitur për botim disa poezi të përzgjedhura të poetit, shprehet se: “Më vjen mirë që disa nga institucionet ishin në lartësinë e duhur për t’iu përgjigjur ftesës, për të kurorëzuar nga ana institucionale poetin Xhevahir Spahiu, sepse nga ana e lexuesve, kurorën e artë ai e ka marrë prej kohësh”. Leka sjell në vëmendje faktin se 2020- ta shënon dy përvjetorë për letrarin.

“Njëri është përvjetori i 75-të i lindjes së njeriut Xhevahir Spahiu, por ka një fakt që është edhe më i rëndësishëm, edhe më jetëgjatë. Ky është 50-vjetori i lindjes së Xhevahir Spahiut si poet, sepse libri i parë i tij është botuar 50 vjet më parë. Pra, me këtë autor, nga më të spikaturit e vjershërimit shqip, ne kemi një gjysmë shekulli që komunikojmë”. Duke u ndalur edhe te botimi me dy vëllime, “Udha”, me poezi të përzgjedhura të poetit, Leka foli edhe për pengesat që sistemi komunist i ka nxjerrë poetit për natyrën e poezisë së tij. “‘Udha’ nuk ka qenë gjithmonë drejt lavdisë, por e pleksur edhe me suksese personale, që institucioneve të kohës nuk u kanë ardhur për shtat dhe i kanë ndaluar në mënyrat e tyre.

I kanë ndaluar botimin, i kanë hequr librin nga qarkullimi, kanë shkuar deri te ndalimi i të drejtës së të shkruarit”, shton më tej studiuesi, duke rrëfyer edhe për qortimin institucional të shtetit që iu bë poetit për poezi të veçanta të tij. Ai veçon vitin 1972, duke e cilësuar si një prej periudhave më të rrezikshme për kulturën dhe letërsinë.

“Një vit plot pikëpyetje, jo vetëm për Xhevahir Spahiun, por edhe për autorë të tjerë, i cili mund të përmblidhet me fjalinë e Xhevahir Spahiut, kur thotë se ‘nuk di si jemi gjallë’”. Për rezistencën e poetit gjatë diktaturës dhe në momente të tjera delikate të historisë së pasvitit 1990, u shpreh edhe studiuesi Shaban Sinani. “Duroi indiferencën dhe komplotin e heshtjes, duroi sprapsjen dhe burgun e fjalës. Protestoi kundër lirisë së gënjeshtërt dhe iu përgjigj me një cikël poezish egërsisë kriminale të vitit 1997, kur shkrimtarët dhe akademikët thirrën me dhimbje: Goditën Lorkën e Shqipërisë! Qëndroi vertikalisht në të gjitha kohërat”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura