75-Vjetori i Çlirimit, Braçe rihap debatin e tradhtarëve të vendit: Anëtarë të qeverive kuislinge kanë…

Oct 1, 2019 | 14:05
SHPËRNDAJE

Teksa kujtohet 75- Vjetori i Çlirimit të Shqipërisë, në Pavijonin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Muzeut Historik Kombëtar, zëvendëskryeministri Erion Braçe vë theksin mbi dy pika kryesore, që kanë të bëjnë me këtë ngjarje: njohja e heronjve që luftuan, si dhe të tradhtarëve të qeverive kuislinge.

brace

Kështu, 20 veprimtaritë që do të shtrihen në qytete të ndryshme të Shqipërisë gjatë muajve tetor-nëntor, do të prekin ndër të tjera edhe këto dy aspekte, duke evidentuar përpjekjet që shqiptarët bënë për të fituar lirinë e qëndrimin që është mbajtur gjatë Luftës nga anëtarë të veçantë të qeverive. Logoja fituese që do të shoqërojë këto ngjarje, është dizajnuar nga studenti i Arkitekturës Darling Dardha.

Zëvendëskryeministri u shpreh se 75-Vjetori i Çlirimit do të vijë përmes këtyre aktiviteteve, si një ngjarje që e ka vendosur Shqipërinë drejt në historinë e kombeve në Luftën e Dytë Botërore.

“E ka pozicionuar drejt edhe në krahun e duhur të historisë, edhe falë kontributeve të jashtëzakonshme të heronjve të Luftës Nacionalçlirimtare. Fituesi është një djalë i ri, mirëpo edhe Lufta e zhvilluar këtu edhe 80 vite më parë, është veçanërisht meritë e brezit të ri të asaj epoke, që u angazhuan kundër fashizmit. Shumica prej tyre ishin në një moshë të re. Ishin djem dhe vajza, që u bashkuan për të përballuar pushtimin fashist edhe nazist”, thotë Braçe.

Zëvendëskryeministri shtoi më tej se prej ditës së sotme Shqipëria hyn në dy muaj të rëndësishëm të festimeve, që kanë në fokus jetësimin e ngjarjeve të Luftës Nacionalçlirimtare.

brace logo

“Ajo që ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, për dikë që ka lind pas viteve ‘90, por edhe para, është një ngjarje që mund të mos thotë shumë, pikërisht për këtë arsye këto aktivitete vlejnë. Vlejnë për të treguar se në këtë vend është luftuar e pushtuesit nuk kanë qenë kalimtarë, vlejnë po ashtu për të thënë se në këtë vend është tradhtuar dhe tradhtarët kanë qenë anëtarë të qeverive kuislingë. Këto qeveri kuislinge nuk kanë qenë kot. Edhe nga pikëpamja formale, kanë ndërmarrë akte që janë firmosur qartazi nga qeveritë e asaj periudhe. Nuk mundet që të kalojë kaq lehtësisht, pasi ato qeveri i shpallën luftë Francës, Britanisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ai.

Braçe tha edhe se sjellja e politikës sot duket qesharake, shpesh duke reflektuar qëndrimet përbuzëse të qeveritarëve të asaj periudhe ndaj tjetrit. Pasi, sipas tij, nëse njerëzit nuk ndërgjegjësohen për atë që ka ndodhur, ngjarjet mund të përsëriten.

“Ka reminishenca në kohë të ndryshme të akteve që kulmojnë në ato ngjarje, të cilat lidhen me sjelljen e tyre raciste deri në sjellje tipikisht fashiste, që urrejnë ndryshimin, tjetrin. Edhe në atë periudhë, edhe në këtë periudhë. Janë gjëra që duhen kujtuar që në gjenezë, pasi me to po përballet sot bota e qytetëruar, që këto fenomene të mos kenë më hapësirë në këtë vend”, tha zv. kryeministri.

Braçe shtoi më tej se projekti antifashist i Europës së bashkuar nuk ka dështuar, prandaj atë kohë nuk mundet që ta evokojë askush.

“Edhe në formën e re të populizmit, sovranizmit, Evropa e bashkuar vazhdon që të jetë shumë aktive. Të njëjtën gjë duhet që të bëjmë edhe ne, që në këtë muaj jemi aspirantët më të mëdhenj për t’iu bashkuar kësaj Europe. Dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare nuk mundet që t’i vërë kush në trekëndësh sot”, shton Braçe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura