613 kg kokainë/ Pse po shtyhet ekstradimi i Arbër Çekajt, autoritetet gjermane kërkojnë…

Jul 14, 2018 | 8:53
SHPËRNDAJE

Në një kohë që në Shqipëri pritet ekstradimi i Arbër Çekajt, pronarit të ngarkesës me banane, ku në shkurt u zbulua sasia rekord e kokainës së mbërritur nga Kolumbia në Durrës, autoritetet gjermane kërkojnë ende kohë, shkruan “Panorama”.

Cekaj

Arsyeja duket se janë hetimet që oficerët gjermanë po kryejnë edhe vetë paralelisht me autoritetet shqiptare, për rrjetin e trafikimit të 613 kg kokainë. Procedurat ligjore në Gjermani po vonojnë prej 2 muajsh ekstradimin drejt Shqipërisë të Arbër Çekajt.

Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë, nga ana e autoriteteve tona janë dërguar të gjitha dokumentet e nevojshme për ekstradim dhe mbetet në vlerësim të autoriteteve gjermane kthimi në Shqipëri i pronarit të firmës “Arbri Garden”.

Po sipas burimeve, vonesa e ekstradimit të Çekajt lidhet edhe me hetimin që krahas autoriteteve shqiptare po zhvillojnë edhe agjencitë gjermane të zbatimit të ligjit për sasinë rekord të kokainës që mbërriti në Durrës. Arbër Çekaj është pronari i firmës “Arbri Garden”, ku u sekuestrua kontenieri me 613 kg kokainë, në magazinat e kësaj kompanie në Maminas.

Ai është arrestuar në Gjermani me qëllim ekstradimi. Dy ditë më parë, Policia e Shtetit sekuestroi llogaritë bankare të kompanisë së tij e të familjarëve, me vlerë prej rreth 10 milionë lekësh të rinj e 38 mijë dollarë.

Një ditë më parë, policia njoftoi zyrtarisht sekuestrimin në dy llogari bankare të rreth 38 mijë dollarë dhe mbi 10 milion lekë (të reja). Llogari që ishin në emër të subjekteve ‘Arbri Garden’ shpk, me pronar Arbër Çekaj dhe ‘Ecoalmax’ shpk”, me pronar të atin e Arbër Çekajt.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura