6 javë karantinë, artistët e pavarur letër Kryeministrit: Qeveria të ngrejë një fond të posaçëm

Apr 23, 2020 | 20:51
SHPËRNDAJE

Masat e rrepta që qeveria shqiptare mori për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ndonëse bënë që përgjatë këtyre javëve të shmangej masivizimi i të prekurve, kanë nisur të shfaqin pasojat në ekonominë e çdo shqiptari, veçanërisht atyre që punojnë në mënyrë të pavarur e që nuk kanë një pagë fikse.

Ndonëse kanë kaluar afro 6 javë prej mbylljes së institucioneve të kulturës, veprim që solli edhe pezullimin e aktiviteteve të planifikuara, artistët e pavarur, të cilët punojnë në bazë të projekteve, duket se kanë mbetur të përjashtuar nga të gjitha planet e qeverisë.

94220725_256013802193725_441447342957133824_n

Këto shqetësime jetike, një grup prej tyre ia ka ngritur Kryeministrit të vendit përmes një letre, ku kërkojnë të mendohet për një fond të posaçëm për ata që ushtrojnë profesionin në mënyrë të lirë. Për këtë, një grup prej tyre, që po zgjerohet çdo ditë, kërkojnë “të mendohet një fond të posaçëm për artistët e pavarur, të destinuar për ruajtjen dhe vazhdimësinë e iniciativës së lirë krijuese”.

Letra e plotë, drejtuar Kryeministrit Edi Rama nga artistë të sektorit të pavarur:

I nderuar zoti Kryeministër,

Ne që po ju drejtohemi jemi artistë të Shqipërisë që e ushtrojmë profesionin në mënyrë të lirë. Duke ju inkurajuar në punën që po bëni për të kapërcyer krizën si pasojë e Covid-19, ju sjellim në vëmendje që kjo krizë e thellë ka goditur edhe kategorinë tonë të artistëve që punojnë në sektorin joshtetëror. Të ardhurat tona nuk vijnë në formën e një rroge mujore fikse, por në formën e shpërblimeve për pjesëmarrjen në projekte të ndryshme artistike. Paketat e ofruara të ndihmave ekonomike deri më sot nuk marrin në konsideratë në këtë moment shumë të vështirë artistët e pavarur, duke na lënë të papërfillur nga Qeveria.

Kuptojmë më së miri vështirësitë që pandemia Covid-19 i ka shkaktuar çdo sektori dhe limitet e buxhetit të shtetit për të mbuluar të gjitha shtresat në nevojë. Por nuk mund të mos ngremë zërin tonë për faktin se qeveria juaj nuk po merr ende masa për të buxhetuar aktivitetin tonë, që zhvillohet në kushte jo të barabarta me sektorin shtetëror, por efektivisht mban gjallë skenën artistike të vendit. Ne jemi një numër i konsiderueshëm artistësh të pavarur të disiplinave të ndryshme (teatër, muzikë, danc, film, arte pamore) vazhdimisht aktivë në jetën artistike në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, duke funksionuar edhe si ambasadorë dinjitozë të kulturës shqiptare jashtë vendit.

Në këto kohë kur distanca fizike është ligj dhe kur mendohet që rifillimi normal i jetës sociale e artistike do të kërkojë shumë kohë (mbase deri në gjetjen e vaksinës), komuniteti ynë do ta ketë të pamundur të mbijetojë ekonomikisht. Ne duam të kontribuojmë për artin dhe kulturën në vendin tonë dhe nuk duam të emigrojmë apo të detyrohemi të kërkojmë mënyra të tjera jetese, në pamundësi për të ushtruar profesionin, për të cilin kemi investuar. Ndaj, shteti shqiptar ka përgjegjësi për të mbështetur edhe kategorinë tonë në këto kohë kritike.

Ndërsa në vendet e tjera të Europës nevoja e veçantë për mbështetje për kulturën dhe artistët ka qenë ndër të parat që është adresuar, te ne qeveria juaj, pas më shumë se pesë javësh karantine dhe bllokimi të çdo aktiviteti artistik, ende nuk ka planifikuar përkrahjen financiare të këtij sektori, e konfirmuar edhe në deklaratat tuaja të fundit.

Ne e konsiderojmë të udhës që qeveria të ngrejë një fond të posaçëm për artistët e pavarur,të destinuar për ruajtjen dhe vazhdimësinë e iniciativës së lirë krijuese. Që komuniteti ynë të vazhdojë funksionin si faktor i domosdoshëm për jetën sociale dhe kulturore gjatë dhe pas krizës Covid-19, ka nevojë të përfillet në planet ekonomike sot.

Kjo nismë e jona ndërmerret nisur nga parimet që e bëjnë artin asetin më të rëndësishëm për ruajtjen dhe konsolidimin e identitetit kombëtar, forcon vlerat e demokracisë, edukon brezin e ri me vlerat kulturore europiane, nxit aktivizimin qytetar, zbut varfërinë, forcon kohezionin social, rrit punësimin në sektorin e artit dhe kulturës dhe bëhet faktor zhvillimi ekonomik e social.

Mbetemi në pritje të komunikimit të një zgjidhjeje. Momenti ka ardhur. Sot është pikërisht dita të merrni përgjegjësitë dhe të jepni kontribut si Kryeministër i vendit në mënyrë që të mos diskriminohemi, të vazhdojmë të mbijetojmë ekonomikisht dhe profesionalisht që të japim kontributin tonë për artin dhe kulturën në vende dhe pas krizës aktuale.

Faleminderit!

94427883_1925001620964106_3227661252859789312_n

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura