5 mijë euro në muaj, Bushiç: U binda për një minutë, dua ta mbyll karrierën te Flamurtari

Jun 13, 2018 | 18:14
SHPËRNDAJE

Tomislav Bushiç do të jetë i Flamurtarit të paktën edhe për një sezon. Drejtuesit e klubit vlonjat kanë ndërruar mendje për kroatin, i cili doli jashtë planeve pas mbylljes së kampionatit. Dje zyrtarisht klubi i ofroi sulmuesit rinovimin e kontratës dhe menjëherë u arrit marrëveshja mes palëve.

Kapiteni i kuqezinjve do të përfitojë 5 mijë euro në muaj, ndërsa është bindur nga oferta e vlonjatëve, për shkak se iu premtua likuidimi “kesh” i 20% të kontratës, si dhe i dy rrogave të prapambetura nga sezoni i fundit. Lajmin për arritjen e marrëveshjes e ka konfirmuar ekskluzivisht për “Panorama Sport” vetë sulmuesi kroat, i cili në kampionatin e fundit shënoi tetë gola.

bushic

“Kam pasur disa oferta, por në momentin që më telefonoi Ardi Behari arritëm akordin për një minutë. Mua më pëlqen shumë Vlora si qytet, njerëzit aty, tifozët dhe vetë klubi. Që në momentin e parë që më telefonuan isha i gatshëm të rikthehesha. Menjëherë thashë ‘po’ kur fola me Beharin dhe më pas vetëm falënderova skuadrat e tjera me të cilat isha në bisedime”, ka thënë fillimisht golashënuesi kroat. Mësohet se Bushiç ka refuzuar ofertën e Kukësit, por gjithashtu edhe skuadrave kosovare si Prishtina dhe Trepça ’89.

“Objektivi parësor është që secili lojtar që do të vijë në Vlorë, duhet të respektojë fanellën, qytetin, klubin dhe tifozërinë. Sigurisht, dëshira jonë është që të synojmë vendet e sipërme të klasifikimit. Ky është viti im i tretë me Flamurtarin dhe ka ardhur koha të marrim rezultate. Unë kam luajtur me disa skuadra, por Hajduk Split dhe Flamurtarin i kam në zemër. Me Hajdukun nisa karrierën, ndërsa në Vlorë shpresoj që pse jo të mbyll karrierën për dy apo tri vite. Do të jap gjithmonë maksimumin për këtë fanellë”, përfundoi sulmuesi i Flamurtarit.

TË TJERËT

Flamurtari ka të njëjtë taktikën edhe për sulmuesin Danilo Alvesh. E ndërsa drejtues të klubit duket se nguronin për të rinovuar me Bushiç dhe në fund e arritën akordin, e njëjta “lojë” po bëhet edhe me brazilianin. Ky i fundit është aktualisht lojtar i lirë dhe nuk i kanë munguar ofertat. Gjasat janë që pas rinovimit të Bushiç, t’i ofrohet zgjatja e marrëveshjes edhe Alveshit. Burime jozyrtare pranë klubit thonë se me Alveshin, Flamurtari ka arritur në parim akordin edhe për dy sezone të tjera, por gjithsesi çdo gjë mbetet ende në kuadrin e fjalëve, përderisa nuk ka veprime konkrete nga të dyja palët. Zyrtarisht klubi ka konfirmuar se deri më tani lojtarët që kanë rinovuar marrëveshjet janë Emiljano Musta dhe Muhamed Useini.

ERMAL SIKA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura