41 filma në kohë pandemie, nis sot Festivali i Filmit për të Drejtat e Njeriut

Sep 14, 2020 | 9:59
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/Cungimi i të drejtave të grave dhe fëmijëve bëhet kryefjalë e abuzimeve edhe në këtë periudhë pandemie, ndaj arti përpiqet të veprojë për ndërgjegjësimin e qytetarëve.1599835409_cashku

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri (IHRFFA) nis sot në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, duke pasur në fokus këto problematika. Pavarësisht situatës jo të zakontë, edhe në këtë edicion XV, në Festival janë bërë 3500 aplikime, prej të cilave janë përzgjedhur 41 filma.auto_10filma1599739102

Drejtori ekzekutiv i Festivalit, kineasti Kujtim Çashku tregon për mediat vështirësitë për të ruajtur traditat e ngjarjeve të tilla kulturore, jo vetëm në vend, por edhe jashtë, duke u përshtatur me udhëzimet për parandalimin e COVID19. E megjithatë ai nënvizon faktin se arti e kultura nuk duhet të ndalin, pasi në këtë situatë që shkakton ngarkesa psikologjike ato janë domosdoshmëri.

“Nuk është e lehtë të krijosh e të ruash tradita, veçanërisht në këtë periudhë që po kalojmë për shkak të pandemisë. Mendoj se duhet bërë e pamundura që ritualet kulturore të mbahen. Beteja të tilla po bëhen në mbarë botën. Edhe Festivali i Venecias po zhvillohet për të mos humbur traditat që konsolidojnë hartën kulturore europiane. Ky festival që ne po zhvillojmë nuk është vetëm pjesë e hartës europiane, por dhee asaj botërore, pasi ne jemi anëtarë të një network-u me 41 festivale për të drejtat e njeriut, që nuk kanë vetëm karakter kulturor, por edhe politik. Qëllimi i tyre është të ndërgjegjësojë shoqërinë për fenomene që ndodhin shumë pranë tyre”, u shpreh Çashku.

41 FILMA, PJESA MË E MADHE PREMIERA

Pjesa më e madhe e filmave që do të shfaqen gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut do të jenë premiera. “Filmat trajtojnë një gamë të gjerë tematikash që prekin problematika globale, të cilat hasen edhe në shoqërinë shqiptare, ndonëse në fokus janë të drejtat e grave dhe fëmijëve”, thotë Çashku. Në krye të bordit që ka përzgjedhur filmat është edhe ish-zëvendësambasadori i OSBE-së, Robert Wilton (përkthyes, shkrimtar, historian), i cili u shpreh se iniciativa të tilla bëhen më shpresëdhënëse për ta kaluar sa më lehtë këtë situatë të jashtëzakonshme.maxresdefault

Po ashtu, ai vuri theksin edhe te puna që duhet bërë, që si në të gjitha shoqëritë e zhvilluara, edhe në Shqipëri barazia gjinore të mos jetë vetëm temë e bisedave televizive e tryezave “elitare”, po të shkojë edhe te shtresat më në nevojë.

“Është një mundësi e mirë për të shkëmbyer ide se çfarë mund të bëhet që bota, aktivitetet të zhvillohen në mënyrë sa më të organizuar, pavarësisht pandemisë së COVID19, si sfidë. Këtë vit kemi një temë shumë të ndjeshme, pasi çdo ditë në Shqipëri, por edhe në botë, ndodhin krime ndaj fëmijëve. Po ashtu, ende s’mund të flasim për një barazi të vërtetë midis grave dhe burrave. Ndihet diskriminimi që lind nga pabarazia, edhe që gjeneron abuzim. Edhe studimet e tregojnë qartë se nëse nuk kemi barazi gjinore, shoqëria jonë nuk do të funksionojë siç duhet”, u shpreh Wilton.

Ambasadori austriak, Christian Steiner, shprehu entuziazmin për një ngjarje të tillë të kinematografisë ndërkombëtare, që mbahet në vendin tonë. “Pas vitit 2012 jemi për herë të dytë partnerë kryesorë të këtij festivali. Ky vit është i veçantë, jo vetëm prej pandemisë, por sidomos për faktin se festivali feston 15-vjetorin e tij. Festivali është në fokusin e politikave tona, si një kombinim i artit dhe kulturës, por dhe për vëmendjen që ne u dedikojmë të drejtave të njeriut. Kur flasim për politika dhe të drejta të njeriut, midis tyre janë të drejtat e grave dhe fëmijëve, që veçanërisht në këtë kohë pandemie po vuajnë pasojat e dhunës”, u shpreh Steiner.

Festivali do të zgjasë 11-ditë dhe 41 filmat e diskutimet do të zhvillohen në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, te lulishtja pranë Kryeministrisë, si dhe tek Arkivi Qendror i Filmit, duke iu përmbajtur të gjitha rregullave të distancimit social. Çelja e Festivalit zhvillohet sot pranë “Marubit” në orën 19.00 me ceremoninë hapëse dhe shfaqjen e filmit të parë “Kaviar”. Bëhet fjalë për një film fiksion, produksion austriak i vitit 2019 dhe regji e Elena Tikhonova. Filmi zgjat 90 minuta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura